Turpi i reklamave nudo

0
58

Nga Isidor KOTI/ Publicist
23 Shtator 2010

Shikoni çfarë ndodh rreth e qark nesh. Reklama me femra të zhveshura, pjesët e tyre intime, madje edhe në momente aktesh seksuale. Ky është një skandal i vërtetë, si në kohën e Sodomës dhe Gomorës kur njerëzit e lashtë bënin veprime të pamoralshme në mes të rrugës.

TIRANE – Kam luajtur mendsh kur dëgjova shifrën e një sondazhi. Në llogaritë e mia dilnin 20, e shumta 50 reklama që mund të shikoja gjatë një dite. Por, kam gabuar. Statistikat botërore kanë treguar se në një ditë të zakonshme një qenie njerëzore bombardohet nga afërsisht 4000 reklama. Është e tmerrshme! Aq reklama sa takojmë në ditë nuk i kemi takuar as njerëzit gjatë jetës sonë. Tirana për shembull të lajthit me publicitetin e produkteve të konsumit. Sigurisht, jo vetëm ajo. Por nuk qëndron këtu problemi. Në thelb, reklamimi është pjesë e pazëvendësueshme e ekonomisë së tregut, pa të cilën nuk mund të ketë ekzistencë një shoqëri në zhvillim. Gjithëkush mundohet që ta shesë mallin e vet, ashtu sikurse të gjithë ne shesim imazhin tonë për të pasur pozita më të favorshme te të tjerët. Por as me këtë teori nuk ia vlen të ndalemi gjatë.

Le t?ia lëmë si kundërpeshë Adam Smithit, i cili thotë se reklamimi, jo vetëm që nuk është çelësi i funksionimit të tregut të lirë, por edhe e pengon, duke ndikuar negativisht në mirëqenien njerëzore. Këtu del një rezultat interesant sidomos në metodën që përdorin rëndom sot bizneset. Në vend të shesin produkte konsumi, ato ofrojnë si konsum për instiktet më rebele njerëzore, pikërisht seksin.

Shikoni çfarë ndodh rreth e qark nesh. Reklama me femra të zhveshura, pjesët e tyre intime, madje edhe në momente aktesh seksuale. Ky është një skandal i vërtetë, si në kohën e Sodomës dhe Gomorës kur njerëzit e lashtë bënin veprime të pamoralshme në mes të rrugës. Sot ky veprim është më i sofistikuar, por me efekt edhe më negativ, sepse ofron imazhe të fiksuara në memorien edhe të një vogëlushi, që shqyen sytë kur shikon haptaz gjëra të ndaluara. Akoma më vështirë e ka prindi ta ndalojë, ose shoferi të shikojë rrugën dhe të mbajë drejt timonin. Reklamat joshëse në vend të ofrojnë cilësinë e produktit ngacmojnë në mënyrë ekstreme vëmendjen qytetare, duke e tjetërsuar qëllimin e tyre, vetëm e vetëm që të shiten, pa marrë parasysh pasojat sociale që shkaktohen.

?OFERTË EKSKLUZIVE!!! Dhe pas kësaj një slogan i tepruar, shoqëruar me lakuriqësi dhe miliona lekë të shpenzuara për të pushtuar qytetet tona, vlera e të cilave kompensohet përmes xhepit të qytetarëve. Ky është zinxhirri alarmues që mund të shqetësojë deri diku gazetarët ose psikologët, por aspak pushtetarët vendorë dhe qëndrorë, të cilët lejojnë të publikohen këto imazhe, duke mos miratuar një ligj për shmangien e tyre. Miratimi i shpejtë i një ligji për marketingun dhe imazhet në publik është nevojë imediate dhe tepër e vonuar. Nëse nuk do të ketë reagim do të shikojmë nëpër qytete gjëra edhe më të tmerrshme. Është për të ardhur keq që nuk merren në konsideratë interesat morale të opinionit publik, i cili pret cilësi dhe jo ngacmim instiktesh.

Sigurisht, edhe bizneset gabohen rëndë në këtë zgjedhje, sepse ata duhet t?i lëvizin blerësit në rrugën e komunikimit me mallin dhe jo në abuzim me ?përdoruesit e rremë?. Kompanitë duan të arrijnë tek klientët nëpërmjet imazhit perfekt të një femre të bukur deri sa t?ia arrijnë qëllimit. Megjithë suksesin, në këtë treg të fortë konkurence, imazhi i vajzave të zhveshura kthehet në neveritje, sepse ?plaçkat e shtëpisë nuk mund të dalin në treg?. Tek e fundit, shoqëria njerëzore e mbron fort moralin e saj, në të kundërt e kalon vetveten në shthurrje dhe pasojat janë të rënda.

Qytetarët janë viktimizuar dhe nga konsumatorë të produkteve janë kthyer në konsumatorë të seksit. Të gjithë po e përtypim seksin në mënyrë kolektive përmes banerave kilometrikë dhe sloganeve false. Dhe në gjithë këtë problematikë është i habitshëm qëndrimi ynë qytetar. Kemi harruar të reagojmë, të shqetësohemi për gjëra qënësore, për etikën dhe moralin që shpërfillen thjesht dhe vetëm për ca para më shumë.