Idea, 26 Korrik 2012
Prishtinë – Familjarë, kolegë, dashamirës dhe miq të një jetë i dhanë sot lamtumirën e fundit poetit famëmadh të shqiptarisë, Ali Podrimja, i cili ndërroi jetë fundjavën e shkuar në Lode të Francës.
Mediat e Kosovës raportojnë se paraditen e kësaj të enjteje mbërriti në Prishtinë trupi i pajetë i poetit Podrimja. Sikundër ishte paraparë, në orën 12:00-14:00 në mjediset e Akademisë së Shkencave dhe Arteve në Prishtinë u mbajtën homazhet në nder të atij që e patën pagëzuar ‘princ të letrave shqipe’. Ora 14:00…! Trupi i Podrimjes u përcoll për në banesën e fundit ndërsa mijëra personalitete dhe qytetarë, u përulen me nderim përmbi trupin e pajetë të poetit i cili i ka dhënë zë gjuhës shqipe në dhjetra gjuhë botërore.
‘Bota Sot’ raporton se kompozitori Rauf Dhomi ka rrëfyer se poeti i ndjerë Podrimja kishte shprehur dëshirën që varrimi i tij të shoqërohej me muzikë. “Ka kohë që thoshte se po vdes, por ka qenë një lajtmotiv që ne si kemi besuar. Më pati thënë ‘kur të vdes unë, më përcillni me tinguj të orkestrës’”- tha Dhomi.
Dhe ashtu shkoi, me muzikë por s’kish se si të shkonte pa poezi. Përgjatë dy orëve të homazheve, dy poetë të Kosovës lexuan poezi nga vepra më e njohur e Podrimjes “Lum Lumi” teksa ceremonia kulmoi me interpretimin e këngës “Lamtumirë” nga Kori i Burrave të Gjakovës, vendlindjes së tij.
Ishte e marta e javës së shkuar, kur autoritetet franceze konfirmuan se poeti Ali Podrimja u shua për shkaqe natyrale. Rezultatet e raportit mjekoligjor që janë kryer në Francë dhe i janë dorëzuar Ambasadës së Kosovës atje por do të duhet kohë përpara se ato të mbërrijnë në Prishtinë për shkak të procedurave.
Trupi i pajetë i Ali Podrimjes u gjet më 21 korrik në një pyll afër qytetit Lodeve të Francës, prej nga kishte humbur kontaktet tre ditë më parë. Një tjetër raport në detaje për vdekjen e poetit do të jetë gati pas 15 ditësh. Në nisje u hamendësua për një vetvrasje apo dhunim të tij por më pas u vërtetua se shkak i vdekjes ishte dehidratimi.
Podrimja kishte udhëtuar për në Francë të hënën e 16 Korrikut, për të marrë pjesë në edicionin e 15-të të festivalit të poezisë “Zërat e Mesdheut”.
/IDEA/







