Majko dhe Braçe reagojnë për falënderimet e Leka Zogut II ndaj rusëve

0
48

TemA, 31 Korrik 2012

Në një intervistë për gazetën ruse “Ekho planety” të 27 korrikut 2012, Leka Zogu II tha se ishte mirënjohës ndaj rusëve që ndihmuan gjyshin e tij Ahmet Zogu të kthehej në pushtet më ‘24.

Në dhjetor të vitit 1924, 7000 ushtarë shqiptarë nuk ishin në gjendje të përballonin qindra oficerë rusë, të cilët, pas dy javësh të luftimeve me gjyshin tim erdhën në Tiranë. Pas kësaj Shqipëria u shpall republikë, president i të cilës ishte Ahmet Zogu. Unë u jam përjetësisht mirënjohës emigrantëve rusë, të cilët e mbështetën gjyshin tim dhe kështu ndryshoi rrjedha e historisë dhe së paku, disa për disa kohë e vonuan vendosjen e regjimit komunist në Shqipëri,” tha Leka Zogu II.

Deklarata e tij ka ngjallur reagimin e dy deputetëve të majtë, Pandeli Majko dhe Erion Braçe.

Majko ka nënvizuar faktin se “nipi i Ahmet Zogut në mënyrën më të sinqertë dhe më me edukatë ka pranuar atë që e dinë të gjithë dhe që është një fakt historik, që Zogu u rikthye në pushtet përmes bajonetave ruse dhe serbe”.

Sipas Majkos, këtë e ka shkruar në shtypin amerikan dhe ish-ambasadori amerikan në Shqipëri, Bernstein. Dhe për më tepër që sipas Majkos, historia ka vijuar pastaj me rusët e kuq të Stalinit, por që sërish nënvizon se vijon ende kjo mbështetje e rusëve në Shqipëri, duke lënë për të kuptuar dhe qeverisjen aktuale.

Kurse deputeti socialist, duke ironizuar ndaj princ Lekës, shkroi në statusin e tij në Facebook se “i biri i Lekës dhe nipi i Ahmet Zogut, ky që e thërrasin “Princ Leka”, i qenka mirënjohës “Bjello gardistëve” rusë që rrëzuan qeverinë e Fan Nolit dhe sollën në pushtet Ahmet Zogun!”.

A doni më prova?”, shkruan Braçe, teksa vijon “ky është këshilltari politik i presidentit Bujar Nishani”.