Nga Mero Baze, 2 Gusht 2012
Sali Berisha ka provokuar një debat delikat. Pas shtatë vitesh, ai arriti të përfundojë një segment rrugor pak më shumë se 20 km që lidh Levanin me rrugën e vjetër Ballsh- Tepelenë në Fratar. Debati që ka provokuar është delikat pasi leximi i parë i tij është se Sali Berisha bllokoi ndërtimin e asaj rruge si anti-jugor.
Historia ka nisur në vjeshtën e vitit 2005 në parlamentin e Shqipërisë. BERZH kishte dhënë kredi për rrugën Levan- Tepelenë dhe Levan- Vlorë. Levan- Tepelenë përbëhej nga dy lote, i pari Levan- Fratar dhe i dyti Fratar- Tepelenë, që ende s’ka mbaruar. Projektin e rrugës dhe kredinë e kishte negociuar qeveria e Fatos Nanos, e cila për shkak të pazareve nuk arriti ta tenderojë. Berisha i gjeti këto segmente gati për tenderim, me kredi të miratuara në parim.
Gramoz Ruçi ia tha këtë qartazi në një seancë parlamentare, duke e ftuar të merrte gërshërët dhe të priste shiritin e punimeve dhe të mos e vononte më atë rrugë që lidhte Jugun me pjesën tjetër të Shqipërisë. Berisha u tërbua. Sapo seanca parlamentare përfundoi, vendimi i parë i tij ishte anulimi i segmentit rrugor Levan- Tepelenë, që përbëhej nga dy lote. Ishte një lajm tronditës, sidomos për ne që mezi kishim pritur të çelej një rrugë drejt Jugut. Arsyetimi i parë i Berishës ishte se ato ishin rrugë elektorale, të premtuara nga Fatos Nano për elektoratin e vet. Ka qenë një debat që e ka bërë disa herë dhe me mua.
“Nuk bëj një rrugë që kalon nga fshati i Gramoz Rucit”, ishte arsyetimi i tij i mundimshëm. Dhe kur e shihte se e gjitha dukej si një racizëm ndaj Jugut, nxitonte të thoshte një broçkull më të madhe “Mos u shqetëso. Do bëj një rrugë që do shpëtoj Jugun, nga Vaqarri në Berat deri në Memaliaj. I bie shkurt fare dhe shpëton Jugun”. Me këtë arsyetim që gënjente dhe veten, shtyu gati gjashtë muaj. Angazhoi dhe një kompani të bënte fizibilitetin e kësaj gjurme dhe befas kuptoi se duheshin shumë pare, shumë kohë dhe thuajse asnjë mundësi për ta bërë gënjeshtrën realitet. Por nuk u tërhoq nga ideja se segmenti Levan- Tepelenë s’duhej ndërtuar. Mbetej armiku më i egër i atij segmenti.
Si një jugor që vizitoj Jugun më shumë se një herë në muaj, nuk më rrihej pa u grindur për këtë çështje derisa në pranverë të vitit 2006, në një udhëtim në Jug bashkë me Berishën, Gramoz Pashko më erdhi në ndihmë duke shpjeguar në sy të tij sa shumë punë ishte dashur të bëhej projekti dhe të nxirrej kredia për atë segment rrugor dhe sa i pamundur është segmenti që Berisha përdorte për alibi. Berisha nuk tërhiqej. BERZH nga ana e vet po humbiste durimin dhe dërgoi kërcënimet e para se do të ndërpriste bashkëpunimin me qeverinë shqiptare nëse anulonte kreditë e akorduara. Berisha po lëkundej, por ideja fikse se ajo ishte një rrugë e Fatos Nanos nuk i shqitej nga mendja. Ma tha këtë disa herë. E tha në një mënyrë të pandërgjegjshme brengën e tij se nëse ajo rrugë ndërtohej sipas afatit, ishte një rrugë e Fatos Nanos, që sipas tij “kalonte nga fshati i Gramoz Ruçit”. Por kontrasti në publik po bëhej therës.
Nga një anë diskutohej që segmenti Rrëshen- Kalimash të hante një miliard euro me katër korsi dhe dy tunele, nga ana tjetër hezitohej të harxhoheshin 70 milionë dollarë për të lidhur Jugun me një rrugë të kategorisë së parë, por jo autostradë. Për të mos dalë i mundur nga loja, nxori në plan të parë Lulëzim Bashën, i cili ndërkohë filloi të bëjë pazaret për rrugën. Ndërtuesi do të ishte Fahri Balliu. Kunata e tij dhe një serb nga Beogradi formuan dhe udhëhoqën bashkë një kompani bijë të Alpine-s, një kompani austriake që po shitej tek spanjollët, dhe me letrat e saj morën tenderin ende pa u miratuar kredia në parlament. Pas kësaj Berisha u tërhoq. Të njëjtët sekserë morën segmentin Levan-Vlorë dhe FratarTepelenë.
Segmentin Levan-Fratar, që u përurua sot, e mori një kompani italiane. Qeveria pagoi kunatën e Fahriut me fondet e saj me dhjetë për qind të shumës për të dy segmentet, atë Levan- Vlorë dhe atë Fratar- Tepelenë, ndërkohë që ajo ishte dhe zyrtare e lartë e shtetit shqiptar si Sekretare e Përgjithshme e Ministrisë së Kulturës. Një shkelje e tillë flagrante do kishte çuar në burg çdo zyrtar të shtetit shqiptar. Misioni i Balliut ishte vonesa e ndërtimit të kësaj rruge aq shumë, sa të harrohej që ishte një iniciativë e Fatos Nanos. Dhe ia doli. Segmenti Fratar-Tepelenë, që mori Balliu me sekserët e vet, nuk ka mbaruar ende.
Kompania fantazmë e kunatës së Fahriut dhe një serbi, dështoi në ndërtim dhe ia “shiti” punën një kompanie greke, që ende s’e ka mbaruar. Natyrisht duke futur në xhep dhjetë përqindëshin e paguar nga qeveria shqiptare jashtë çdo rregulli. Nëse në këtë vend do të ketë ndonjë herë drejtësi, Lulëzim Basha, Sali Berisha dhe sekserët e tyre do të duhet të shkojnë pas hekurave për këtë rrugë më shumë se sa për rrugën e Veriut ku ka favorizim korrupsioni, në vend të korrupsionit direkt që ka në këtë rrugë duke ndarë lekët me sekserët e tyre. Rruga që duhet të mbaronte në vitin 2007- 2008 është afër përfundimit, por jo e përfunduar në vitin 2012. Sali Berisha ia arriti qëllimit ta vonojë, ta copëtojë, ta degradojë dhe t’ua humbasë aq shumë durimin qindra- mijëra banorëve të Jugut sa ta harrojnë që këtë rrugë do ta kishin gati më 2007 sikur ky burrë i lig dhe hajdut të mos ishte kryeministër.
Shumë banorë të Jugut, njerëz që unë njoh dhe takoj në Jug, më thonë se e ka bërë nga urrejtja për Jugun. E lidhin këtë me faktin se Jugu e ka zbuar një herë Sali Berishën nga pushteti dhe nuk e voton. Nuk e besoj deri në fund. Është e vërtetë që Berisha e ka frikë Jugun, por jo si verior, por si politikan burracak dhe hakmarrës. Ai e urren Jugun jo si tropojan, por si një humbës. Ai e urren Jugun jo si një racist klasik, por si një viktimë e tij në politikë. Ai e urren Jugun si çdo i mundur që i rijepet shansi të ketë në dorë atë që e ka poshtëruar dhe nuk di si të hakmerret ndaj tij.
Ai ka ndaj Jugut kompleksin që ka çdo humbës ndaj fitimtarit. E ka frikë deri në atë shkallë sa nuk guxon ta lërë fare pa rrugë, pa ujë, pa drita dhe pa bukë, por po bën gjithçka që rruga të vejë e fundit, uji i fundit, dritat të fundit dhe puna dhe zhvillimi të fundit. Ka një përzierje të frikës dhe mëdyshjes për tu hakmarrë hapur dhe kjo dukej dhe në fjalën e tij prej burracaku dhe njeriu të rrjedhur ndërsa përuronte segmentin e parë të kësaj rruge, kur nxiton të thotë se opozita e ka vonuar këtë rrugë. E ka akoma frikën të mburret me poshtërsinë që ka bërë. Si gjithë burracakët e ligj.