Turqit, popull vëlla apo mik? Përgjigjen e jep feja

0
56

Berisha, Erdogan 

Një sondazh i qendrës studimore turke BİLGESAM zbulon të dhëna për preferencat dhe gjykimin e shqiptarëve në raport me Turqinë. Kriter dominues në vlerësim është përkatësia fetare

Skerdilajd Zaimi

Sadopak besimtarë të jemi, sërish substrati tradicional fetar ndikon në perceptimin e të huajve, fqinjëve apo edhe miqve dhe armiqve. Aq më tepër vlen ky argument në rastin e Turqisë, një vend me një rol specifik në historinë e përbashkët të popujve ballkanikë.

Nisur pikërisht nga historia dhe në përpjekje për të parashikuar prirjet e së ardhmes, Qendra e Studimeve Strategjike BİLGESAM në Stamboll ka ndërmarrë një sondazh një 10 vende të Ballkanit për të vlerësuar perceptimin e tyre mbi Truqinë. Përfundimi i parë dhe kryesorë është ai që citohet edhe nga gazeta “Today’s Zaman”, se “religjioni është faktori kyç që formëson opinionet e njerëzve për Turqinë”. Ndonëse popullsitë e Ballkanit, kristianë apo myslimanë janë relativisht dakord dhe mirëpresin anëtarësimin e Turqisë në Bashkimin Evropian, ato ndahen kur vjen puna në çështje të tjera disi më intime dhe që lidhen me ndjeshmëri historike. Sa i përket shqiptarëve si një popull që mban gjallë të dy besimet kryesore me ndarjet përkatëse ka disa të dhëna interesante.

Pyetjes se “cili është vendi i dytë që do të zgjidhnit të jetonit pas Shqipërisë”, një shqiptar mysliman i përgjigjet ndryshe nga një shqiptar kristian. 32% e të anketuarve që i përkasin besimit mysliman përgjigjen se do të zgjidhnin Turqinë, ndërsa kristianët preferojnë Britaninë e Madhe. Megjithëse statistika në këtë rast nuk mund të përgjithësojë në mënhrë absolute grupet fetare ajo sërish mundëson leximin e një prirjeje apo inercie historike. Interesante është se ndarja preferenciale Turqi-Britani, vështruar si parafrazim i ndarjes Lindje-Perëndim, e përfshin Britaninë në zonën e privilegjuar të zgjedhjes për kristianët shqiptarë. Kjo të paktën sipas të dhënave të sondazhit të kryer. Kështu përzgjedhja për vendin e preferuar të huaj krijon ndarje respektive sipas grupimit fetar ndër shqiptarë.

“78.5 % e myslimanëve në Shqipëri kanë një përfytyrim pozitiv për Turqinë. Në krahasim me këtë Britania e Madhe me 82% dhe ShBA-të me 80.9% janë vendet e para për të cilat kristianët shqiptarë kanë më shumë preferencë”, thuhet në vëzhgimin e kryer. Edhe më ngacmues është përsëritja e statistikës sipas përkatësisë fetare kur vjen puna në perceptimin e demokracisë në Turqi. I njohur si një vend ndaj të cilit kërkohet ende shumë sidomos në aspektin e të drejtave të njeriut, gjykimi mbi funksionimin e demokracisë në fakt zbulon parametra të ndryshëm vlerësimi në persona të ndryshëm.

Nëse vlerësimet pozitive për demokracinë turke, kanë përgjithësisht për autorësi shqiptarë të përkatësisë myslimane, atëherë kjo e dhënë mund të shpjegojë relativisht mirë stabilizimin e tranzicionit të gjatë në vendin tonë. Sikurse vihet re gjykime kaq të ndryshme nga i njëjti popull për një vend të huaj, krijon idenë e kufijve të brendshëm kulturorë dhe sociologjikë, hierarkia e të cilëve në finale jep produktin e vet edhe në zgjedhjen që ne bëjmë për vetë qeverisjen tonë. Kështu nëse risillet një shifër tjetër “71-80 % e të anketuarve mes shqiptarëve myslimanë besojnë se demokracia në Turqi është në nivele të mira”.

Për të vijuar me të dhënën tjetër se “kristianët shqiptarë kanë perceptime të ndryshme; 48-64 % e tyre e vlerësojnë pozitivisht demokracinë turke”. Çfarë rezulton nga këto pak të dhëna është se raportet mes dy popujve vijnë në vëmendje përmes përkufizimeve të përgjithshme që zakonisht janë pjesë e deklaratave politike, por poshtë tyre gjallojnë ende ndryshime thelbësore të cilat në rastin konkret një shqiptar mysliman e dallojnë nga një shqiptar kristian, pavarësisht të qenit në një bashkësi etnike.

Harta e minoriteteve në Ballkan

Shqiptarët në 6 shtete. Të dhënat për Shqipërinë mungojnë

E gjithë problematika e ngritur në sondazhin e qendrës turke, BİLGESAM rihap debatin për censusin e vitit 2011 në Shqipëri. Përgjigjet e tij për fenë dhe përkatësinë etnike sipas INSTAT-it po përpunohet ende nga një “skaner modern”, por që në fakt po riprodhon si paradhënie një proces të ngjashëm me atë zgjedhor. Gjithsesi të dhënat zyrtare të Shqipërisë mbeten të rëndësishme pasi mbi to edhe vendet e tjera ndërtojnë politika dhe qasje të caktuara.

Në një seminar të realizuar nga kjo qendër në datën 24 korrik 2012, rezulton se shqiptarët si minoritete gjenden në 6 shtete ballkanike. Sa i përket Maqedonisë numri i tyre jepet në 25%, edhe pse censusi në këtë vend u shty. Po kështu shqiptarë ka në Kroaci dhe Bosnje, sikurse theksohet me forcë prania e tyre në Greqi. Madje këtu qendra turke ofron një panoramë të shtresëzimit të pakicës shqiptare duke përfshirë, arvanitët dhe shqiptarët të cilët në hartën përkatëse jepen në legjendë udhëzuese të përbashkët.

Sa i përket Shqipërisë, nuk jepet asnjë e dhënë; ndonëse edhe për një shtet fare të ri si Kosova statistikat nuk mungojnë. Duhet thënë se vihet re fakti se theksimi apo minimizimi i problematikës së minoritetit shqiptar vjen në një raport të drejtë me interesat turke. Ta zëmë e dhëna zyrtare prej 25% në Maqedoni është e paqëndrueshme përderisa regjistrimi i ri pritet dhe aq më tepër kur vetë Turqia pretendon shumëçka në këtë vend. Për analogji, ky vlerësim do të mund të pranonte si të vlefshëm edhe të dhënat e regjistrimit më të fundit të Shqipërisë, atij të vitit 1989.

Deklarata në prill 2012

Berisha: Me turqit lidhje gjaku

“Me turqit kemi lidhje gjaku”-kështu do të shprehej në vizitën e tij të fundit në Turqi në prill 2012, kryeministri Sali Berisha. Gjithsesi vetë turqit dhe përfaqësuesit e tyre nuk duket se investojnë 100% të besimit të tyre në këtë marrëdhënie të ngushtë historike, përderisa në përputhje me metodat e kohës për vlerësimin sociologjik aplikojnë studime në vijimësi. Një element i veçantë i hedhur nga kryeministri shqiptar në Ankara ishte edhe se “janë mbi 6 milionë shqiptarë në Turqi, ka me miliona martesa, është botërisht i njohur pasioni i turqve për të marrë gra shqiptare. Çfarë të themi ne që këta s’kanë gjak shqiptar, se kanë gjak të përzierë…

Në atë shtet ka më shumë shqiptarë se në Ballkan, ky është realiteti”. Në fakt edhe pse në pamje të parë duket një konstatim objektiv dhe që bazohet mbi të vërtetën, në planin politik pohimi i Berishës i bën jehonë një përcaktimi të preferuar të ministrit të Jashtëm turk, Ahmet Davutoglu që njihet si ideator i neo-otomanizmit. Konformizëm diplomatik gati banal, por që gjithsesi ka si lëndë të parë të dhënën konkrete e cila dikton administrimin e duhur, pasi edhe në një vend si Greqia ka gati 700 mijë shqiptarë të paraprirë nga emigrime historike dhe përzierje popullsie.