Monika Shoshori Stafa
Baronesha Helene Hayman, kryetare e Dhomës së Lordëve, apo e Dhomës së Lartë të Parlamentit britanik, iu drejtua ligjvënësve shqiptarë me një fjalim të urtë, tipik për një përfaqësuese të lartë të aristokracisë politike të vendit të saj; tipik për një kryetare të “dhomës së konvergjencës”, sikurse njihet botërisht Dhoma e Lordëve. Me elegancë, pa fyer aspak inteligjencën e dyshimtë të mikpritësve të saj, pa pretenduar për të dhënë porosi, por thjesht duke iu referuar përvojës britanike, baronesha Hayman foli shumë qartë për çka shqiptarët s’dinë ta bëjnë mirë, ose më saktë nuk duan.
Mësimi i parë i baroneshës Hayman ishte përcaktimi i opozitës britanike si “opozitë e Madhërisë së Saj”. Ne në Britani nuk flasim për opozitë të shumicës që qeveris, por për opozitë të Mbretëreshës. Sigurisht, jo për një opozitë që do të kuptohej si kundërshtare e Madhërisë së Saj, por për një pasuri britanike të Madhërisë së Saj. Sepse, në konceptin britanik, si shumica, edhe pakica, pavarësisht se çfarë mospajtimesh mund të kenë midis tyre – gjë kjo krejt e natyrshme në shoqëritë parlamentare – janë pasuri dhe vlera të pacenueshme të shtetit britanik, janë me të njëjtin status përgjegjësie dhe mbrojtjeje para kurorës.
Me të drejtë mund të thuhet se në Britani kjo mund të ndodhë, sepse Britania është një shtet me kurorë të trashëgueshme, ka një shenjë ku bashkohen të gjithë, por si mund të ndodhë kjo në Shqipëri? Domethënë pasuri të kujt mund të jenë shumica dhe opozita njëherësh, pavarësisht se kundërshtare mes tyre?
Çdo vend ka traditën e vet të qeverisjes dhe çdo vend ka shenjën e vet të njësisë në shumësi, që mund të jetë Kushtetuta, kryetari i shtetit, interesat strategjike të vendit. Një vetëdije e tillë do t’i jepte fund vuajtjes tashmë prej dy dekadash të opozitarizmit me shtetin në vend të opozitarizmit me pushtetet. Pikërisht ky kufizim, flijimi i herëpashershëm i interesave të shtetit për hir të mbijetesës në pushtet ka shkaktuar dëme krejt të evitueshme në jetën e vendit. Mbi të gjitha tejkalimi i këtij kufizimi do të bënte të mundur që partitë politike, pavarësisht orientimeve të veta, të quheshin e të njiheshin si pasuri kombëtare, jo si alternime të së mirës dhe së keqes, krimit me ndëshkimin, atdhetarizmit me tradhtinë, siç është në fjalorin politik shqiptar të sotëm.
Këshilla e dytë e baroneshës Hayman, ndaj së cilës nuk u duk të shprehej ndonjëfarë vëmendjeje, ishte se ne, në Britani, e respektojmë parimin e besnikërisë politike, që do të thotë besnikëri ndaj votuesve, besnikëri ndaj krahut politik, besnikëri ndaj programit, por, herë pas here, krijojmë dhe grupime parlamentare që qëndrojnë mbi kufijtë dhe disiplinat partiake, grupime të majtësh e të djathtësh, konservatorësh e liberalësh, që, pavarësisht dallimit politik dhe orientimit të përgjithshëm, bashkohen në një interes që është më i madh se i pjesës, për shembull mjedisi, klima, investimet strategjike, pjesëmarrja në një ndërhyrje ndërkombëtare dhe kjo nuk quhet aspak pabesi apo mungesë besnikërie politike.
Në të dyja nivelet e shprehjes së baroneshës Hayman shqiptarët ligjvënës kishin shumë për të mësuar. Së pari, sepse në Shqipëri besnikëria politike nuk është traditë dhe as kulturë, sepse ky është një vend ku i majti në mëngjes ngrihet më i djathtë se i djathti, një vend ku e majta vetë konkurron me një program më të djathtë se e djathta, një vend ku shpeshherë çoroditja vjen sepse krahët nuk janë asnjëherë në vendin e vet; por edhe në nivelin tjetër, në atë të konceptit për “pabesnikërinë politike”, që shprehet në grupimet mbipartiake.
Në fakt, e gjitha kjo rikthehet te koncepti i konvergjencës, i shprehur në vlerësimin se shumica dhe pakica në Britani janë pasuri të Madhërisë së Saj. A ka ndodhur ndonjëherë në Shqipëri, në një vend ku deputetët shiten e blihen nga partitë si gjëja më e lehtë, në një vend ku deputeti i majtë i lutet kryetarit të së djathtës t’ia ruajë votat, pra, një vend pabesie të përditshme politike, të ndodhë ajo pabesia e vogël e bashkimit të votave të një pjese të së majtës me një pjesë të së djathtës për një interes mbipartiak? Ndoshta kur të ndodhë kjo, do të jetë shenjë e një progresi të dukshëm të parlamentarizmit në Shqipëri.
Mësimi i tretë i baroneshës Hayman ishte dhe më i thjeshtë. Ne në Britani e përdorim si instrument politik kompromisin, tha ajo, por dallimi ynë është se kompromisin nuk e interpretojmë sa ka humbur njëra palë e sa ka humbur pala tjetër, sepse në konceptin tonë kompromisi është gjuha e fitores për të dyja palët. Kjo do të thotë se palët hyjnë në një negociatë politike jo me paracaktimin se duhet t’u dalë e veta, por me vetëdijen se duhet të respektojnë interesat e veta dhe të tjetrit.
Dhe ndoshta kjo është arsyeja pse në Britani nuk ka deputetë që ngujohen në greva urie në sallën e Parlamentit, në dyert e qeverisë, në mes të sheshit, madje, po të jetë e nevojshme, edhe nën tokë. Gjuha e kompromisit është gjuha e demokracisë, sepse vetë demokracia nënkupton ekzistencën e shumë palëve. Në demokraci vendos shumica, por në një demokraci të vërtetë nuk mund të jenë kurrë të përjashtuara interesat e palës tjetër, interesat e pakicës ose të pakicave.
Të gjitha këshillat e baroneshës Hayman kanë një kushtëzim me njëra-tjetrën, konvergjencën. Konvergjenca është çështje e traditës parlamentare, e kulturës politike, e shkallës së pjekurisë së demokracisë, por mos ndoshta është dhe çështje e institucioneve? Kjo pyetje shtrohet pas njohjes me këshillat e baroneshës Hayman për arsyen e thjeshtë se institucioneve të shtetit shqiptar u mungon institucioni i konvergjencës, domethënë një dhomë e lartë ligjvënësish, që diku quhet Senat, diku dhomë lordësh, diku edhe terminologjikisht dhomë e konvergjencës.
Disa herë është hedhur kjo ide prej konstitucionalistëve shqiptarë. Dhe nuk është se nuk ka ekzistuar asnjëherë Dhoma e Lartë, Senati, Këshilli i Shtetit, në jetën politike të Shqipërisë. Kanë ekzistuar këto institucione dhe madje kanë funksionuar mirë në periudhën mbretërore. Problemi është që konvergjenca të mos vijë prej tryezash me pazare politike midis partive, që po përsëriten një pas një qysh prej vitit 1991, me qeveritë teknike e të stabilizimit, pastaj me qeverinë e shpëtimit kombëtar (1997), me zgjedhjen e dy presidentëve, me ndryshimet në Kodet Elektorale dhe tani së fundmi dhe me hetimin e zgjedhjeve të kaluara.
Pse duhet të vendosin dy përfaqësi partish, kur konvergjenca mund të vijë në mënyrë të detyruar prej Dhomës së Lartë, e cila si rregull nuk ka të njëjtat raporte me Dhomën e Ulët, ka të zgjedhur rishtas e të zgjedhur të mëhershëm, ka senatorë të përjetshëm, madje ka dhe të emëruar prej institucioneve kushtetuese, sikurse ishte dhe vetë baronesha Hayman, e cila e filloi fjalën e saj pikërisht me pohimin se unë jam e emëruar. Pra, a mund të ketë kushte juridike dhe kushtetuese edhe në Shqipëri, që konvergjenca të mos jetë çështje vullneti (që në gjuhën e shqiptarëve fare lehtë mund të quhet edhe çështje teke), por zgjidhje që vjen prej një institucioni që ka si funksion themelor pikërisht arritjen e konvergjencës?
A nuk po asistojmë prej një kohe të gjatë konflikte brenda klasës qeverisëse, kthim ligjesh të së djathtës prej Presidentit të zgjedhur nga e djathta; kthim kandidaturash të propozuara nga kryetari i shtetit i së djathtës po nga shumica e djathtë që e ka zgjedhur? Kushtetuta nuk është një testament, që është ngurtësuar njëherë e mirë dhe nuk pranon përshtatje.