Vetëm 8 vjeç tërheq vëmëndjen e dhjetëra shkrimtarëve dhe studiuesve për talentin, gjetjet dhe tematikat e shkrimeve
SHKODER – Nilidon Pepushaj ka lindur më 09.11.2001. Nxënës i shkëlqyer, ka mbaruar klasën e pestë në shkollën 9-vjeçare jo publike “Zëmra e Krishtit” në Shkodër. Meson anglisht dhe italisht. Ka filluar ti shkruaj skicat dhe tregimet që tashti në gjuhën angleze.
Që në moshën 8-vjeçare ka botuar shumë skica, poezi dhe tregime që janë vlerësuar nga gazeta e revista prestigjioze. Në gazeten “Tribuna” që botohet në Athinë (Greqi), ka botuar që 8 vjeç. Redaksia, që në fillim i ka shoqëruar botimet e tij me komente speciale dhe ka shperndarë heren e parë të botimit 10.000 kopje gazete falas, për nder të një talenti të veçantë, siç e ka cilësuar.
Me dhjetëra janë botimet në “Gazeta C”, gazetë online mbarëshqiptare, enciklopedike – informative që emetohet në internet, duke pasur si qendër Hustonin e SHBA, por ka edhe qendrat e saj në Athinë, Romë, Stokholm, Tiranë, Prishtinë, Shkup.
Eshtë kjo gazetë që Nilidonit i boton çdo tregim, çdo skicë, çdo poezi, saqë vetë drejtori i kësaj gazete, gazetari e poeti i njohur Partizan Cene, jo radhë botimet e këtij fëmije ua ka bërë surprizë prindërve të tij, duke bashkëpunuar personalisht me Nilidonin.
Krijimet e tij shumë mediume prestigjioze ia kanë botuar edhe të pa korrektuara, me gabimet normale ortografike të një fëmije, për të ruajtur e përcjellë origjinalitetin e artit, duke ia shoqëruar me komente redaksional.
Më 9 nëntor 2011, pikërisht ditën që ka mbushur 10 vjeç, nga shtypshkronja e shtëpisë botuese” At Gjergj Fishta” ka dale në shitje libri I pare I tij me titull “Zoti i Zi në Shtëpinë e Bardhë”, Nga parathënia e librit të pare, shkruar nga poetja e shkrimtarja e njohur Fatime Kulli shëputim: “Nilidon Pepushaj ishte vetëm 8 vjeç kur tërhoqi vëmëndjen e dhjetëra shkrimtarëve dhe studiuesve për talentin, për gjetjet dhe tematikat e shkrimeve. Por sot, Nilidoni bën një tjetër surprizë për lexuesin këtej e përtej Atlantikut. Fantazia krijuese e Nilidon Pepushaj shkon larg…, shumë larg…, në botën e qytetëruar demokratike…, në Amerikë. Pikërisht, Ai vjen me librin “bombë” në treg (shqip-anglisht),“Zoti i Zi në Shtëpinë e Bardhë”.
Gjeniu i vogël me ide të mëdha, shkrimtari krejt i veçantë për moshën, ku akoma nuk i ka mbushur 10 vjeç, thotë çfarë nuk mund të shprehim ne shkrimtarët e rritur, madje me një stilistikë që do e dëshironin edhe kolosët ë letrave. Ndoshta është e paimagjinueshme, që një fëmijë kaq i vogël, të shkruaj një libër kaq “provokues…”, me ide e vizione të mëdha për jetën shoqërore, sociale dhe atë politike.
Autori përshkruan mjeshtërisht qëllim-dëshirën e Pingupegës për të hyrë në politikë, (siç ndodh rëndom edhe në jetën tonë social-politike, ku politikanët dalin nga fijet e barit, mbetur nëpër baltën e zhuritur për të qenë “diell): “Pingupega vendosi të kandidonte për President të Amerikës. Pingupega është 9 vjeç, sa autori i këtij libri. Me moshën e njerëzorëve them. Prandaj mos ua merrni për keq as autorit, as Pingupegës që është një Pinguin, i cili kishte në fillim krahët e Pegasusit, por që i humbi”. Pas “humbjes”, Pingupega (hero i librit) paraqet ide të reja para popullit paqësor e besimtar, ndaj gënjeshtrave të politikanëve që duan t’i drejtojnë ata: “Pingupega lufton që t’i sigurojë Botës një jetë më të mirë. Patjetër, që i vetëm ai nuk mund ta bëjë gjithë punën, sepse për ndryshimin e Botës duhen shumë dhe shumë njerëz të tjerë.
Pingupega mendon të ndihmojë të varfrit, ata që nuk kanë punë dhe shtëpi. Ai mendon t’u japë më shumë dollarë atyre që janë të varfër. Për këtë ai po punon pa pushim ditë dhe natë. Asnjë në këtë Botë nuk do të vuaj më nga varfëria. Çdo njeri do të ketë aq shumë para sa të mos ua zërë as kasaforta”. “Zoti i Zi në Shtëpinë e Bardhë” është një libër shumë interesant, jo vetëm nga gjetja e fabulës, por nga ndërtimi i strukturës letrare, nga ironia e hollë e elegante e dialogëve të personazheve, por më së shumti, nga idetë e shkrimtarit më të ri, 9 vjeçar, që është i vetëdijshëm për ato që mendon në pavetëdijen e tij, (pasi është shumë i vogël) për të bërë një libër që do çudisë jo vetëm bashkëmoshatarët e tij (që nuk e kuptojnë), por edhe të rriturit.
Ai ka ditur për të ecur letrarisht (si një shkrimtar i madh) me fillimin e ngjarjes, duke i ndarë ato në pjesë të caktuara kohore të veprim-mendim-qëllimit. “Aventurat e Pingupegës” dhe “Zoti i Zi në Shtëpinë e Bardhë” janë në një linjë të shtruar me dëshira të çuditshme, por jo të parealizuara për personazhin kryesor të librit, Pingupega. Autori i ka përshkruar aventurat e heroit të librit si aventurat e një pende të hollë, e një shkrimtari që ke dëshirë ta lexosh me një frymë, dhe kështu u zgjodh “President i Amerikës”. Për të mos prishur kërshërinë e lexuesit, nuk po zbuloj detaje të hollësishme, por nuk e teproj të them, se: autori 9 vjeçar Nilidon Pepushaj, i këtij libri, është një gjeni i vogël me ide të mëdha. Është një shkrimtar që do ta dëshironte çdo komb, ta mbante si idhull në gjirin e vet”!
Por mrekullia e madhe ndodhi kur Nilidoni shpërtheu me romanin “ 15 minuta lojë me kohën”, një roman vërtet jo vetëm i arritë artistikisht, por edhe krejt i veçantë në fabulen dhe fantazinë, një roman ku shrimtari e botuesi Dashamir Cacaj në recensen e tij shprehet “ Mua dhe ndokujt tjetër, në hapin me kolor të ndrrimit të mijëvjeçarëve, na ka shkuar nëpermënd litari i ankthit e i shpresës, për mrekulli të vogla e të mëdha të mileniumit në lindje e siper. Dhe nëse kemi besuar se po, në pak vite jemi bindur se shekulli i 21- të ka filluar mbarë. Njëra nga këto mrekulli, e dhëntë Zoti aspak të vogla, gjakoj të jetë zbulimi i një lëvruesi letrash të fisme.
Ngjitem tek ky pod për të dhënë këtë kumt, pasi kam lexuar një kapule me vjersha dhe proza të shkurtëra të perafërta me paradigmat, të adoleshentit me të ardhme. Midis vandakut të krijimeve përfshij dhe librin “Zoti i Zi në Shtëpinë e Bardhë”, deomos dhe romanin e kalibruar me finesë nën titullin mbresëlënës e rrezatues “15 minuta lojë me kohën”. Autori i gjithë kësaj ploje letrare është një njëmbëdhjetë vjeçar, që edukohet dhe arsimohet në institucionin akademik “Zëmra e Krishtit”, e që quhet Nilidon Pepushaj.
Mbresa shumëpelenshe e krijuar nga leximi me laps në dorë që mbart tension e vëmëndje, po të gërvishtet pak, guxon të thotë për Nilidonin: Ky djalosh ka lexuar një mal me libra dhe është konsultuar me poaq autorë, të gjallë e të vdekshëm. Një miku im i letrave, Frederik Reshpja, këshillonte nistorët e letrave që të hidhnin në leter frazën a vargun e parë, vetëm pasi të kishin lexuar e përtypur si kali tagjinë, jo më pak se njëmijë tekste.
Unë kam bindje se Nilidon Pepushaj e ka kapërcyer këtë stekë, në mos qoftë ngjitur më lart saj. Lundrimi në prrejtë e veprave letrare e vozitja në impiantet mediatike virtuale, të cilat edhe tek ne vërshuan me shkulme jo të vogla, e bën të pranueshme e të besueshme krijimtarinë që ka krijuar ndërkohë shtrat si të Prokustit, të Nilidon Pepushajt. I gjithë ky mision sa i ndërkryer po aq ekuilibrues, krijon vaun fisnik në të mirë të autorit dhe lëndës letrare që sit e kalibron Ajkune a Penelope.
Libri më i ri i Nilidon Pepushajt, është një prozë e zhdërvjelltë të cilën ke dëshirë të mos ja prekësh fundin. I plotëson asetet e konstruktit të romanit klasik e modern. Në armaturat e veprës letrare ka musht, palcë e klorofilë. Në kry të herës aktorë dhe vektorë të ngjizjes narrative, janë tre shokë. Jo në moshën e Patris Holman e dy shokëve të saj në romanin “Tre shokët” të Remarkut. Por vetëm njëmbëdhjetë vjeçarë, nxënës të një shkolle me taban e tavan.
Ata të tre, e nisin aksionin si në një dalje të lirë në një ditë të bukur, me shumë dritë e pak diell. Dalin për shëtitje në njërën nga rrugët e zhurmëshme e me trafik të rënduar të metropolit permanent të Shqipërisë Londineze, Tiranë. Adoleshentët me emra të kuptimshëm e aspak të zvetnuar në Godinën e herojve të letërsisë së kultivuar, kryejnë një veprim që të çon ndërmënd aktin e martirizimit. E ndalin kohën. Akrepët e orëve të tyre ndryshken atëbotë, kinse e gjithë gamilja e skorieve të globit pati rënë papritmas përmbi ta.
E ndalin kohën, më saktë e stopojnë vetëm sa për një vrap atkine, sall një çerek ore. Por, kjo grimëherë ju mjafton për tu harruar në aq dekada, sa iu afrohen qindit. Personazhit real që identifikohet me autorin e narrativës rrënqethëse e pozante njëherësh, i duhet ky pesëmbëdhjetëminutësh, për një frymëmarrje të lirë, për një hutim a shfrim, për një pritje e një soditje, për një makth që nuk ka gjasa të mbruhet si i këtillë në magjen e persiatjeve. Ndërsa dy vajzave, u mjafton kjo kohë e ndaluar, në dukë, rreptësisht xhuxhe, u nevojitet për tu bërë gra.
Dhe jo vetëm. U del boll për tu hallakatur, për paranojë, për humbje e gjetje të vetvetes, për ngritje në pikiatë e për zbritje në zgafellë, për orgji e për krushqi, për prikë e për skamje. Autori në moshën vetëm njëmbëdhjetë vjeç bie në ujdi me fansat e vet (nënkupto: lexuesit) për ta njëmendësuar vetëdijen, për ta sprucuar e observuar një prozë vërtet intriguese e mbresëlënëse, ding e për majë me maksima thua se i ke mbledhur nga titanët e kohëve moderne të botës ndërkombëtare të letrave të kultivuara, pas skadimit të kohërave të pergamenës.
Tre shokët janë të vetëdijshëm se duhet të takohen, sepse dhe koha e ka një trill të vetin. Koha ndalet jo in finito, siç mund të rreket ta ndalojë një sharlatan i shekujve me terrinë meskine e habitat të skajshëm. Takimi ndërvedi ju duhet për të shprralluar jetën virtuale të përjetuar në botë të tjera, heraherës aspak të ngjashme me jetën mbi globin tokësor, jetë që e shprrallin me dhëmbë e me shkelma. Koha ka tagrin e ristartimit të vet e kjo leje që nusëron lëvizjen, ju krijon guximin personazheve ta sheshojnë vakumin e ekzistencës së tyre në dy botët me pole të ndryshëm, asaj reale dhe asaj virtuale.
Si frymë e si shpirtra, tre shokët me moshë siç e cekëm jo të Patris Holman e versënikëve të saj, pohojnë se çdo ndodhi, me pak mërtekë si konstrukt apo e sofistikuar sa Pallati Mbretëror i vëndit tim, e shfaq dikur, edhe pas pesëmbëdhjetë minutash të rrasta, një dritë jeshile me gjelbërim pikant si të kopshteve ku rehatia përkundet si në shilarëset e Mesopotamisë a brigjeve të Senës së sotshme. Një grimëkohë, është e mjaftueshme për të tre, për të veshur setrat e rrugëtimit për larg. Nilidon Pepushaj me gjasë ka ndermënd ta pickojë jo pak herë lëkurën e kohës në fërgëllimin e mijëvjeçarit të ri, kohë që nuk i bishton surprizave të njelmëta e të frikshme deri në asht.
Në pritje të prurjeve të reja, mokrat e bluarjes janë në vaktin e këngëzimit të tyre. Një prozë si kjo e “15 minutave lojë me kohën” sitet nën astarët e memories njerëzore. Është një mënu në kulinarinë e narrativës moderne të përshkuar në jo pak filtrime të dobishme, e cila nuk përton për të marrë formën e orkides, për të thënë se jam këtu në trajtën e aromës së veshur me këmishë drite, për të gjithë atë tubë lëxuesish që do ta ndjekin në çdo vllajë krijimtarinë edhe deri sot të bereqetshme, të Nilidon Pepushajt”.
Ditët e pushimeve verore i shfrytëzon në maksimum. Lexon libra, luan me moshatarët e vet dhe shkruan. Në mes të qershorit ka filluar një roman tjetër ku thotë se në fillim të shtatorit i jep “latimin” e fundit dhe është gati për ta çuar tek një shtëpi butuese. Romani që ka në dorë ky adoleshent, ky talent vërtet i përmasave unike është një vepër që i tejkalon gjithë magjitë e një mëndjeje të deritashme, besoj jo vetëm për moshën. Ka të pabotuara shumë tregime e poezi, ka dëshirë pikturën, muzikën, futbollin. Në artin e pikturës dallohet në shkollë, në muzikë si solist ka shkuar deri në fazën e dytë të festivalit “Bilbilat e vegjël këndojnë”, ndërsa në futboll është më akademinë sportive “Vllaznia”.
Ky fëmijë them me bindje se është një fenomen që shumë shpejt kombi shqiptar do e ketë si relike nderi.
HermesNews – 2013