Besnik Mustafaj, 19.11.2009
Para pak kohësh ishte për vizitë zyrtare në vendin tonë Presidenti i Republikës Çeke, zoti Vaclav Klaus. Ndër veprimtaritë publike që u zhvilluan për nder të tij, ishte edhe promovimi i librit të tij “Planeti blu në vargonj të gjelbër”, përkthyer dhe botuar në shqip nga Instituti Shqiptar për Marrëdhënie Ndërkombëtare.
Përmbledhtazi mund të thuhet se libri është një polemikë e mprehtë me ambientalistët e sotëm. Siç e pohon edhe vetë, Vaclav Klaus e zhvillon kritikën e tij nga pozitat e një liberali klasik, në kuptimin që ka ky term në fjalorin e shkencave politike. Qëllimi im në këtë rast nuk është as për të mbështetur pikëpamjet e Presidentit Klaus dhe as për t’i kundërshtuar ato. Madje, unë nuk e kam fare për qëllim të jap ndonjë gjykim lidhur me tezat që hidhen aty. Do të doja vetëm të paraqisja dy-tri konsiderata anësore, si shkas për të tërhequr vëmendjen tek një aspekt me rëndësi, sipas meje, në realitetin e elitave politike shqiptare.
Vaclav Klaus është në vijën e parë të skenës politike çeke qysh në ditët e para të revolucionit të kadifenjtë, pra, qysh në fillimin e ngjarjeve, që sollën rrëzimin e diktaturës komuniste dhe vendosjen e pluralizmit në vendin e tij. Me sa di unë, ai është ekonomist dhe ka meritat e veta në reformat e thella, që transformuan ekonominë e modelit leninist të vendit të vet në një ekonomi konkurruese të tregut të lirë. Por edhe ky kontribut, sado i çmuar, përbën një angazhim të mirëfilltë nga ana e tij ndaj kombit të vet dhe unë nuk kam ndërmend ta shtjelloj më gjatë. Fjalën e kam tjetër kund.
Vetëm fare pak kohë pasi kishte zënë vend në skenën politike të Pragës, Vaclav Klaus kapërcen përtej qerthullit të problematikës së tranzicionit postkomunist çekosllovak dhe përfshihet në një nga debatet më të reja, që po rrokte planetin mbarë e që ishte dhe është debati mbi kërcënimet për të ardhmen e botës sonë, që përmban zhvillimi i ekonomisë me ritmet, me të cilat po ecën dhe me mjetet teknologjike, mbi të cilat po mbështetet. Sa për një piketë orientuese në kohë, po kujtojmë se ballafaqimin e parë me përfaqësuesin më të shquar të ambientalistëve të kësaj gjinie, Al Gore, në një nga televizionet më prestigjioze amerikane, Vaclav Klaus e ka pasur në vitin 1992. Botimi “Planeti blu në vargonj të gjelbër” afro njëzet vjet më vonë, është një sintezë e kësaj polemike të gjatë e që me sa duket do të vazhdojë, po të mbajmë parasysh që problemi në fjalë nuk ka gjasa të dalë nga vëmendja e politikanëve dhe e opinionit publik.
Të dhënat e mësipërme nuk hedhin dritë mbi cilësinë e analizave të autorit Klaus, ama zbulojmë një personalitet, i cili, edhe pse pjesë e një ekipi që do të udhëhiqte një vend me njëmijë e një probleme krejt specifike, kishte sakaq vetëdijen e lartë se bashkë me lirinë politike, kishte fituar jo vetëm të drejtën, por edhe detyrimin të mendonte edhe për problematikën që shqetësonte botën e madhe, botën e lirë, ku do të integrohej tashmë vendi i tij. Dhe jo vetëm kaq. Ai shfaqej qysh në fillim si një politikan pa asnjë kompleks inferioriteti për shkak të prapambetjes, ku e kishte lënë Historia vendin e tij.
Dhe më tej: ai kishte bindjen e qartë se, përderisa problemet e kësaj bote, ku po përfshihej edhe vendi i tij ishin të përbashkëta, edhe zgjidhja e tyre mund të ishte vetëm në sajë të kontributit të përbashkët, qoftë në fushën e rrahjes së ideve e qoftë në praktikë. Pra, zgjidhjet e këtyre problemeve nuk mund të ishin monopol i elitave politike të vendeve të mëdha e të pasura. Rrjedhimisht, politikani çek Klaus do të përfshihej në polemika publike deri edhe me zëvendëspresidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Al Gore dhe do t’i vazhdonte polemikat me të edhe pasi Al Gore do të ishte fitues i çmimit “Nobel”.
Dhe së fundi, Vaclav Klaus ka mundur të ketë zërin e vet në këtë polemikë globale kaq gjatë sepse në shkrimet dhe ligjëratat e tij ka treguar se zotëron njohje të thella të temës për të cilën flet, ka një mendim të vetin dhe koherent gjatë shtrirjes në kohë dhe ndjek me vëmendje e në dinamikë kërkimet dhe shtjellimet e reja të kundërshtarëve të tij.
Pa mëdyshje do të thosha se ky angazhim në një problematikë të tillë globale nuk ka pasur e as nuk ka ndonjë ndikim të drejtpërdrejtë në punët e përditshme të Vaclav Klaus për drejtimin e partisë së vet dhe as për zhvillimin e fushatave elektorale çeke, të cilat ai herë i ka humbur e herë i ka fituar. Me pak fjalë, ky investim shumë i madh politiko-intelektual nuk e ka ndihmuar haptas as të vijë në pushtet, as ta mbajë pushtetin. Por ky investim e ka rritur staturën e tij si politikan çek në sytë e opinionit publik ndërkombëtar. Qoftë ata që janë pajtuar me pikëpamjet e tij, qoftë ata që e kanë kundërshtuar, kanë mbajtur gjithsesi mend se po i referoheshin një zëri çek.
Dhe do kujtuar se Vaclav Klaus, me kontributin e tij në debatin mbi efektet e ngrohjes së klimës në të ardhmen e planetit tonë, nuk është politikani i vetëm çek që e ka kapërcyer provincializmin që ka sunduar shumicën e politikanëve të tranzicionit postkomunist në ish-bllokun e Lindjes. Një shembull shumë i ndritshëm për kontribute në fusha krejt të tjera në zhvillimet botërore të kësaj periudhe është edhe Vaclav Havel. Ja, pra, një nga shpjegimet e përfillshme për njohjen e gjerë dhe simpatinë që gëzojnë sot çekët krahasuar me shumë nga popujt e tjerë, që vijnë nga e njëjta Histori.
Një përfundim i tillë buron natyrshëm, pasi elitat politike drejtuese janë një shenjë thelbësore identifikuese për cilësinë e kulturës politike dhe të mentalitetit që sjell secili komb në thesarin e përpjekjeve të përbashkëta të kombeve të lira për të ndërtuar për njerëzimin një të sotme e një të ardhme më të paqtë e më të begatë. Për t’u kthyer konkretisht te realiteti ynë, do pranuar me keqardhje të thellë se ne shqiptarët nuk kemi ende asnjë shembull të tillë, me të cilin do të mund të identifikoheshin sado pak, që nuk do të thotë doemos se do të duhej të krenoheshin në çdo rast, kur të binte fjala për debatet lidhur me problematikat globale, ani pse po mbushen nëntëmbëdhjetë vjet nga rrëzimi i diktaturës.
Asnjëri nga politikanët tanë nuk është shfaqur si zë individualisht në ndonjërin nga debatet e mëdha, ku shohim të përfshihen politikanët e niveleve të larta të vendeve të tjera të mëdha e të vogla. Edhe një tentativë që bëri Fatos Nano, kur shkroi një artikull në një nga gazetat amerikane lidhur me ndërhyrjen ushtarake në Irak, nuk arriti të ngjallte respekt as tek ata që ishin për ndërhyrjen e as te kundërshtarët, për faktin e thjeshtë se shtjellimi ishte i paraqitur jashtë standardeve që kërkojnë paraqitje të tilla. Thënë shqeto: teksti ishte shkruar me një gjuhë të tepruar servilizmi ndaj Presidentit Bush. Si rrjedhim, edhe nëse fjala e Kryeministrit shqiptar tërhoqi vëmendje, prodhoi kryesisht vetëm përçmim.
Ky rast fatkeq i Nanos tregon të paktën se temat dhe tribunat ku udhëheqësit tanë mund ta thoshin e mund ta thonë fjalën e vet me modesti, por pa ndrojtje, nuk kanë munguar e as nuk mungojnë. Po ashtu, është krejt e vërtetë se një pjesë e mirë e elitës tonë politike njeh mjaftueshëm edhe gjuhë të huaja, çka nënkupton se mjafton të ketë dëshirë dhe mund t’i ndjekë në dinamikë zhvillimet botërore. Atyre, pra, nuk u mungojnë as konteksti dhe as mjetet për ta rreshtuar veten midis kolegëve të tyre nga vendet e tjera, duke i shtuar kështu njëherësh seriozitet e dinjitet edhe kombit, që kanë marrë përsipër ta drejtojnë. Pse nuk e bëjnë, atëherë, kur i paskan edhe kontekstin, edhe mjetet?
Përgjigjja për një pyetje të tillë do të ishte gjithsesi komplekse dhe nxjerr në pah disa dobësi të rënda të elitës sonë drejtuese. Më kryesorja, e cila gjithsesi duhet përmendur, është mungesa e një vizioni prej politikanësh modernë. Le të marrim si shembull vetëm një aspiratë, e ku besoj se të gjithë, pavarësisht ngjyrave partiake, bashkohen me sinqeritet: integrimi evropian. Asnjëri nga politikanët tanë të lartë nuk merr guximin dhe as mundimin të shprehet në një gazetë të madhe evropiane lidhur me debatin që ekziston realisht mbi zgjerimin e Bashkimit Evropian. I shohim udhëheqësit tanë vetëm të mbajnë shënime dhe të japin shpjegime. Përfshirja e tyre në këtë debat mbarevropian do të ishte shenjë e pjekurisë së tyre, por do të ishte edhe shenjë e çlirimit të tyre nga çdo ndjenjë inferioriteti, qoftë ky inferioritet i të voglit, qoftë i prapambeturit, qoftë edhe i nevojtarit.
Mbytja në pellgun e problematikës shqipo-shqiptare mund të ngjajë si përkushtim për zgjidhjen e “detyrave të shtëpisë”, por në të vërtetë nxjerr në pah një aspekt thelbësor të provincializmit të elitës tonë politike, gjë që pa dyshim është me ndikim shumë të dëmshëm për përparimin e kulturës politike dhe të mentalitetit të krejt shoqërisë.