Nga Auron Tare, 25 Korrik 2012
Sa hyn në doganën shqiptare të Kakavijës, syri të zë në kioskën e policit një poster të madh, ngjitur paksa shtrembër, shkruar në anglisht. Një foto e madhe me dy duar që mbajnë një vazo antike greke dhe shenja e ndalimit me tërhoqi vëmendjen për ta parë nga afër.
Posteri i madh kishte një titull shumë domethënës. “Trashëgimia Kulturore- Identiteti Europian i Shqipërisë” dhe më poshtë po në anglisht një sërë radhësh shpjeguese për çdo të huaj që hyn në Kakavijë.
Radha e njerëzve përpara policit ishte paksa e gjatë kështu që për të kaluar kohën fillova ta shikoj me vëmendje posterin e trashëgimisë.
Titulli i posterit më pëlqeu shumë. Një gjetje e MKTRS, thashë me vete. Identiteti ynë europian është trashëgimia kulturore, bravo ministria. Por më habiti fotoja e përzgjedhur. MKTRS me këtë foto që ka vendosur për të ilustruar këtë ide kërkon me sa duket të dëshmojë edhe diçka tjetër. Duart e ministrisë sonë të Kulturës që mbajnë vazon antike helene në foto, me sa kuptohet kërkojnë të dëshmojnë se trashëgimia jonë kulturore përfaqësohet nga kultura helene. Ky është mesazhi i qartë që ministria jonë dhe Drejtoria e Trashëgimisë kërkojnë të dëshmojnë. Nuk ka shpjegim tjetër kjo foto.
Mesa duket ministria jone e Kulturës nuk di se në territorin e Shqipërisë, krahas zbulimeve të mrekullueshme të artit helen apo romak në kolonitë e bregdetit, ka ekzistuar edhe një trashëgimi kulturore e pasur ilire. Objekte shume interesante qeramike, zbukurime apo armë të ndryshme të popullsive ilire janë gjetur pa fund. Ministria e Kulturës dhe Drejtori i Trashëgimisë Kulturore, arkeologu Lafe, nuk e dinë se ka me qindra artikuj të shkruar mbi kulturën ilire, kulturë të cilës një plejadë e madhe studiuesish kërkojnë t’i identifikojnë gjenezën e popullsisë shqiptare.
A jemi apo nuk jemi ilire? Jo, me sa duket të gjitha mësimet e shkollës, artikujt e profesorëve të historisë, gërmimet e arkeologëve, studimet e gjuhëtarëve hidhen poshtë lehtësisht nga ministria jonë e Kulturës dhe Drejtoria e Trashëgimisë. Të huajt që hyjnë në Shqipëri dhe lexojnë posterin e MKTRS nuk e njohin Çabejin. Nuk e kanë lexuar ndonjëherë as Korkutin dhe as Cekën. Nuk i njohin studimet e një sërë studiuesish europianë për çështjet ilire. Ata thjesht marrin një mesazh të qartë nga i zoti i vendit mu në portën e shtëpisë. “Trashëgimia Kulturore Europiane e shqiptareve është kultura helene”.
Bravo ju qoftë o të mëdhenjtë e kulturës sonë. A thua se nuk kishte mundësi që duart që mbajnë vazon helene nuk mund të mbanin dot vazo ilire? Zbukurimet e mrekullueshme të zbuluara në Selcë të Mokrës nuk ishin të denja për posterin tuaj? Helmeta e famshme ilire me të cilën krenohen muzeumet e njohur të botës, nuk ishte e denjë për tu reklamuar në hyrje të portave të Shqipërisë? JO, JO, ministri ynë i Kulturës dhe arkeologu Lafe, që drejton punët e trashëgimisë sonë janë të qartë. Identiteti ynë kulturor është helen.
Teksa lexoja posterin e Ministrisë së Kulturës, një autobus me udhëtarë sapo mbërriti dhe shqipot si ilirë të vërtetë u sulën të gjithë pa radhë për të vulosur pasaportat. Plus disa të fortë me Benza të shtrenjtë, me brekë të shkurtra dhe barkun përjashta iu shtuan radhës së gjatë. Kështu që nuk më mbeti gjë, por t’i rikthehesha leximit të posterit.
Pika 1. “Vjedhja, grabitja dhe dëmtimi i monumenteve të kulturës, ansambleve, qëndrave historike dhe parqeve arkeologjike është e ndaluar rreptësisht me ligj”.
Pika 3. “Vjedhja, grabitja dhe dëmtimi i çdo objekti me vlerë të trashëgimisë kulturore të Shqipërisë është rreptësisht i ndaluar me ligj dhe dënohet me gjobë apo me burgim”.
“Denonconi në numrin 129 nëse keni qenë dëshmitar i veprimeve të mësipërme.
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve
Drejtoria e Trashëgimisë Kulturore
Mbështetur nga ICEBERG
—-
Ky ishte në menyrë të përmbledhur teksti i posterit të Ministrisë.
Ndërkohe më kishte ardhur radha. Vulosa pasaportën dhe duke hipur në makinë vendosa të provoj nëse e gjitha ajo që shkruhej në poster ishte e vërtetë.
Telefonova në numrin 129, pasi prita pak, një zë me theks jugor, por korrekt, mu prezantua si oficeri i sallës operative.
Auroni: Jam një qytetar, i thashë duke i dhënë emrin. Dëshiroja të dija nëse mund të denoncoja një tentativë për prishjen e një monumenti të kulturës sipas udhëzimit që sapo lexova në posterin e MKRS.
Po- më tha zëri matanë telefonit- mundeni.
Auroni: A është krim i dënueshëm tentativa për prishjen e një monumenti kulture të shpallur me ligj?
Oficeri i Policisë: Po, patjetër.
Auroni: Nëse ky monument dëmtohet edhe pjesërisht, a është i dënueshëm me ligj?
Oficeri i policisë: Po, sigurisht, ligji e përcakton qartë po dëmtove monumentin, dënohesh me burg.
Auroni: Faleminderit, atëherë shënojeni ju lutem. Ka një tentativë për të dëmtuar Pallatin e Brigadave në Tiranë.
Oficeri: Po e shkruaj edhe një herë, Pallati i Brigadave. Kuptova. Po kush është ky kërriç që do të prishë Pallatin e Brigadave?
Auroni: Z. Kryeministër.
Oficeri: Kush more? Shiko more djalë, po pse nuk e bën denoncimin në Tiranë të lutem?
Auroni: Po i rashe numrit 129 dhe ju me dolët, a mbajtët shënim apo jo?
Oficeri: Z. Auron, mirupafshim!
E mbylla telefonin. Posteri ishte shumë i qartë. I drejtohej europianëve.