Berisha kërcënon: Transparenca e zgjedhjeve është vendimtare për stabilitetin e vendit!

0
51

TemA, 29 Korrik 2013

Kryeministri në largim, Sali Berisha, ka ripërsëritur se zgjedhjet e qershorit ishin të manipuluara.

Sipas tij, Rama u tërhoq nga rivotimi në Lezhë pasi kjo do nxirrte në pah manipulimin.

“Të dashur miq, Edi Rama sot pranoi botërisht se ka vjedhur 1250 vota në Lezhë. Ai papritmas tërhoqi kërkesën e paraqitur në gjykatë për përsëritjen e zgjedhjeve në qarkun e Lezhës pasi u gjet se në 14 kuti të këtij qarku kishte vjedhur me dhunë, terror dhe para droge 1250 vota dhe natyrisht me përsëritjen e zgjedhjeve, indirekt, u kërkohej ndjesë qytetarëve të Lezhës.

Natyrisht, tërheqjen ai e bëri vetëm e vetëm se përsëritja e zgjedhjeve do të sillte ndëshkimin e tij shembullor nga lezhjanët për vjedhjen e votës më 23 qershor dhe do hapte rrugën për përsëritjen e tyre në Shkodër ku janë vjedhur rreth 700 vota dhe në qarqe të tjera.

Por pavarësisht nga kjo tërheqje, zgjedhjet e 23 qershorit, rezultati i tyre, mbeten fund e krye të manipuluara. Hetimi dhe transparenca e zgjedhjeve aty ku janë përdorur krimi dhe paratë e pista janë vendimtare për stabilitetin e vendit. Përpara për votën e lirë të shqiptarëve!” shkruan Berisha në FB./ep