Ca e ca po shohin rrezikun e sundimit të pakicës!!!

0
51

Nga Mustafa Nano, 26 korrik 2012

Një shqetësim që dallohet mbi të tjerët në Shqipërinë e sotme është ai që ka të bëjë me një regjim të kontrollit progresiv që mazhoranca, më së pari e më shumti Kryeministri Sali Berisha, ka vendosur mbi institucionet publike e shtetërore, e mbi jetën publike e politike. Si zor të gjesh ndonjë njeri të arsyeshëm që ta mohojë këtë fakt. Është vetë Berisha që nuk ka bërë asnjë përpjekje për ta maskuar këtë strategji të tijën për të shtënë në dorë gjithçka. Për të ilustruar këtë që sapo thashë, do mund të bëja fare kollaj një listë të gjatë strukturash shtetërore, të cilat janë nën kontrollin e Kryeministrit.

Por më duket më e udhës, s’ka gjë se më e mundimshme, të bëj një listë fare të shkurtër institucionesh që janë të pavarura, që kontrollohen nga opozita apo që kontrollohen nga faktorë të tjerë joqeveritarë. Cilat janë këto? Këtu po fus disa media opozitare, ose neutrale, disa organizata joqeveritare, dhe – në lëmin e institucioneve publike – po llogaris Avokatin e Popullit, gjykatat e të gjitha niveleve, Kontrollin e Shtetit (e shihni sa zemërgjerë po tregohem?), SHISH-in, Prokurorinë dhe kaq. Deri dje ish dhe Presidenti. Qysh sot nuk është më.

Nishani mund t’na befasojë nesër, por sot ne nuk mund të injorojmë faktin që ai është zgjedhur President për t’i shërbyer Berishës, i cili shumë shpejt synon të marrë kryeprokurorin, dhe kreun e SHISH-it (këto dy emërime përbëjnë punët më të para që Nishanit i duhet të bëjë për mentorin, mbi të gjitha bossin, e tij), dhe kështu brenda gjysmës së dytë të këtij viti bien tre nga institucionet më të rëndësishme të shtetit, që deri më tani kanë qenë të pakontrolluara nga Berisha (të kuptohemi, nuk kanë qenë në asnjë rast kundër Berishës ndonëse ky i fundit u ka dhënë arsye të jenë kundër tij, e ndonëse ia ka dashur puna t’i quajë si armiq për vdekje).

Sistemin gjyqësor, tok me do institucione të tjera, i llogarita të pavarur, por nuk duhet t’na dalë nga mendja se në një klimë të kontrollit të institucioneve të shtetit nga një dorë e vetme, njerëzit e sistemit të drejtësisë tremben vetvetiu, gjë që është provuar më se njëherë. E në këtë kuptim, shumë shpejt mund të vijmë në rrethanat, kur entet e entitetet e pavarura do të numërohen me gishtat e njërës dorë, e kur asnjëra sosh nuk do të jetë një institucion publik apo shtetëror.

Kjo është situata, dhe opozita, ngaqë i kanë mbetur në dorë çelësat e kashtës, po kërkon të shfrytëzojë ndërhyrjen në Kushtetutë për çështjen e imunitetit edhe për ndërhyrje të tjera që synojnë zgjedhjen e kryeprokurorit, apo të anëtarëve të Gjykatës së Lartë me një shumicë të cilësuar (me 84 vota). Është kjo një kërkesë normale? Apo janë qiqra në hell që kërkon Rama? E vërteta është se kjo kërkesë është e diskutueshme sa të duash, e prandaj mazhoranca është në të drejtën e vet ta refuzojë, ashtu siç është në të drejtën e socialistëve ta kërkojnë një gjë të tillë në rrethanat e instalimit të një regjimi putin-ian në Tiranë.

Dhe kjo po ndodh. Berisha po e refuzon. Por shihni çfarë argumenti ka nxjerrë për ta hedhur poshtë si kërkesë: “Ky vend për 45 vite është drejtuar nga një pakicë. Ka ikur kjo kohë. Unë i bëj thirrje zotit Rama të lërë mënjanë pazaret. Nuk është kultura jonë ‘e tëra për mua, asgjë për kundërshtarin’. Është për të qeshur, apo jo? Berisha po flet për një situatë, në të cilën është pakica parlamentare që përpiqet të sundojë, e të cilën ai nuk mund ta lejojë. Mund të flasim sa të duam ne të tjerët, por atij aq i bën; ai ka krijuar ca realitete të tjera në kaptinën e vet, dhe të gjitha arsyetimet i vërtit rreth atyre realiteteve. Themi ne që Berisha po merr nën kontroll gjithçka? Hm, punë e madhe. Ai vetë ka shqetësim tjetër në mendje, ai ka shqetësimin që pakica parlamentare kërkon t’i marrë të gjitha.

Nuk do t’ia vlente të komentoje Berishën në këtë rast (ashtu si dhe në raste të tjera), por njerëzit e mazhorancës, madje dhe ca që njihen si më racionalët mes tyre, po i mbajnë iso kësaj logjike sureale. Një nga këta është Neritan Ceka. Unë besoj vërtet se Ceka është, në mos tjetër, një njeri racional, por ky, në një intervistë për televizionin A1 Report, u vu të ndiqte e të përligjte pretendimin e Berishës mbi një sundim fantomatik të pakicës parlamentare. Është të vësh duart në kokë. Të shohësh në Shqipërinë e sotme rrezikun e sundimit të pakicës parlamentare do të thotë të jetosh në një botë mirazhesh e halucinacionesh.

“[Me propozimin e tyre për të emëruar kryeprokurorin dhe anëtarët e Gjykatës së Lartë me 84 vota] socialistët po bëjnë një lojë, me synimin për të marrë kryeprokurorin dhe për të vendosur nën kontrollin e partisë së tyre gjykatat, të cilat duhet të jenë të popullit, e jo të një partie”, ka thënë Ceka në atë intervistë, sipas shqiptares.com. Dhe po aty nënvizon me ton të prerë: Edi Rama ta harrojë Prokurorin e Përgjithshëm dhe Gjykatën e Lartë!

Tani, Rama thotë “hajt t’i zgjedhim me 84 vota ca krerë apo anëtarë institucionesh të pavarura”, gjë që don të thotë “hajt t’i zgjedhim bashkë”, dhe këtë propozim mund ta hedhësh poshtë, ç’është e vërteta, si një praktikë që bart rrezikun e bllokimit të procesit të emërimit në këto poste, mund ta hedhësh poshtë si një praktikë jo të preferueshme kudo në botën demokratike, mund ta hedhësh poshtë edhe me argumente të tjera, por ta hedhësh poshtë si një tentativë të opozitës për të marrë nën kontroll institucionet don të thotë se – kështu thonë andej nga viset e mija – ‘truri t’ka lënë shëndenë’. Në fakt, sikur t’mos e dija autorin e këtyre deklaratave, do thoja se i ka nxjerrë nga goja ndonjë koqe kandari. E prandaj jam i pagojë kur mendoj se është Ceka, për të cilin – përsëris – kam menduar gjithë herën se është një nga qeniet racionale të këtij vendi. Apo s’jam unë racional që kam parë tek Ceka një racional?