Socialist, por jo në opozitë ?!

1
36


PREÇ ZOGAJ, 05.10.2010

Në letrën e largimit nga grupi socialist deputeti Vangjel Tavo bëri publike pakënaqësitë dhe vleresimet e tij negative për gjendjen e sotme në Partinë Socialiste. Qëndrimet e tij nuk kishin veshjen emocionale të hatërmbetjeve të rastit, por ishin gjenerike dhe përgjithësuese. Flitej për përsonalizim të vendimarrjes dhe drejtimit në PS, për devijim nga vlerat e krijuara nepër vite në atë parti, për mbytje të demokracisë së brendshme etj.

E gjithë kjo tregon se deputeti e kishte pjekur vendimin për t’u larguar nga grupi i PS-së dhe po priste momentin e duhur për ta shpallur. Momenti, edhe pse mund të jetë provokuar nga ndonjë ngacmim i fundit, erdhi menjeherë pas largimit të deputetit Paulin Stërkaj nga grupi i PD-së, duke e barazuar kësisoj lojën e numrave në Kuvendin e brishtë të Shqipërisë, ku nuk ekziston një shumicë politike e votuar nga zgjedhësit.

Largimi i Tavos bëri “bis” me largimin e Stërkajt jo vetëm si ngjarje, por edhe në jehonën që pati në mjedisin politik. LSI hapi krahët për ta mirëpritur Tavon, ashtu siç kishte bërë PS dy tre ditë me parë me Stërkajn. Prapa nënqeshjeve të holla u duk se kjo gjuhë gjestesh nga kampi qeveritar përcillte këtë mesazh: sa herë të na merrni do t’ju marrim, madje mund t’ju marrim edhe kur nuk na merrni, sepse ne kemi pushtetin dhe pushteti është më i ëmbël se idealet.

Nuk mund ta dimë a ishte largimi i Tavos nga PS një kundër-përgjigje e gatshme ndaj largimit të Sterkajt nga PD. Koinçidencat nuk janë një argument, edhe pse ato intrigojnë dhe madje ushqejnë shpeshherë gjykimin popullor për çështje të caktuara. Sot shumë njerëz mendojnë dhe shprehen hapur se prapa lëvizjeve të deputeteve nga opozita në qeveri dhe anasjelltas, nga qeveria në opozitë qëndron dora e liderëve politikë të formacioneve të mëdha.

Qeveria dhe opozita u ngjajnë dy kampeve relativisht të barabarta, që janë shumë afër me njëra tjetrën. Në këto kushte tundimi i secilës palë për t’i shkëputur një ashkël palës tjetër nuk është thjesht një englendisje vanitoze, por një nevojë që mund të rezultojë jetike nga çasti në çast për synimet politike respektive. Ja pse largimet në Kuvendin e tanishëm, edhe kur bëhen për motive që lidhen me pavarësinë dhe integritetin e deputetit, rrezikojnë të lexohen me lehtësi si pazare me deputetë.

Deputetet janë sovranë në vendimet që marrin, por ata janë e duhet të jenë edhe të përgjegjshëm. Madje para se të jenë sovranë, ata duhet të jenë të përgjegjshëm. Që do të thotë se në përgjithësi në qëndrimin e tyre duhet të prevalojë besnikëria ndaj zgjedhësve, ndaj sigles dhe pozicionit të partisë me të cilën janë votuar. E dimë se nuk është e lehtë në partitë tona të mbyllura ku dëgjohet vetëm zëri i kryetarit. Por duhet provuar. Qoftë edhe për të justifikuar në publik largimin. Ky pra është një qëndrim parimor, që mund të ndryshojë vetëm për arsye madhore apo të veçanta.

Parlamentarizmi shqiptar i dy dekadave të fundit i ka njohur të gjitha llojet e e largimeve: largimet nga qeveria në opozitë dhe nga opozita në qeveri; largimet e shoqëruara me shpjegime që kanë patur vlerën e dokumentave politike dhe largime nën zë për interesa vetjake; largime për shkak të ideve dhe largime për shkak të ryshfeteve. Po të na lejonte madhesia e një shkrimi në gazetë do të mund ta ilustronim edhe me emra këtë histori . Por ndoshta lexuesi i vemendshëm i ka vetë parasysh rastet konkrete.

Ajo që mund të themi me bindje është se publiku nuk i ka vënë kurrë në një një ballancë largimet e ndryshme të deputetëve nga partia e tyre. Ata që kanë lëvizur nga qeveria në opozitë janë parë gjithnjë si më idealistë dhe më burrërorë, sepse në fund të fundit, edhe po të jenë nxituar, ata kanë lenë privilegjet e pushtetit për të përqafuar opozitarizmin, që në Shqipëri ka qenë dhe mbetet i vështirë dhe i mbushur me privacione me karakter politik deri te punësimi i fëmijëve dhe të afërmëve. Megjithë privacionet e ndryshme, të qenët në opozitë ka qenë dhe mbetet një mision i lartë dhe fisnikërues. Shqipëria e re demokratike është thirrur një kauzë të krijojë kulturën e opozitarizmit, sepse kjo i ka munguar ndër shekuj, ndërkohë që pushtetin e ka patur gjithnjë me tepri në kurriz.

Ata që kanë lëvizur nga opozita në qeveri në përgjithësi janë parë me përbuzje, si interesaxhinj të vegjël. Ç’nevoja ka qeveria për ta kur ajo i ka numrat? Në përgjithësi e ardhmja i ka nxjerrë nga skenat deputetët që kanë lëvizur nga opozita drejt qeverisë. Ky është si një ligj që gjen e do të gjejë zbatim gjithnjë. Por forma me e shëmtuar e lëvizjes së deputetëve, apo e devijimit të deputetëve nga vota që u ka dhënë elektorati mbetet ajo e joshjes me poste, e blerjes me premtime dhe ryshfete. Blerjet janë një fyerje e rëndë për pluralizmin. Dhe po të marrin përhapje të gjerë, blerjet janë një atentat i mirëfilltë ndaj vullnetit të zgjedhësve.

Largimet nga një qeveri apo drejt një qeverie që ka kontrolluar rreth shtatëdhjetë përqind të pushtetit nuk kanë patur jehonën që kanë largimet analoge nga një qeveri që është gjithnjë në limitet e numrave të nevojshëm. Prandaj interesi për të kuptuar largimet e kohëve të fundit dhe pritshmëria që ka krijuar kjo dukuri është e lartë. “Merkatoja filloi”, tha parmbrëmë një analist i respektuar në një prej ekraneve televizive. Unë nuk besoj shumë në variantin e merkatos. Më e saktë do të ishte të thoshim se janë hedhur zaret e interesave. Pa mohuar fatin se ka edhe ikje për shkak të ideve të ndryshme. Deri tani kemi tre largime.

Stërkaj, që duke ikur nga PD në opozitë, barazoi si me thënë rastin e tij, pasi kishte ikur nga opozita drejt qeverisë para tre vjetësh. Kemi edhe largimet e dy deputeteve të votuar në listat e PS-së. Të Shpëtim Idrizit që është mbuluar me votë nga socialistët e Vlorës dhe të Vangjel Tavos që është mbuluar me votë nga socialistët e Gjirokastrës. Pa u ndalur gjatë në faktin se ikja kur je votuar me listë partie nuk është njëlloj si ikja kur je votuar si individ i kandiduar nga partia, do të doja të kthehesha sërish te letra e zotit Tavo.

Ai rendit disa difekte të jetës së brëndshme të PS-së për të cilat unë dhe shumë të tjerë si unë, që nuk janë anëtarë të asaj partie nuk mund te japin një gjykim. PS i ka mësuar nepër vite me një demokraci të avancuar anëtarët dhe të zgjedhurit e saj, sa ata të mos pajtohen me asnjë millimeter tkurrjeje apo berishizimi të kësaj demokracie. Mundet pra që gjerat të jenë siç i thotë Tavo. Kjo situatë meriton një analizë më vete në PS. Por Tavon e tradhëton teksti i tij kur nuk thotë një fjalë për misionin historik të opozitës dhe PS-së për trasparencën e zgjedhjeve.

Tavo nuk thotë asnjë fjalë për pozicionin e tij të nesërm. Do të mbetem socialist, thotë , por e le evazive a do të mbetet opozitar siç janë zgjedhësit që e kanë votuar apo jo. Ja përse disa media me plot të drejtë e kishin lexuar deklaratën e tij si një afrim drejt pushtetit nepërmjet LSI-së. A nuk është e mundur që këta të pakënaqur në PS të qëndrojnë në opozitë edhe kur deklarojnë pavarësinë nga lidershipi i PS-së? Po të qëndronin në opozitë më fort se sa kur ishin me lidershipin, qëndrimi i tyre do të vlerësohej dhe do të kishte pasoja pozitive edhe në PS. Po ata duket nuk kanë këtë mendje. “Socialist, por jo në opozitë” – po të jetë kjo motoja e pashpallur por e nënkuptuar, do t’i shumëzonte me zero të gjitha fjalët e tjera.

1 COMMENT

  1. E vetmja gje e drejte, e mire, e guximshme, patriotike, kombetare, dinjitoze, solidare, sovrane qe mund te bejne te gjithe ata, eshte pikerishte kjo gje: te dorezojne te gjithe mandatin.
    Demokracia eshte mirebesim:
    T’i besosh te drejtat e tua, aspiratat e tua, endrrat e tua, problemet e tua, sovranitetin tend, dinjitetin tend nje tjetri.
    Ate pushtet qe te takon ty, t’ja kalosh nje tjetri.
    Ata qe jane ne krye te shtetit duhet te jene te ngjashem me ligjet: Qe jane percjelle ne ekzekutim jo nga inati, por nga drejtesia.
    Per keta njerez kemi nevoje, por mola e indiferentizmit na ka hyre te gjitheve dhe eshte duke na molepsur deri ne ate gjendje, sa qe nje dite do shkoqemi fare.

Comments are closed.