Nga Kimete Berisha, 2 Gusht 2013
Shqiptarëve të Kosovës nuk u ka hije frika. Nuk u ka hije ta ‘përgjakin’ Vlorën me shkronja, për shkak se atje ka ndodhur një vrasje në dritë të diellit në plazh.
Shqiptarët e Kosovës e heshtën në letër Tivarin e përgjakur përnjëmend, dhe asnjëherë nuk u çuditën as nuk i morën në përgjegjësi autorët e ‘Masakrës së Tivarit’.
I mbijetuari i masakrës, Azem Hajdini- Xani e përmend për faj si bashkëpunëtor të masakrës, Fadil Hoxhën, por ish-TMK-ja e varrosi me nderime dhe asnjë shqiptar nuk shkon të ‘vallëzojë’ mbi gurin e tij të varrit. Hoxhën, fati e përcjell edhe pas vdekjes, se nuk del njeri që t’ia përmend fajin për ‘Masakrën e Tivarit’.
Shqiptarët e Kosovës nuk çuditen që për mbi 10 mijë viktima të luftës, u ‘dënuan’ 3 serb, ndërsa shteti serb shpëtoi nga ‘faji’ për krimet që i ka bërë, por çuditen se si është e mundur, si ndodh që një djalë t’i vrasë dy djem që i janë vardisur motrës së tij në Vlorë.
Shqiptarët e Kosovës jetojnë në mesin e kriminelëve. Vrasësit e intelektualëve e gazetarëve nuk u zbuluan kurrë, jetojnë të lirë dhe punojnë të qetë edhe në institucione.
Trafikantët e vajzave të vogla i zbulon State Departamenti Amerikan që janë zyrtarë të lartë të qeverisë, dhe shqiptarët nuk dalin nga shtëpia për t’i nxjerr jashtë nga institucionet këta kurvarë kriminelë. Dihen kush janë ata. E di State Departamenti Amerikan, kush udhëheq prostitucionin, udhëheq edhe një copë Kosove.
Shqiptarët e Kosovës nuk e shajnë Amerikën, kur ndodh që një i çmendur vret gjysmën e nxënësve të një shkolle. Se Amerikën e duan prandaj nuk e mallkojnë, e Shqipërinë janë ‘edukuar’ që ta urrejnë. Se, dashuria nuk të lë të gabosh. Ku ka dashuri-nuk ka gabime.
S’ka nivel më të ulët sesa kur i ‘shpall’ krimogjen e vrasës një komb për shkak të një apo disa raste vrasjesh. Ndoshta është varfëria e shpirtit që i bën lamentuesit e Kosovës të duken patetik, ndoshta është mision i tyre antikombëtar që ta bëjnë të duket Shqipëria një vend që të vrasin për një puthje në Facebook.
Para një muaji, vetë e katërta, kam qenë në Shqipëri, pa asnjë burrë për të na ‘mbrojtur’. Secila nga bashkëudhëtaret e mia ka qenë më e bukur se tjetra dhe asnjëra nuk e ka pasur as një gram të tepërt në trup. Njeri i gjallë nuk na ka ngacmuar, as nuk ka shikuar kush shtrembër, as s’ka provuar kush të na frikësojë. A duhet t’i besoj përvojës sime apo ta marr për shembull një vrasje që ka ndodhur në Vlorë, për të mos marrë kurrë më atë rrugë…!
Rrugëve të Prishtinës, në sheshin Nëna Terezë gjithë ditën shëtisin burra e gra të çmendura, njëri del cullak, një tjetër ndjek kalimtarët për t’i qëlluar me bastune, njëra i ndjek vajzat bjonde derisa i zë për t’ua shkulur flokët. Ndodh që kidnapohen vajza të reja në rrugë për t’i trafikuar. Ndodhi që burri e vrau gruan e tij midis qytetit.
Dhe, shqiptarët e Kosovës nuk frikësohen me çmendurinë vendore, por frikësohen nga çmenduria e ‘huaj’, çmenduria shqiptare.
Shqiptarëve të Kosovës nuk u ka hije frika.