Arben Rrozhani, 26.09.2010
Dhjetëra tregtarë te tregu i lirë pranë “Medresesë” ia hodhën paq edhe këtë radhë: do të vijojnë të shesin brekë dhe mallra të tjera pa lëshuar fatura tatimore. Ata dolën të fituar nga beteja me qeverinë, dhe kasat fiskale, nuk do të aplikohen për ta, të paktën jo tani, ose, nëse po, jo në këtë mënyrë si është vepruar dhe po veprohet me grupet e tjera të bizneseve, mbi 100 mijë sipas Ministrisë së Financave. Përtej gëzimit të një grupi të vogël brekëshitësish te “Medreseja”, është trishtimi për një vend që nuk do të bëhet kurrë si simotrat në rajon, pa folur për më tutje.
Qeveria u dorëzua për të tretën herë brenda 16 viteve, jo sepse ata kanë të drejtë në kërkesën për të mos u pajisur me kasa fiskale, por se e zunë qeverinë në flagrancë, duke vjedhur me çmimin stratosferik të kasave, ashtu si në herët e shkuara, kur u zu me brekët e informalitetit nëpër këmbë, kur bënte masakrën e Gërdecit, apo rrugën e “Kombit”, apo edhe kur shpërndante licenca koncesionesh për këshilltarët dhe ministrat e qeverisë.
Dhe kjo ndodhi paraditen e të premtes në zyrën e ministrit të Financave. Një ditë më pas, përmes një thirrjeje për shtyp drejtuar biznesmenëve, ministri Bode deklaroi se procesi do të jetë i pandalshëm, se kostoja e kasave do të përfshihet në taksat që do të paguajnë, do t’u quhet shpenzim i zbritshëm ose zbritje taksash të drejtpërdrejta, se investigimi i çmimit të kasave do të jetë një proces publik dhe transparent, duke ftuar biznesin që të vijojë pajisjen me kasa kundrejt të gjithë parametrave dhe afateve të përcaktuara ligjërisht.
Në fakt, qeveria nuk është vonuar dhe pritet ta çojë në parlament një VKM tjetër që çmimi abuziv i kasave fiskale, të paguhet me paratë që bizneset do të japin për llogari të pushtetit vendor, pra kuleta e qeverisë “Berisha” nuk do të cenohet dhe superfitimi i siguruar nga procesi i pajisjes me kasa fiskale të mbi 100 mijë bizneseve është i garantuar. Në këtë aferë korruptive kasash, të humbur janë shqiptarët dhe Shqipëria, e cila ende nuk po implementon as ato reforma të thjeshta të ekonomisë së tregut, siç janë kasat tatimore. E fituar është vetëm qeveria, që përballë kusarisë së radhës shoi edhe zemëratën e një grupi tregtarësh, të cilët në fund të fundit janë edhe votuesit e nesërm të zgjedhjeve vendore.
I humbur është shteti ligjor dhe qytetarët e tjerë, të cilët duhet të ishin të barabartë para ligjit, siç e garanton edhe Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë. Në shtetin antiligjor të implementuar nga qeveritë e Shqipërisë, një pjesë paguan edhe për ata që nuk paguajnë. Në rastin e kasave fiskale, qindra-mijëra tregtarë janë të detyruar nën forcën e ligjit që të blejnë kasat fiskale me çmime abuzive, ndërsa një pjesë tjetër nuk do t’i nënshtrohen këtij sanksioni ligjor.
Kështu edhe në raste të tjera kur shteti të kërkon të paguash në emër të ligjit. Pak vite më parë, por mund të ndodhë sërish, shteti falimentoi para banorëve të zonës informale në Bathore për të vjelë faturat e prapambetura të energjisë elektrike. Konfrontimi me policinë ishte po aq i dhunshëm sa dhe vendosmëria e banorëve për të mos paguar asnjë qindarkë për llogari të kompanisë shtetërore. Kështu kanë bërë ata historikisht me çdo nismë qeveritare për t’i detyruar që të paguajnë detyrimet ligjore. Dhe në çdo rast, qeveria është tërhequr, duke i dhënë krahë anarkisë, antiligjit dhe duke ia faturuar pjesën e munguar të taksave të mbledhura mbi pjesën që paguan historikisht të gjitha taksat.
Ky handikap antiligjor, ku ai që paguan paguan edhe për atë që nuk paguan, ishte edhe alibia më e fortë e drejtorit të CEZ, dy ditë më parë, për të rritur sërish çmimin e energjisë elektrike për konsumatorët familjarë deri në masën 30 për qind. Kur kompania çeke, që menaxhon shpërndarjen e energjisë te konsumatori, vendosi rritjen e çmimit një vit më parë, humbjet nga mosfaturimi dhe mosarkëtimi, kishin qenë më të larta se ç’i kishte trashëguar nga KESH-i. Duke e kuptuar se në këtë vend, operohet me dy standarde, duke mos prekur fitimin e pritshëm, pronarët e CEZ, vendosën të propozojnë rritjen e çmimit sërish, sepse kështu merret pjesa e atyre që nuk paguajnë energjinë e konsumuar, pra duke ua mbivendosur mbi shpatulla atyre që përherë kanë paguar.
Nuk është çudi që ERE të miratojë rritjen e propozuar nga CEZ, por edhe nga KESH, sepse edhe qeveria ka një paketë aksionesh bashkë me kompaninë çeke, dhe I intereson që të mos ketë asnjë firo nga fitimet e planifikuara. Po kështu ndodh edhe me çmimin e telefonisë fikse, të rritur në mënyrë të paargumentuar, ujit të pijshëm po ashtu të shtrenjtuar, në mënyrë abuzive, për të njëjtin mall dhe me të njëjtën cilësi shërbimi.
Nuk është e vështirë të kuptohet se pas reformave të qeverisë për shtetin ligjor, fshihet edhe kriza e madhe e likuiditeteve. Financat e qeverisë janë ende me brekë nëpër këmbë, pas atij viti të çmendur elektoral, ku u bënë rrush e kumbulla qindra milionët e buxhetit për të rrëmbyer një mandat të dytë qeverisës, pas asaj krize financiare që prej dy vitesh është ulur këmbëkryq mes shqiptarëve, ndërsa qeveria flet për suksese ekonomike panevropiane.
Dy ditë më parë shitësit e brekëve në Tiranë, dolën të fituar nga një betejë ku humbi shteti ligjor. Por dhanë një leksion të madh për popullin më të fjetur dhe më të nënshtruar të Evropës Juglindore: me protesta fiton edhe kur nuk ke të drejtë, jo më kur të kanë rënë në qafë dhe të kërcënojnë edhe me mohimin e bukës së gojës, siç po ndodh me shumicën e shqiptarëve në vjeshtën e vitit 2010.