Motivet e ulëta shqiptare

0
35

Nga Blerina Rogova Gaxha, 01.08.2013

Për “motive të ulëta” në Vlorë shqiptarët i vrasin tre persona, të gjithë të pafajshëm. Pa u fashitur lajmi i zi i atjeshëm jehon një tjetër lajm po kaq futë, në një tjetër qendër shqiptare, në Tetovë, ku po për motive që ata i quajnë të ulëta, një baba vret bijën 27 vjeçe…

Pak ditë më parë është skandalizuar opinioni publik me lajmin se një tjetër babëzi, e ka hedhur nga kati i katërt o i pestë, ç‘rëndësi ka kjo, djalin e tij 13-vjeçar. Vetëm lajmet e një jave, ta shpifin javën, ta nxijnë mendjen dhe je gati të ulërish pse krejt qëllimisht ose me pahir, je pjesë e këtij komuniteti, e kësaj kulture, e këtij shteti.

Ka fishkëllyer si thashethemi i rrugaçëve të “Facebook”-ut, një lajm se si një serbe qenka konvertuar në myslimane, dhe qenka bërë hataja. “O burra dhe gra fisnike, nuk ka më krizë për islamin, sepse ja, u konvertua një serbe”. Edhe kjo është pjesë e kulturës së komunikimit, e kulturës së besimit, e kulturës së funksionimit, që nuk ndryshon shumë nga baballarët që vrasin bijtë e tyre.

Të gjitha larg e larg bëhen për motive “të ulëta” që nuk janë as njerëzore, as të besimit, as të zotit, edhe më pak të kulturës së një komuniteti. U tha se pak ditë më parë në Siri, ishte vrarë një i ri nga Peja, vetëm se nuk e dimë në ishte vrarë në emër të All’llahut, të Lirisë, apo të kulturës së tij.

Nuk ka asnjë dyshim se ngjarjet e disa muajve të fundit, janë “paranormale”. Janë më shumë se asnjëherë më parë dhe kurba e abnormalitetit në komunitetin shqiptar gjithandej ku jeton ai, është shqetësuese. Ndoshta ka plot njerëz që mund të thuan, kjo është pjesë e mënyrës se si jetojnë ata, është pjesë e kulturës, është pjesë e gjenit shqiptar, që për njëmijë arsye e ka të vështirë të mos vrasë më për “motive të ulëta”!

Apo ndoshta ky është çmimi i “traumës shqiptare” që ka zgjatur 50 vjet në komunizëm, pesëqind vjet nën robëri, njëqind të tjera nën pushtim…ose 20 vjet të fundit në “demokracinë shpërfytyruese”.

Jemi befasuar këndshëm pas rezultatit të zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri, ku kryeministri akoma aktual shqiptar, tha se ai e njihte rezultatin dhe e pranonte përgjegjësinë e humbjes, që e çonte atë në pensionimin përfundimtar politik. Por çudia nuk zgjati më shumë se tre ditë, dhe ai e ka filluar betejën e vjetër, se nuk e njeh rezultatin, se nuk e pranon humbjen, se është i vjedhur. Çuditërisht kur besohej se paska ndërruar kultura politike në kryeqytetin shqiptar…prapë “diçka e parë!”, sa shumë deri tash.

Thonë se shqiptarët kanë pasur epoka të lavdishme për lirinë e tyre dhe shpirti shqiptar nuk është mposhtur kurrë në kërkim të kësaj lirie! Të gjitha epokat i kanë pasur heronjtë e tyre, dhe ne “vdekatarët e mëvonshëm” i jemi bindur “heroizmit shqiptar për liri a vdekje”. Tash kur lirinë e kemi me bollëk, kemi filluar që në “emër të traditës” të vrasim për “motive të ulëta”, që në emër të All’llahut t’i vrasim fëmijët, që në emër të kulturës ta vrasim shqiptarin shqiptar! Në mungesë të pushtuesve të huaj, pushtuesit i kemi krijuar brenda llojit, barbarët brenda fisit, armiqtë brenda ideologjisë.

Përditë e ngadalë kemi filluar të shndërrohemi në “brejtës” të identiteti kulturor, fetar e kombëtar. Gjithë ajo që ka ndodhur në javët, në muajt dhe në vitet e fundit, edhe e ka ringjallur njërën prej penave më të forta të atyre që kanë shkruar shqip ndonjëherë, Faik Konicës, dhe postulatin e tij “O Zot, ruaje Shqipërinë nga shqiptarët”.

Kushedi se cila është lufta shqiptare e radhës! A do të flakemi në emër të lirisë nga e cila jemi dehur, a do të mbytemi për politikën që kurrë s’kemi ditur ta bëjmë, apo do të vazhdojmë të vritemi për “motive të ulëta” dhe për kulturën e munguar? Apo edhe më keq, do të zhbëhemi nga lufta për besimet e huaja, duke harruar Zot e Atdhe!