Jari me mustaqe, Jari me nishan

0
46

Nga Bledi ManePublic Enemy, 25 Korrik 2012
www.facebook.com/bledi.mane

Për herë të parë gjatë këtyre 100 viteve të independencës, Shqipëria ka çliruar veten nga hipokrizia periodike e liderëzimit chic, fodull dhe hipokrit. Fatmirësisht dhe fatkeqësisht pesë vitet e ardhshme nuk do të kemi në krye të shtetit një drejtues që do të stonojë me republikën. Nuk do të kemi një president të shëndetshëm, të gjatë, simpatik, pragmatist, luajal, avokat të Kushtetutës, mbi palët politike por mrekullisht kësaj here Ai na ka zgjedhur një president kopje të vetë Shqipërisë.

Nuk dua t’ia prish gëzimin Bujar Nishanit të sapo ulur më bythë mbi karrigen e Bamir Topit, por dje tek shikoja pamjet e ceremonisë me topa e gjyle mu përshkëndit para syve dhe nuhata nëpër hundë një Shqipëri më orientale, më të lodhur. Bujari i veshur me kostum të zi e kravatë të kuqe thjesht më shëmbëlleu Shqipërinë e sotme origjinale e pa lajle-lule.

Një Bujar me flokë gjysëm të rënë majë koke më fanepsi pyjet e prerë dhe të masakruar të vendit tim.

Një Bujar gjysëm i mpirë me dorë e këmbë të sëmurë e pa qarkullim gjaku ndër vena më pikturoi Shqipërinë e veriut të braktisur e abandonuar prej gjindjes ku nuk qarkullon asnjë frymë.

Një Bujar me mustaqe aspak estetike dhe stonaturë e gjallë në raport me fytyrën dhe llapat e veshëve më kujtoi ndërtimet e paligjshme buzë bregdetit të çvirgjëruar shpartallueshëm të kësaj qoshke mesdhetare.

Një Bujar që handikapi i të ecurit ia vështirëson më tepër detyrën më vizaton bardhë e zi një Shqipëri që pa ndihmën prej shteteve mike mund të plasej në tokë e të ngordhte e vetmuar aty prore.

Një Bujar tek lexonte fjalimin e thatë, ordiner, të vakët dhe pa kolorit shprese dhe entuziazmi të inaugurimit më kujtonte Shqipërinë analfabete, të keqarsimuar dhe me elita të strukura fshehtas në skutat e frikës apo materializmit makut.

Një Bujar i zgjedhur kuturu rastësishëm president nga i Plotfuqishmi më kujton nëpërkëmbjen që i bëhet vendit nga të njëjta koka të nxehta politikanësh lokalë apo diplomatë anonimë perëndimorë që Shqipëria i kthen në yje ekranesh të cilët xhelozojnë më pas Hollywood e Bollywood bashkë.

Bujar Nishani është kopja e gjallë e Shqipërisë së sëmurë. Zgjedhja e tij prej Atij duhet përshëndetur sepse presidenti dhe republika tashmë janë shëmbëlltyra e njëri-tjetrit.

Bujar Nishani përfaqësues i këtij vendi nuk do të zhgënjejë më askënd. Kur emri ALBANIA do të thirret kudo, kur flamuri a himni ynë kombëtar do të valëvitet a këndohet, kur do të flitet për historinë, ekonominë,turizmin, sportin shqiptar do të shihni tek parakalon çalë-çalë e i sëmurë presidenti ynë. Bujari është një prej nesh. Tek ky mustaqelli tashmë më mirë se kurrë janë fashitur dembelizmi ynë, servilizmi, hipokrizia, paaftësia, virozat nacionale stinore, pamundësia për të shpartalluar amullinë e gjatë.

Bujari ashtu si Shqipëria është dilemë e madhe mes orientit dhe oksidentit, është goja në të cilën po nuk u gëlltitën tabletat antisëmundje prej recetës së mjekëve (ndërkombëtarëve) do të mbetet thjesht një trup i pakallur që nuk lëviz. Bujari porsi republika e tij mbetet qoshkë ballkanike ku e shkuara e mykur tall trapin me të ardhmen, është personifikimi i vezirëve të dikurshëm, të cilët edhe për tu larë në hamam prisnin gjatë derisa u vinte haberi prej sulltanit.

Unë personalisht ndjehem krenar kësaj radhe me këtë zgjedhje presidenciale. Atdheu im i sëmurë prej dekadash nuk ndjehet vetëm, por te dhoma e spitalit i vjen një tjetër pacient, presidenti i tij. Ngushëlloj veten sepse për herë të parë Shqipëria nuk hapet bythësh në mënyrë hipokrite. E çfarë na duhet një president i shëndetshëm kur atdheun e kemi të pa ngopur, të pa larë, të keq arsimuar, me spitale si hale dhe hale si spitale…? Kësaj radhe nuk po gënjejmë as veten.

Vetëm diçka më habiti para pak javësh tek dëgjoja Bujarin kur thoshte:

-Jam i sëmurë, por doktor Mentor Petrela më ka thënë se pas një viti e gjysëm shërohem totalisht!

Çfarë të jetë vallë kjo përgjigje metaforike e Nishanit?

Mos ndoshta parashikon se mot në këto kohë shporrim të gjithë bashkë mentorin e tij nga pushteti dhe jo vetëm Bujari, por edhe Republika fillon të shërohet dalë ngadalë?

Gëzuar 100 vjetorin e pavarësisë Shqipëria ime. Je me fat si dikur. Porsi vëllezërit Frashëri, Ismail Qemali, Luigj Gurakuqi, Ahmet Zogu, Bajram Curri një tjetër burrështeti që do të të udhëheqë mban sërish mustaqe mbi buzë. Vetëm mustaqe ka se për të tjera virtyte as nuk bëhet fjalë. Ta gëzosh presidentin e ri atdheu i Jarit me mustaqe mbi buzë e nishan mbi mbiemër.