
Mustafa Nano, 02.10.2010
Ja disa afermacione të thjeshta aksiomatike në lëmë të politikës e qeverisjes: Një qeveri ngrihet nga partia apo koalicioni fitues në zgjedhjet parlamentare. Qysh nga momenti që koalicioni fitues merr formën e një qeverie mbi bazën e një programi, i cili negociohet e miratohet më përpara nga faktorët politikë të maxhorancës, vetë qeveria kalon nën hyqmin e kryeministrit. Është ky i fundit që e drejton qeverinë, dhe që mban përgjegjësi për çdo gjë që s’shkon brenda saj.
Këtë ta thotë logjika, e thonë teoritë politike, e thotë në mënyrën e vet dhe kushtetuta e Republikës së Shqipërisë (sidomos neni 102). Një parti e koalicionit qeverisës, apo përgjithësisht një faktor politik që përfaqësohet në qeverisje, nuk mund të hedhë vickla e nuk mund të mbajë nën presion as qeverinë, as qeverisjen, dhe as kryeministrin. Partitë e koalicionit kanë një zë, përsa kohë nuk është rënë dakord mbi formulën e përfaqësimit në qeveri, mbi emrat që do të jenë pjesë e kabinetit, dhe mbi programin qeverisës.
Me t’u rënë dakord mbi këto gjëra, partitë e faktorët brenda maxhorancës bëhen pjesë e orkestrës së qeverisjes së dirigjuar nga kryeministri mbi bazën e marrëveshjes së bërë mes palëve dhe mbi bazën e ligjeve të shtetit. Mund të bëhen të gjallë e mund të ngrejnë zërin, veç nëse dirigjenti u ndërron papritur e papandehur partiturat (programin), apo nëse dirigjenti vendos t’u ndërrojë veglat, pozicionin e rolin instrumentistëve (ministrave), pa u kërkuar një mendim këtyre të fundit. Në rrethana të tilla, partitë e koalicionit mund edhe të largohen nga qeveria e nga qeverisja.
Kjo po ndodh në Shqipëri? Jo, po ndodh e kundërta. Janë instrumentistët (po i mbetem parabolës së orkestrës), që bëjnë ç’u ka ënda, dhe dirigjenti as që e vë ujin në zjarr. Do të ishte interesante të lexonit me kujdes një fragment të intervistës që Ilir Meta ka dhënë para dy ditësh (fragmentin, që u është dërguar të gjitha gazetave, të cilat e kanë publikuar en bloc, si të ishte fjala për ca komandamente të up-date-uara biblike; sidoqoftë, kjo është puna dhe avazi i gazetave). Në këtë intervistë, ka një moment, ku Metës i duhet të shpjegojë zanafillin e sherrit me Priftin. Po ua sjell gërmë për gërmë atë fragment të fragmentit që ilustron më mirë parabolën e çakorduar të orkestrës. Tok me pyetjet e gazetarit:
Gazetari: Çfarë s’funksionoi mes jush dhe Priftit?
Meta: Nuk ezgiston asnjë debat mes meje e Priftit….
Gazetari: Por ju e keni larguar zotin Prifti.
Meta: Jo, nuk bëhet fjalë për largim. Është rikompozim i qeverisjes. Kisha presion nga struktura të LSI-së që ta lija Ministrinë e Jashtme.
Gazetari: Përderisa ishte ky presion, pse s’u larguat fare nga qeveria?
Meta: Vendimi u mor në funksion të një pune më të mirë me LSI-në.
Gazetari: Pse nuk u bë rikompozimi me mirëkuptimin e Priftit?
Meta: I kam bërë të gjitha përpjekjet për mirëkuptim
Gazetari: Si ka punuar Prifti si ministër?
Meta: S’kam vërejtje.
Gazetari: Çfarë bisede bëtë me Priftin?
Meta: I kam thënë të bënim një rokadë, por ai kish probleme me avionin. Etj. Etj.
E shihni? Këta janë dy ministra, të cilët tregojnë se s’e kanë për gjë t’i ndërrojnë portofolet e poltronat sa herë të duan. Nuk përmendin fare kryeministrin, i cili është boss-i i tyre, dhe me të cilin e kanë për detyrë të konsultohen, ngaqë është bash ai që do t’i vërë vulën këtyre lëvizjeve. Jo, jo, as që bëhet fjalë. Mjafton që këta të dy të merren vesh me sho-shoqjn, e kështu, puna quhet e mbaruar dhe hesapi i qëruar.
T’i ketë mbetur qejfi vallë kryeministrit? Ç’është ajo fjalë! Mund të duket bajagi e çuditshme se si një kryeministër mund të mos e vrasë mendjen fare, që dy ministra të tij janë duke negocjuar një rokadë postesh mes tyre, por kjo është e vërtetë. Edhe sikur të supozonim se kryeministri nuk ka ditur gjë mbi këto negociata xhambazësh (supozim kot më kot, ngaqë e dinë të gjithë që Prifti e ka informuar në vijimësi), ne dimë që ai është informuar më pas. Meta e Prifti janë zbrazur gjithë këto ditë.
E si ka reaguar kryeministri? Në mënyrën që pritej. Tha, se “nuk përzihem në punët e LSI-së (qyshkur punët e qeverisë qënkan punët e LSI-së?)”, dhe tha pak më pas, se “maxhoranca është solide”. E kuptoni? Ministri i jashtëm i republikës sonë e nxjerr postin në ankand, madje më keq se sa kaq, ia ofron atë një “medemek harvardisti”, dhe kryeministri thotë, se “kjo është punë e LSI-së”. Shyqyr që ky “medemek harvardisti” kish frikë nga avionët!
Shpjegimi i reagimit të qetë e gazmor të kryeministrit në këto rrethana merret lehtë me mend. Askujt në qeveri nuk i intereson se çfarë bën tjetri. Secili ka hesapet dhe interesat e veta, të cilat mund t’i kurojë i pashqetësuar nga të tjerët. Me ndonjë kusht, amá. Kushti që ministrat kanë për njëri-tjetrin është: kur u ndanë, këto na ranë, prandaj askush të mos i hyjë në hise tjetrit. Ilir Meta, i cili kuptoi se nuk i kish bërë hesapet mirë, dhe i cili, në ndryshim nga Prifti që mendon veç për sot, mendon dhe për nesër, donte ta prishte këtë kusht. Dhe këtu plasi sherri, të cilin Berisha ka dashur ta mbajë si një bombë implosive (që plas brenda vetes). Por qëlloi të ishte një bombë eksplozive.
Berisha nuk i ka dashur këto sherre. Madje, ka qënë i sigurtë që vetëm sherre nuk do të ketë. E pse duhet të ketë? Të gjithë bëjnë plaçkë për hesap të vet, dhe secili mbrohet nga Berisha; secili është mendjefjetur se ka Berishën si një këmishë imunitare, apo impunitare. Po pse kështu? Kaq Budalla është Berisha? Jo, Berisha është më i mençuri nga të gjithë, ngaqë e di, se për t’i mbrojtur mirë e mirë, do t’i duhet t’u kërkojë votën për të uzurpuar të gjitha institucionet e do t’i duhet t’u kërkojë mbështetje në të gjitha prapësitë e veta parlamentare e jashtëparlamentare për hesape që shkojnë përtej thërrimeve korruptive, me të cilat kënaqen ministrat.
Kur vjen puna për të bërë plaçkë, Berisha ua kalon të gjithëve. Ai është lëshuar si kurrë (e si askush) ndonjëherë; është lëshuar me kuç e me maç. Të gjithë e dinë këtë gjë, por me implikimin korruptiv që u ka bërë, dhe me mbrojtjen që u ofron, Berisha është siguruar që s’mund ta hapin gojën për të e për të vetët.
Ky është sistemi që është ngritur këto njëzet vite. Kjo është finalja e tranzicionit shqiptar, pas të cilit unë personalisht nuk jam në gjendje të di se çfarë vjen. Ndoshta nuk vjen asgjë. Kjo do të thotë që do të vijojë ky tranzicion. Tranzicioni i plaçkitjes së Shqipërisë.
P.S. Sa më sipër, në mënyrë të përmbledhur, thashë, se pushteti i sotëm është korruptuar deri në indet e veta. Doni ta mbyll me një afermacion tjetër aksiomatik? Një pushtet tërësisht i korruptuar komandon vendin krejt i pashqetësuar veç në një rrethanë: kur opozita është po kaq e korruptuar. Siç!








Shume interesant afermacioni aksiomatik!
Por i nje niveli akoma me te lartë eshte : Siç !
Nuk me kujtohet se nga kush e kam lexuar, por me jane ngulitur ne mendje fjalet:
“E verteta te zgjon nga endrrat e gjumit. E verteta duhet te pershkoje shume mendje e te zgjoje me shume vullnete. Nese has nje skllav ne gjume, mos e zgjo se mund te jete duke enderruar per lirine. Une u pergjigja: Nese has nje skllav ne gjume, zgjojeni dhe flisni me te per lirine…”
Menjehere me vajti mendja, qe te ndërroja fjalen liri me fjalen korrupsion, por pata frike se mos i ngelesh hatri fjales skllav, keshtu qe e shkruajta “siç !” ishte.
Comments are closed.