DASH: Në Shqipëri, “hamulli” fetare

0
57

Ervin Koçi

Departamenti i Shtetit publikoi sot raportin e përvitshëm për liritë fetare në mbarë botën. Në raportin e DASH-it për Shqipërinë thuhej se, nuk ka të dhëna të besueshme për pjesëmarrjen fetare. Në raport theksohet se, të dhënat e fundit zyrtare i përkasin vitit 1939. “Censusi i vitit 2011 u përmbyll në nëntor. Aty përfshihej një pyetje në lidhje me përkatësinë fetare, por rezultatet e plota të sondazhit nuk priten së paku deri në mes të vitit 2012”,- vijon raporti.

“Sipas Kushtetutës, nuk ka një fe zyrtare dhe të gjitha fetë janë të barabarta, megjithatë, myslimanët suni, bektashinjtë, ortodoksët dhe katolikët kanë një shkallë më të lartë njohje dhe status social bazuar në prezencën e tyre historike në vend”,- thuhet në raport.

Në raport thuhet se, në vend është krijuar një zyrë për Komisionerin për Mbrojtjen nga Diskriminimi, por ky institucion nuk ka fonde dhe staf. Si thuajse gjithmonë, në raport thuhet se, problem në vend mbeten pronat e komuniteteve fetare. Edhe pse Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave është udhëzuar që t’i japë përparësi kthimit të pronave për komunitetet fetare, sërish progresi ka qenë i avashtë.

“Në vend janë në total 102 institucione edukative fetare”,- thekson më tej raporti. Raporti thekson se, qeveria as nuk i përmirësoi dhe as i përkeqësoi liritë fetare. “Qeveria nuk tregoi ndonjë tendencë drejt përmirësimit ose përkeqësimit në respektimin apo mbrojtjen e të drejtës për liri fetare.”,- thuhet në raport.