Hegjemonia e së keqes

1
52

Nga Bledar H. Prifti, 28.09.2010

Kultura politike e shoqërisë Shqiptare i ka hapur rrugë një ambienti politik, ku protagonistët e saj mund të sillen në mënyra nga më të ndryshmet, pa marrë përsipër asnjë përgjegjësi politike dhe ligjore. Opinioni publik, media dhe elektorati duket se nuk kanë asnjë influencë mbi veprimet dhe qëndrimet politike të politikanëve. Pjesa dërrmuese e politikanëve i konsiderojnë opinion publik, median dhe elektoratin si entitete, me të cilët mund të tallësh menderen në çdo kohë, dhe çfarë mund t’ua thuash sot nuk ua thua nesër, çfarë e pohon sot e mohon nesër, atë që akuzon sot e puth nesër, apo atë që e pështyn sot e lëpin nesër.

Kjo tallje publike i ka fillimet e saj me armiqësinë-miqësinë Berisha-Nano dhe po vazhdon sot me armiqësinë-miqësinë Berisha-Meta-Prifti. Konfliktet midis Fatos Nanos dhe Sali Berishës i kanë kushtuar shoqërisë Shqiptare sakrifica deri edhe në jetë njerëzish, por, ky fakt, nuk i ndaloi të sipërpërmendurit të putheshin me njëri-tjetrin dhe të deklaronin se gjithë ato konflikte që morën jetë njerëzish ishin një lojë politike etj. Përmes kësaj loje dhe tallje, kjo dyshe mbolli një frymë urrejtje kudo në popull dhe krijoi një klimë konflikti, e cila për pak degjeneroi në një luftë civile.

Fatkeqësisht, opinioni publik, media dhe elektorati e harroi këtë lojë dhe tallje të madhe, bile e legjitimoi atë. Por, një shoqëri e tillë është e destinuar që të tallet dhe ndëshkohet përsëri. Dhe ja ku na shfaqet sot me shumë pompozitet konflikti Meta-Prifti për të na sjellë ndër mënd historinë e talljeve. Konflikti midis ish-ministrit dhe eprorit të tij, ka të përbashkët faktin se që të dy mundohen të shprehin në mënyrë të parezervuar “dashurinë” dhe besnikërinë e tyre për kryeministrin Sali Berisha dhe që të dy sulmojnë njëri-tjetrin për negociata të fshehta me Partinë Socialiste dhe Edi Ramën.

Kjo dashuri dhe besnikëri aktuale nga ana e drejtuesve të LSI-së përkundrejt Sali Berishës ka arritur deri aty sa Sali Berisha që dje konsiderohej dhe akuzohej si e keqja më e madhe, sot konsiderohet jo thjesht si epror, por si një “prind”, prej të cilit ata marrin këshillat e tyre. Me pak fjalë, kwta sot e vendosin Sali Berishën në rolin e kumbarit, apo siç jemi mësuar ta dëgjojmë ndryshe, “padrino”. Ky fakt dhe këto deklarata duhet të shqetësojnë mbarë opinionin publik, median dhe elektoratin e majtë, i cili votoi LSI-në për të larguar Sali Berishën nga pushteti.

Sjellja dhe qëndrimet e tilla janë një tallje e madhe për mbarë opinionin publik, intelektualët, median dhe elektoratin e majtë. Është tallje, pasi të gjithë ne cilësohemi si njerëz, me të cilët mund të tallësh menderen sa herë që e kërkon interesi i tyre. Na konsiderojnë “mish me dy sy” pasi ne si shoqëri nuk jemi të aftë t’i flasim gjërat drejt dhe t’i bëjmë përgjegjës këta syresh për deklaratat dhe qëndrimet e tyre. Për vite me radhë, LSI (ashtu si edhe Fatos Nano) e ka cilësuar Sali Berishën si të keqen më të madhe të politikës Shqiptare. Fushata elektorale e LSI-së për zgjedhjet e 28 qershorit ishte një fushatë radikale që kishte si slogan thirrjen “Berisha Ik”.

Atëherë, lindin me të drejtë pyetjet: Si shpjegohet që kjo e keqe e madhe u shndërruaka kaq shpejt në një padrino, të cilit i puthet dora në çdo çast dhe me shumë zell? Si shpjegohet që kjo tallje e menderes me opinionin publik, median dhe elektoratin kalon pa u ndëshkuar?

Ashtu siç e përmenda edhe në fillim, këto fenomene janë rrjedhojë e kulturës politike që mbart shoqëria Shqiptare. Politika nuk është gjë tjetër, por sistemi, i cili bën të mundur shpërndarjen autoritative të vlerave të një shoqërie. Shoqëri me vlera të ndryshme krijojnë dhe implementojnë sisteme politike të ndryshme. Për shembull, në Perëndim, shoqëritë ndërtojnë dhe implementojnë sisteme demokratike, në Amerikën Latine sisteme juntash dhe autoritative dhe në Lindje sisteme diktatoriale, monarkike dhe teokratike.

Edhe në rast se një shoqëri implementon një sistem që nuk është karakteristik e asaj shoqërie, përsëri sistemi funksionon ndryshe nga vendet e tjera. Një sistem monarkik në Perëndim nuk funksionon njëlloj me një sistem monarkik të vendosur në Lindjen e Mesme, një demokraci në Perëndim nuk funksionon njëlloj më një demokraci në Evropën Lindore apo Azi dhe kështu me radhë.

Në vazhdim, kultura politike nuk është gjë tjetër, por mënyra se si një shoqëri e percepton dhe e vlerëson sistemin politik, përfshirë këtu edhe ndjesinë e shoqërisë përkundrejt sistemit politik dhe institucioneve të tij. Por perceptimi, vlerësimi dhe ndjesia që një shoqëri ka përkundrejt një sistemi politik është i manipulueshëm. Manipulimi bëhet përmes përdorimit të autoritetit të sistemit dhe institucioneve të tij, të cilët mund të jenë tradicional, racional-legal dhe karizmatik. Pavarësisht autoritetit që bën manipulimin, ky autoritet arrin që të vendosë hegjemoninë e vlerave të tij mbi shoqërinë dhe grupimet e tjera shoqërore që ai qeveris.

Është vendosja e kësaj hegjemonie vlerash, e cila manipulon shoqërinë civile dhe e bën atë që t’i bindet autoritetit dhe vullnetit të sistemit politik. Përderisa shoqëria do të pranojë vlerat e sistemit, ky sistem politik nuk do të ndryshojë dhe klasa politike do të vazhdojë dominimin dhe sundimin e saj. Fatmirësisht, statusi i hegjemonisë së vlerave ndodhet ngaherë përballë sfidave të vazhdueshme që çojnë në negocim dhe ndryshim të vlerave të sistemit. Në momentin kur shoqëria sofistikohet nga ana politike dhe arrin një stad të ndërgjegjes politike, ku ajo nuk i pranon më vlerat e imponuara të sistemit politik, atëherë kjo shoqëri do të negociojë dhe ndryshojë vlerat e sistemit, madje edhe vetë sistemin.

Në politikën shqiptare, sistemi politik ka arritur të manipulojë opinionin publik duke vendosur hegjemoninë e vlerave të tij mbi shoqërinë Shqiptare. Hegjemonia e këtyre vlerave të imponuara i shërben klasës politike për të siguruar vazhdimësinë e pushtetit të tyre. E thënë më qartë, klasa politike Shqiptare, përmes metodave propagandistike, e ka bërë shoqërinë shqiptare të pranojë se është e pranueshme që sot politikanët dhe pushtetarët të vjedhin, të mashtrojnë, të ç’nderojnë, të manipulojnë, të vrasin, etj.

Kjo hegjemoni vlerash ka bërë që shoqëria shqiptare ta konsiderojë normale që sot politikanët të akuzojnë njëri-tjetrin për akte monstruoze që shkaktojnë urrejtje dhe viktima në të pafajshme, kurse nesër, po këta politikanë, të puthen dhe të deklarojnë se ato akuza ishin vetëm lojëra politike dhe tallje. Kjo hegjemoni djallëzore vlerash ka bërë që sot zgjedhjet e lira dhe të ndershme të konsiderohen si çështje të dorës së dytë dhe se nuk ia vlen që të sakrifikohet dhe luftohet për votën e lirë (imagjinoni një specie gazetar/analist që thekson se transparenca dhe vota e lirë nuk janë të rëndësishme për shoqërinë).

Sot, kjo hegjemoni djallëzore vlerash ka bërë që ju të besoni se është normale që një parti politike të votohet nga elektorati për një arsye dhe të përdori mandatet e dhëna nga elektorati për të kundërtën e asaj për të cilën u votua. Sot kjo hegjemoni djallëzore vlerash ka bërë që të besohet se është normale që politikanët dhe pushtetarët ta shndërrojnë administratën publike në një çetë partizanësh dhe institucionet shtetërore në forume partiake. Duke shfrytëzuar median, intelektualët dështakë, injorantë, finokë dhe zemërzinj, propagandën dhe privilegjet e pushtetit, kjo klasë politike i tregon opinionit publik dhe shoqërisë se veprime të tilla janë normale dhe të pranueshme.

Besoj se i gjithë populli ka dëgjuar në media dhe nga gojët e pushtetarëve dhe intelektualëve zemërzinj të deklarojnë se “kështu e ka politika” dhe se të tilla veprime janë normale edhe kur ato shkaktojnë viktima dhe marrin jetë njerëzish. Dhe ju filloni të besoni se kjo është normale, edhe pse në të vërtetë ajo nuk është normale. ASNJË nga pretendimet e mësipërme nuk është e vërtetë në një vend demokratik. Në botën demokratike Evropiane nuk ka parti që votohen për një arsye dhe ushtrojnë pushtetin për të kundërtën e arsyes, për të cilën u votuan.

Në botën demokratike nuk ka gjë më të rëndësishme sesa vota e lirë dhe transparenca e saj dhe e pushtetit. Në botën demokratike nuk ka fenomene ku sot politikanët akuzojnë njëri-tjetrin dhe nesër ata puthen duke i thënë shoqërisë se ishte lojë dhe tallje. Sot në botën demokratike nuk ka marrëzira të tilla, të cilat i serviren shoqërisë sikur të ishin gjera normale. Vetëm në shoqërinë tonë të tilla marrëzira, djallëzi dhe perversitete na serviren nga hafijet e pushtetit si fenomene normale dhe të pranueshme.

Prandaj besoj fuqimisht se sot ka ardhur koha që shoqëria jonë të çlirohet nga kjo hegjemoni djallëzore që ka kllaposur sistemin tonë te vlerave dhe të arsyes. Ka ardhur koha që në të ndajmë të mirën nga e keqja, të drejtën nga e padrejta, dhe të djallëzuarën nga e shenjta. Ka ardhur koha që të largojmë nga vetja këtë shejtan që i vjen vërdallë shoqërisë sonë dhe e bën atë të bjeri pre e se keqes, së ligës, mashtrimit dhe djallëzisë.

Ka ardhur koha që ne t’i japim fund kësaj hegjemonie vlerash që ngre në piedestal të keqen dhe të ligën dhe të vendosim një sistem tjetër vlerash, i cili do të vlerësonte të mirën, të drejtën dhe të shenjtën. Beteja midis së mirës dhe së keqes asnjëherë nuk është e lehtë, por ajo është diçka që ia vlen në jetë.

1 COMMENT

  1. Gjerat nuk ndodhin per dy arsye:
    – E para mungese njohurie, dhe kete e kemi me shumice, sepse nuk kemi vetedijen e e nje identiteti te perbashket (qe e ndajme se bashku), kjo ndjenje e perfshirjes ne kete identitet dhe e solidaritetit qe te na lidh se bashku, e shperndare ne nivelin e masave, dhe jo vetem brenda nje rrethi te ngushte personash, qe ben nje bashkesi etnike, kulturale, politike nje komb. Jemi nje popull, por nuk jemi akoma nje komb, dhe duke qene se nuk jemi nje komb, mungon aspirimi per te bere shtet: pra t’i japi nje rregullim juridik gjerave per te afirmuar Sovranitetin. Kur nje komb behet shtet i jep jete asaj qe specifikisht quhet SHTETI-KOMB, ka plot ne bote, aktualisht, kombe pa shtet. (CONSEU).

    – E dyta, mosbesimi, gjendja ne te cilen kemi arritur ben qe mosbesimi te kete mbrritur kulmin dhe gjithsecili nuk beson ne gjithsecilin.
    Mungon nje ndjenje e forte e “NE”, mungon krenaria per popullin, kombin, shtetin tend. Per çfare na duhet shteti? Per te pasuruar politikanet?

    Shteti na duhet per :
    – Per te garantuar Paqen dhe Rendin brenda tij.
    – Per te na garantuar Mbrojtjen dhe Jetegjatesine e Kombit perball individeve te veçante.
    – Per te na garantuar Sigurine me te madhe, neve, popullit.
    – Per te na siguruar Mireqenien me te madhe te mundeshme.

    Ne te kunderten, per çfare na duhet shteti neve, te varferit kane nevoje per Shtetin, te pasurit mbrohen vete nuk kane nevoje qe t’i mbroje Shteti.
    Na mungojne Burrat e Shtetit: – Ata qe jane ne krye te shtetit te jene te ngjashem me ligjet, qe jane percjelle ne ekzekutim jo nga inati, por nga drejtesia.
    Nuk mund te rri pa permendur nje thenie te Albert Einstein, fizikantit te madh :
    “Bota eshte kjo katastrofe qe shikoni, jo me shume nga fatkeqesite e krijuara nga keqberesit, se sa nga inercia e te drejteve, qe e kuptojne dhe rrine e shikojne.”
    Kjo qe po shikojme e degjojme eshte nje çfaqje tjeter e teatrit te “Politikes” shqiptare. Gjeja me frikshme e pushtetit nuk eshte kur vihet ne skene, por kur mbyllet e nuk jep shenja.Na kane vjedhur Sovranitetin, sepse e ushtrojne perfaqsuesit e autozgjedhur dhe te votuar nga neve.

Comments are closed.