Nga Eduard Zaloshnja, 27 Korrik 2012
Gjatë inaugurimit të rrugës Levan-Vlorë, Berisha dje përsëriti mburrjen e tij të kohëve të fundit rreth thithjes së investimeve të huaja. “Shqipëria ka një nga nivelet më të larta në botë të thithjes së investimeve të huaja për frymë,” u mburr ai. Dhe për këtë iu referua një raporti të Komisionit Europian, i cili është bazuar në një raport të Bankës së Shqipërisë, e cila është bazuar në një raport të një OJQ-je fare pranë qeverisë…
Po më të besueshme se të tilla raporte janë bursat europiane, ku tregtohen edhe obligacionet e thesarit shqiptar të emetuara në euro (të njohura ndryshe me emrin eurobonde). Dhe ç’na tregojnë kuotat e tyre në bursa?
Eurobondet shqiptare e filluan tregtimin në bursat europiane në 4 nëntor 2010 dhe do të maturohen në 4 nëntor 2015. Vlera totale e eurobondeve shqiptare ishte 300 milion euro dhe vlera nominale e një eurobondi ishte 50 mijë euro, me kupon vjetor 7.5%. Pra, dikush që mund të ketë blerë 2 eurobonde shqiptare me vlerë nominale, i bie të marrë 7500 euro interes në vit dhe t’i kthehet shuma prej 100 mijë euro në 4 nëntor 2015.
Me kalimin e kohës, blerësit fillestarë të eurobondeve shqiptare kanë filluar t’i rishesin ato në bursa. Por për të gjetur blerës të rinj, atyre u duhet tani t’i shesin me ulje nga çmimi fillestar. Aktualisht, eurobondet shqiptare shiten me 94.5% të vlerës së tyre nominale. Ndërsa në ditët e para të debutimit shiteshin me 99.5% të vlerës nominale, pra me një skonto fare të vogël. Me fjalë të tjera, dikush që i ka blerë në fillim eurobondet shqiptare dhe i shtet sot, pranon të dalë pothuaj pa fitim prej tyre, vetëm që t’i heqë qafe…
http://respublica.al/artikuj/2012/07/27/shenim-besimi-i-investitoreve-smatet-me-mburrjet-e-berishes-por-me-kuotat-ne







