Sa shumë ushqime importi!

0
56

Nga Eduard Zaloshnja, 26 Korrik 2012

Jo pak shqiptarë, kur psonisin këto ditë, bëjnë pyetjen: ” Si shpjegohet që kaq shumë fruta e perime importohen nga jashtë, edhe tani në kulmin e sezonit të prodhimit vendas ?” Ndërsa ata që ndjekin statistikat e INSTAT-it, mund të bëjnë pyetjen se si shpjegohet që për çdo 100 lekë mallra ushqimore që kemi eksportuar në 6 muajt e parë të vitit, janë futur në Shqipëri 766 lekë mallra ushqimore importi ( http://www.instat.gov.al/graphics/doc/tabelat/trjnew/TRJ_Qershor_12/t2.xls ). Dhe këto pyetje të çojnë vetiu tek pyetja tjetër më thelbësore: “Si shpiegohet që privatizimi i bujqësisë, në vend që të sillte bollëk të produkteve bujqësore shqiptare, ka sjellë në fakt lënien e jo pak tokave djerrë?” Kësaj pyetje, shumë analistë i janë përgjigjur me të drejtë se fajin e ka politika.

Kritikat kryesore ndaj politikës grupohen në dy kategori. Në ato që shohin si fajtore primare politikën e periudhës së diktaturës komuniste, e cila e shfytyroi bujqësinë me eksperimentet ekstreme kolektiviste, dhe ato që ia hedhin fajin PD-së për iniciativën e shpërndarjes së tokës atyre që e punonin.

Të dyja këto kritika qëndrojnë, por nuk e adresojnë plotësisht problemin. Kështu, është e padiskutueshme që kolektivizimi i sforcuar ekstrem vrau ndjenjën e pronës dhe komunitetit në fshatin shqiptar. Por të njëjtën gjë kolektivizimi e kishte bërë edhe në Kinë, e cila, pas shpërndarjes së tokës për përdorim anëtarëve të komunave bujqësore, e dyfishoi prodhimin e drithërave në 10 vjet. Gjithashtu, është e padiskutueshme se parcelizimi i tokës bujqësore mbi parimet e barazisë është një politikë jo fort e bazuar në logjikë ekonomike. Por nuk duhet harruar se zhvillimi i vrullshëm i bujqësisë japoneze e pati zanafillën në reformën agrare që bëri gjenerali amerikan McArthur pas Luftës së Dytë Botërore.

Atëherë përse reforma bujqësore nuk dha rezultat në Shqipëri? Së pari, që ditën që PD-ja shpalli se do të privatizonte bujqësinë, PPSH-ja, e vendosur ta mbante pushtetin me çdo kusht, filloi një sulm të egër propagandistik për t’i futur frikën fshatarëve se toka do t’iu rikthehej bejlerëve dhe agallarëve. Dhe rezultatet e atij sulmi u panë në zgjedhjet e marsit 1991, në të cilat kryetarët e kooperativave fituan pothuajse 60% të vendeve në parlament.

E ndodhur para një realiteti të tillë, PD-ja propozoi një ligj për shpërndarjen e tokës, i cili praktikisht nuk i kompensonte ish-pronarët e vjetër. Duke krijuar kështu një pasiguri pronësie, e cila nuk lejonte shitblerjen dhe dhënien me qira afatgjatë të tokës – mekanizma këto vendimtare për konsolidimin e fermave dhe investimeve private në to.

Kuptohet që ligji i propozuar nga PD-ja bazohej në një llogari të thjeshtë politike – pa shpërbërjen e kooperativave, ajo nuk mund të fitonte zgjedhje. Dhe këtë llogari politike të saj pakkush e kritikonte atëherë. Edhe vetë PR-ja, e cila sot ka zgjedhur si kauzë dalluese të saj mbrojtjen e ish-pronarëve të tokës, në atë kohë, shprehej se “ishte që toka t’i përkiste atij që e punonte”, dhe që “tokën bujqësore fshatari të kishte të drejtë ta trashëgonte, por jo ta shiste, ta blinte ose ta jepte me qira” (Programi Elektoral i Partisë Republikane – gazeta “Republika”, 17 shkurt 1991).

Zgjidhja e detyruar politike e PD-së në vitin 1991 ishte një hibrid midis modelit kinez dhe atij japonez, dhe si e tillë, ishte e destinuar të dështonte. Por fatkeqësisht, pas fitores së marsit 1992, PD-ja, e cila kishte marrë një mandat plebishitar nga elektorati, nuk iu përkushtua kompensimit fizik ose financiar të ish-pronarëve të vjetër. Si rezultat, 20 vjetët që pasuan e mbajtën bujqësinë shqiptare në limbo – tregu i tokës nuk u zhvillua si në Japoni, ngaqë ekzistonte pasiguria mbi pronësinë, dhe prodhimi bujqësor nuk u rrit si në Kinë, ngaqë shteti nuk vazhdoi të shërbente si furnizuesi i lëndëve të para dhe grumbulluesi i prodhimeve.

Duke u kthyer tek pyetja e fillimit në lidhje me frutat dhe perimet e importit, një pyetje tjetër që mund të bëhet sot është “A do të vijë dita që në tavolinat tona të kemi me bollëk perime dhe produkte të tjera bujqësore shqiptare?” Edhe për këtë pyetje, mbetet të hidhen sytë nga politika për përgjigje.

Nën presionin e BE-së dhe Bankës Botërore, politika shqiptare do të arrijë t’i vërë një ditë kapak ligjor çështjes së pronësisë. Ndërsa më tej, mbetet të shihet se çdo të bëjë qeveria që do të jetë në fuqi atëherë. Thënë më shkoqur, mbetet të shihet nëse ajo do të vazhdojë politikën e mbështetjes së heshtur të oligarkëve të importimit të produkteve bujqësore, apo do të zbatojë politika që nxisin prodhimin bujqësor vendas.