Andrea Stefani
I ndodhur nën goditjen e një vargu skandalesh, Kryeministri Berisha po aktivizon gjithë propagandën e tij për të krijuar në opinionin publik një perceptim të asaj që mund të quhet “detantë e korrupsioneve”. Thënë më troç, kërkon të krijojë në publik përshtypjen e rreme se opozita është po aq e korruptuar sa edhe pushteti. Gjë që politikisht po tenton të përcjellë mesazhin se shpëtimi i Shqipërisë nga kalbëzimi i korrupsionit, nuk ka të bëjë fare me ndërrimin e pushtetit. Si përherë në këta 20 vjet, konstante e Berishës mbetet përjetësimi i pushtetit të tij personal. Në funksion të këtij qëllimi ai ka aktivizuar një zinxhir deputetësh të shumicës që të bombardojnë veshët dhe arsyen e publikut me një vjershë mbi “20 përqindëshat” e Edi Ramës, akuza që nuk kanë arritur t’i provojnë kurrë me dokumente.
Në të kundërtën, opozita ka akuzuar korrupsionin qeveritar, si rrallë më parë, duke publikuar dokumente mbi korruptimin apo konfliktin e interesit për jo pak ministra. Duke e ndier këtë deficit, berishistët duket se kanë marrë direktivën të thellohen në “letrat” e deputeteve socialistë. Dhe më në fund kanë arritur të zbulojnë një konflikt interesi në veprimtarinë e një biznesi të drejtuar nga deputeti socialist, Ilir Beqja. Mazhoranca kërkoi dorëheqjen e deputetit. Opozita u vu në mbrojtje të tij. Por cili duhet të kishte qenë qëndrimi i duhur i opozitës?
* * *
Është krejt e qartë se denoncimet e deputetëve të shumicës nuk synojnë luftën kundër korrupsionit por shantazhimin e opozitës për ta detyruar të heqë dorë nga strategjia e saj antikorrupsion. Dhe nuk është e para herë që pushtete të korruptuara kërkojnë të mbrohen duke qëmtuar te kundërshtarët e tyre delikte, mëkate apo shkelje të ligjit. Të zbulojë pikat e dobëta të kujtdo që e rrezikon dhe ta shantazhojë që të mbyllë gojën kjo është taktikë edhe e mafies. Berisha si politikan nuk ka hequr dorë kurrë nga një taktikë e tillë. Dobësitë njerëzore, veset, lakmitë apo korrupsionet, janë burimi i forcës së pushtetit të tij të themeluar edhe mbi shantazhin.
Në funksion të kësaj taktike nuk është lejuar as edhe hapja e dosjeve të spiunëve të Sigurimit. Sepse një krim, delikt apo faj i bërë edhe dekada më parë në rrethana krejt fatale, është një kapital për këtë pushtet që fal çdo krim për hir të pushtetit. Të gjithë, deputetë, politikanë, gazetarë, të majtë apo të djathtë, janë nën lupën e një mekanizmi që nuk lodhet së mbledhuri nektarin e korrupsionit apo mëkateve njerëzore. Një nektar që nuk përdoret për të prodhuar mjaltin e drejtësisë, por hojet e shantazhit ku një ditë, do kyçen kundërshtarët. Është një informacion që nuk vihet kurrë në dispozicion të organeve të drejtësisë, por përdoret vetëm në momentin e duhur, pra, kur i vlen pushtetit.
Një moment i tillë ishte edhe ai i para pak ditëve kur Berisha i tha një deputeti të opozitës në seancë parlamentare dhe publikisht para mediave, të mbyllte gojë sepse ai (Berisha) e dinte që deputeti në fjalë, i kish dhënë ryshfet një mikut të Berishës. Vetëm kaq është e mjaftë për të kuptuar sesa e thellë është kalbja. Kryeministri e mban sekret korrupsionin dhe nuk denoncon raste për të cilat është në dijeni, përveçse në momente kur duhet të shantazhojë deputetë të opozitës që akuzojnë qeverinë e tij për korrupsion! Dhe nuk ka frikë ta pohojë një gjë të tillë edhe në tempullin e demokracisë dhe të ligjit. Korrupsioni mbrohet me korrupsion. Ky është as më shumë dhe as më pak, por triumfi i republikës së shantazhit!
* * *
Pikërisht nga kjo ofiçinë berishiste e shantazhit është motivuar edhe denoncimi i bërë deputetit Ilir Beqja. Sepse sikur Berisha të mos i kishte punët kaq pisk me korrupsionin, vështirë se ndonjë deputet i shumicës do kujtohej për një tender të vogël të një kompanie softuerësh. E megjithatë, ndryshe nga akuzat në erë për “20 përqindësha” që s’i ka parë askush, rasti në fjalë duket më i faktuar. Ndaj na duket gabim nga ana e opozitës dhe lidershipit të saj, marrja në mbrojtje e rastit “Beqja”.
Sepse nuk është fjala për solidaritet shokësh, por për qëndrimin ndaj ligjit, ndaj Kushtetutës e mbi të gjitha, për një moral të opozitës thelbësisht të ndryshëm nga imoraliteti i një pushteti dhe një Kryeministri që këmbëngul të emërojë dhe mbajë në detyrë ministra të akuzuar për krim dhe korrupsion deri në Strasburg, ministra të akuzuar për lidhje të afërta biznesi me mafien e kazinove dhe pastrimit të parave. Është morali ai që duhet ta dallojë opozitën edhe nga një Kryeministër që mban për zëvendëskryeministër një politikan si Ilir Meta, i cili sapo është akuzuar nga një ish-ministër i tij për fshehje dhe larje pasurish nën emra personash të tjerë. Dhe një moral i tillë duhet të bëjë që opozita të reagojë krejt ndryshe kur në radhët e saj denoncohet (mos vallë duhet të pranojmë se në opozitë kanë mbetur vetëm engjëj?) qoftë edhe një rast konflikti interesi si ai i deputetit Beqja. Krejt ndryshe nga arroganca qeveritare, skrupujt moralë duhet ta detyronin deputetin Beqaj të dorëhiqej.
Se ç’do të thotë më vonë gjykata është tjetër punë. Por në politikë merr përparësi morali. Kur akuzohesh nga kundërshtarët jo në tym, por me disa fakte që lypin interpretimin e gjykatës, duhet të largohesh. Jo vetëm sepse vetë qëndrimi në një post të rëndësishëm, përbën pengesë për drejtësinë, por edhe sepse një akuzë e pasqaruar është një pengesë edhe për besimin publik. Dhe kjo që është e vërtetë për deputetin Beqaj është edhe më urdhërore për ministra si Basha, Ruli, Bregu, Olldashi, Mediu mbi të cilët rëndojnë akuza shumë më të rënda. Të paktën ky është modeli edhe i zyrtarit të përgjegjshëm në Perëndim. Ndaj është e gabuar politikisht, të bësh avokatinë e Beqajt duke përdorur sot “argumentet” te të cilat Jozefina Topalli bazoi bllokimin, për disa muaj rresht, të rrogës që i takonte deputetit Beqaj.
Sepse nëse ato “argumente” të Topallit mund të përdoren sot për të mbrojtur një të drejtë, do të thotë se kanë qenë të drejta edhe atëherë kur opozita i shpallte se çalonin. Do të thotë pra se “Xhozi” e kishte drejt kur ua mbajti rrogën deputetëve socialistë që po bojkotonin Kuvendin në emër të lirisë së votës, sepse vërtet ata nuk paskan pasur mandat. Por nuk ka qenë aspak kështu. Janë ende të freskëta në kujtesë argumentet e opozitës në kritikë të arrogancës së Topallit. Atëherë opozita shpjegonte se vërtet deputetët nuk e kishin bërë betimin, por ama mandati i deputetit fillon qëkur shpallet nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ). Dhe në fakt, ashtu është. Nuk është betimi, por vota e elektoratit që të bën deputet dhe të çon te betimi.
Dhe më në fund, nëse të zgjedhurit socialistë nuk do të ishin ende deputetë menjëherë pas 28 qershorit (sikundër këmbëngulte Topalli) atëherë nga buronte aftësia e tyre për të bojkotuar Parlamentin? Parlamenti nuk bojkotohet dot nga qytetarët e zakonshëm, por vetëm nga ata që gëzojnë të drejtën e një posti në aulën e tij, ata që janë deputetë. Prandaj edhe Ilir Beqja, me t’u shpallur fitues nga KQZ duhet t’u kishte dhënë fund të gjitha përfitimeve me fonde publike nga ana e biznesit të tij. Fakti që e ka bërë atë vetëm pas betimit, e nxjerr në konflikt interesi për disa muaj. Gjithsesi, tashmë kjo është një çështje që i përket Gjykatës Kushtetuese. Beqja mund të rezultojë edhe pa faj. Por opozita duhet të dëshmonte se, ndryshe nga pushteti, ajo urdhërohet në vendimet e saj edhe nga morali.
Duke larguar deputetin Beqja, ajo do t’i tregonte publikut dallimin thelbësor me një qeveri që këmbëngul me arrogancë despotike dhe mospërfillje ekstreme për moralin, të mbajë në gjirin e vet ministra të akuzuar në mënyrë të dokumentuar për korrupsion dhe konflikte interesi. Vetëm një opozitë e tillë do të jepte shpresë se korrupsioni blu i Sali Berishës që zuri vendin e korrupsionit rozë të Fatos Nanos, nuk do të zëvendësohet nesër nga një tjetër korrupsion. Vetëm kështu opozita do të mund të kontribuojë sado pak në ringjalljen e atij që ka vdekur në Shqipëri bashkë me ligjin dhe drejtësinë, në ringjalljen e moralit. Vetëm kështu opozita do të prishte edhe planet e Berishës për një “detantë korrupsioni” ku të gjithë janë të zhyer dhe askush nuk është i korruptuar, duke i dëshmuar publikut se ajo është më të vërtetë krejt ndryshe.