Nga: ALBA MALLTEZI
Më shumë se kurrë, sot në shoqërinë tonë po ushtrohet një shtypje e jashtëzakonshme ndaj gruas. Në heshtje, po ndodh një revolucion social që gruaja po e bën e vetme. Nuk e pat fatin shqiptarja të përjetonte e të përfitonte një ’68 evropiane, ku u prenë njëherë e përgjithmonë ata zinxhirët e padukshëm të dhunës moderne; por sot, edhe pse pa solidaritet, pa pavarësi ekonomike, lufta është e pandalshme.
Familja, bashkëshorti, nuk pranon të humbë privilegjet e dikurshme të një skllavopronari ndaj bashkëshortes. “Më bëj të ha! Më hekuros këmishat! Ku do të dalësh me shoqet?! Më sill ujin! Ma hiq këtë pjatë! Ku i ke vënë pantallonat?! Pse e pe ashtu atë shitësin?! Sa kripë i ke hedhur gjellës! Ku do të shkosh ti moj!”. Këto urdhra, një nëne në familje mund edhe t’i dyfishohen apo trefishohen në rast se ka dhe djem. Kjo gjendje konsiderohet normale sidomos në shumë zona të Shqipërisë së Mesme e të Veriut.
Në jug, sidomos juglindje, familja ka zhvilluar dhe ka investuar më shumë në bashkëpunimin e të gjithë familjarëve në mbarëvajtjen e shtëpisë, duket që revolucioni i heshtur i gruas aty ka nisur shumë më herët. Në këto vite gruaja ka ndryshuar kudo në Shqipëri dhe po lufton për të fituar respektin e duhur dhe të flakë bashkë me vitet që shkojnë, tentativat për ta përdorur si shërbëtore. E megjithatë, jo vetëm që vazhdon të mbajë shtëpinë pa asnjë ndihmë, por është dhe nën shënjestrën e përbuzjen e më të afërmve, nëse rebelohet.
Kjo e shërbimit, është lufta e parë e gruas shqiptare. Më pas vjen ajo e pretendimeve, e dëshirave, e argëtimeve të mohuara. Tradicionalisht burrat, si gjatë regjimit, por edhe sot rrëmbejnë pa pyetur kënd lirinë e tyre me shumicë për të bërë e për t’u argëtuar si duan. Që nga “monopolizimi” i shikimit të programeve të preferuara prej tyre në televizorin e shtëpisë, te orët e gjata te klubi i lagjes, deri dhe te tentativat për të ngacmuar e joshur vajzat e botës, shumë burra duket se mbajnë akoma “carta bianca”.
Detyrimet në familje nuk konsiderohen, nuk konceptohen nga shumë. Me hapjen e Shqipërisë, u hap dhe familja shqiptare. Gruaja mësoi se fëmijët mund t’i lajë, veshë, edukojë dhe me ndihmën e bashkëshortit dhe ky duhet ta ndihmojë. Mësoi, se kur ajo është në punë, mund të gatuajë njeriu që i ka premtuar dashuri të përjetshme; mund të kujdeset për fëmijët sa të kthehet ajo; mund të rrijë në shtëpi me ta, nëse nënës i duhet të shkojë në një mbledhje, udhëtim pune apo thjesht të pijë një kafe me shoqet.
Dhe kjo është më e vogla e problemeve, pasi nevojën më të madhe për ndihmë, çlodhje dhe argëtim e kanë nënat shtëpiake. Ato që gdhijnë e ngrysen brenda katër mureve me pak komunikim njerëzor e shumë urdhra mbi kurriz. Askush nuk ka për t’ia dhënë këtë ndihmë, ndaj, brenda mureve të shtëpisë ajo lufton e vetme, deri në vdekje. Dhe çdo gjë mbyllet me një “…grindje e momentit”, që tregon më shumë se dhjetëra libra të pashkruara akoma për gjendjen e gruas shqiptare.
Po gruaja në linjë të parë? Ajo e politikës, artit, medias, sa respektohet, ose më mirë, sa nuk shtypet? Janë pjesa më e fortë, edhe pse janë në presion publik të vazhdueshëm. Është shumë i dallueshëm toni përbuzës, tallës, ofendues i përdorur ndaj gruas së impenjuar, edhe pse tenton të fshihet me fjalë politikisht korrekte të kolegëve me kollare.
Këta të fundit tregojnë në shprehjet ndaj kolegeve në parti, media, art, kulturën e tyre, edukatën dhe respektin që kanë kultivuar në familje. Nga televizionet e shumta, në shtëpitë e vogla, nga Kuvendi, nga konferencat për shtyp, përbuzja për gruan përcillet dhe gëlltitet me doza të vogla, por të përditshme. Si një pikë uji që gërryen në vite dhe shkëmbin, mesazhet e elitës maskiliste shqiptare, gërryejnë pa vështirësi trurin e paemancipuar të burrit-padron.
Kjo e gruas, për të fituar lirinë individuale, është një luftë e pandalshme; dikush rrezikon të humbë jetën edhe për një pjatë gjellë të vënë më vonë se ora 20:00 para bashkëshortit: “Ku ishe? Çfarë do të ha unë, sytë e tu që të të plasin?! Unë të vras ty e pastaj vras dhe veten!
Është luftë e vështirë, derisa ende në opinionin publik (edhe ai që mendohet më i kualifikuar) gruaja gjykohet, përqeshet, përbuzet. Por janë vetëm grahmat e fundit të maskilistëve të fundit që feminilitetin e ngatërrojnë me nënshtrimin.
(Marrë nga Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)