Dështimi i derisotëm i Ina Ramës

0
43

Nga: EDUARD ZALOSHNJA

A jeni kureshtarë të dini se ç’do të kishte ndodhur në qoftese ne Kushtetuten tone do te ekzistonte nje nen qe te percaktonte se kryeprokurorja shkarkohet në çastin që qytetarit Eduard Zaloshnja i mbushet mendja se ajo nuk po e kryen mirë detyrën? Përgjigjja e shkurtër është: “Ina Rama do të ishte shkarkuar me kohë”. Përgjigjja e gjatë vijon më poshtë.

Kur Rama u emërua në postin që mban sot, gjëja e parë që më shkoi në mendje ishte se, e armatosur me një mandat të fortë kushtetues dhe e përkrahur fort nga partnerët tanë ndërkombëtarë, ajo kishte mundësinë të fillonte një pastrim të tillë të administratës shtetërore që, për nga përmasat, mund të kishte qenë i ngjashëm me revolucionin e “Duarve të Pastra” të prokurorit italian Antonio Di Pietro; mjaft që ajo të fillonte me verifikimin e akuzave publike të bëra nga Fatos Nano dhe Sali Berisha në vitet 2001-‘07, dhe në rrjetën e prokurorisë do të kishin rënë ndoshta po aq peshq të mëdhenj e të vegjël sa kapi prokurori Di Pietro në fillim të viteve ’90, në çështjen “Tangentopoli”.

Po Rama nuk ndoqi shembullin e kolegut italian. Ajo thjesht u struk në zyrën e saj, ku u mor kryesisht me njerëz të pambrojtur nga politika. Asnjë nga zyrtarët e lartë që akuzoi Nano në periudhën katarsiste, apo Berisha në periudhën opozitare, nuk u procedua. Asnjë prej padive të shumta për shpifje nuk përfundoi në dyert e gjykatës. Dhe shumë pak zyrtarë të akuzuar nga mediat për shpërdorime panë dyert e prokurorisë.

Rama u bë e gjallë për të çuar në gjykatë në përputhje me procedurën penale vetëm një ministër, pasi u pandeh se prej veprimeve dhe mosveprimeve të tij humbën jetën 26 veta në Gërdec. Dhe kjo ndoshta erdhi vetëm si rezultat i trysnisë së madhe të SHBA-së për këtë rast, në të cilin ishte implikuar edhe një kompani amerikane. Po kur gjykata e rrëzoi padinë për shkak të imunitetit parlamentar të ministrit, Rama nuk rikërkoi heqjen e imunitetit të tij. Dhe ai vazhdon të jetë ende edhe sot ministër…

Rama dërgoi dosje në gjykatë edhe për një ministër tjetër, që, sipas prokurorisë, kishte shpërdoruar qindra miliona euro në ndërtimin e rrugës Rrëshen-Kalimash. Por, dosja u rrëzua nga gjykata për gabime procedurale të prokurorisë dhe nuk u ridërgua më. Me pak fjalë, mund të thuhet se në çdo udhëkryq të rëndësishëm Rama ka marrë kthesën e gabuar deri më sot; ajo thjesht ka ndjekur shembullin e paraardhësve të vet, të cilët janë jo pak përgjegjës për kënetën e korrupsionit që ka mbytur sot Shqipërinë. Pra, deri tani, ajo nuk ka zgjedhur rrugën që do t’ia skaliste emrin në ndërtesën e shtetit si njeriu që vuri një kolonë të fuqishme ligjshmërie në të, po rrugën që mund ta çojë në fondin gri të kujtesës popullore.

Kuptohet që argumentet e mësipërme do ta kishin përligjur shkarkimin e Ramës, në qoftë se Kushtetuta jonë do të kishte nenin që përmenda në fillim. Por dihet që ai nen mund të ekzistojë vetëm në ëndrra. Ndërsa në realitet, i vetmi nen që ekziston në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë për shkarkimin e Prokurorit të Përgjithshëm, thotë se ai “mund të shkarkohet nga Presidenti i Republikës, me propozim të Kuvendit, për shkelje të Kushtetutës ose për shkelje të rënda të ligjit gjatë ushtrimit të funksioneve të tij, për paaftësi mendore a fizike, për akte e sjellje që diskreditojnë rëndë pozitën dhe figurën e Prokurorit”. Po “shkelje të rënda të Kushtetutës ose ligjit”, ndonjë “paaftësi mendore e fizike” apo ndonjë “sjellje që dëmton rëndë pozitën dhe figurën e Prokurorit”, konstatohen nga Kuvendi vetëm në rastet kur jep urdhër Kryekomandanti. Pse? Sepse kështu bëhen punët në këtë republikën tonë…

Meqenëse kam pak forca (për të mos thënë fare) për të ndryshuar mënyrën sesi bëhen punët në këtë republikën tonë, pyetja aktuale rreth çështjes së kryeprokurores për mua (e besoj për shumë shqiptarë të tjerë) është nëse ajo do të arrijë më së fundi të dërgojë në qeli ndonjë nga peshqit e mëdhenj që po akuzojnë njëri-tjetrin për pasurime përrallore të paligjshme. Pra, pyetja është nëse do ta kemi fatin ne, shqiptarët, që të na çelë një trëndafil nga ferrat tona të kokolepsura. Ose thënë ndryshe, a do të bëhet kryeprokurorja aktuale një Di Pietro shqiptare?

Di Pietroja italian, duke e filluar gjuetinë nga funksionari socialist Mario Kieza e duke e përfunduar te Kraksi e Andreoti, çoi drejt varrit një sistem politik të krimbur nga korrupsioni. Ndërsa kryeprokurorja shqiptare mund ta fillojë në Shkallnuer e ta mbarojë në Kalimash, për t’i dhënë kështu një mësim të mirë si politikanëve të së sotmes, edhe atyre të së nesërmes. Po frika ime është se ajo do të mbetet thjesht një pasuese e denjë e paraardhësve të saj. Dhe në atë rast, ne do të vazhdojmë edhe për ca vjet të tjerë të notojmë nëpër ujërat e turbullta të kënetës së korrupsionit…