Nga: OLA MITRE
Psikiatri i Ardian Klosit: Bisedat me të para vetëvrasjesTIRANË – Data 27 prill ishte ditë zie për familjen Klosi. Njeriu i tyre i dashur vendosi të mos jetonte më, ndërsa kjo shokoi të afërmit, miqtë, por edhe njerëz që thjesht kishin dëgjuar e njohur idetë e tij të mençura. Shumë prej tyre folën, shprehën dhimbjen, indinjatën, respektin, mirë-njohjen… Por dikush që i qëndroi shumë më afër se të tjerët vendosi të heshtë. Vendosi të heshtë vetëm për të respektuar e moslënduar familjen e tij.
Është mjeku dhe psikiatri i njohur Afrim Dangëllia, i cili u kujdes me përkushtim e profesionalizëm për të mos i “zhdukur” familjes dhe lexuesve të tij njeriun me mendje të hapur. Ashtu siç pohon edhe vetë “ndonjëherë mjekësia dhe medikamentet janë të pamjaftueshme për të ndaluar këtë veprim”, e i tillë ishte edhe rasti i publicistit të njohur.
Megjithatë, sot ai ka vendosur të rrëfejë disa nga kujtimet e tij, por gjithsesi të tregohet i kujdesshëm në nder të atyre që janë gjallë e që mund të lëndohen nga çdo detaj. Shqetësohet pa masë për motrat e të ndjerit, duke qenë se i ka mikesha shtëpie, ndërsa vendos të respektojë edhe ata njerëz që dëshirojnë të dinë diçka më tepër.
Doktor ju u përcaktuat nga drejtoria spitalore për të ndjekur rastin e Ardian Klosit?
Nuk ka ndodhur kështu. Ky ishte versioni që dhanë mediat. Padiskutim që ka mjekë të mirë dhe mjekë jo të mirë. Pavarësisht vlerësimit që m’u bë, mua më zgjodhi vetë familja për të ndjekur Ardianin. Jam mik i vjetër i asaj familjeje të nderuar, që e respektoj shumë. Janë një familje me tradita dhe kulturë të jashtëzakonshme. Kam një respekt shumë të madh dhe nuk mund të flas gjerësisht pa marrë lejen e tyre. Nuk dua t’i lëndoj me ato që mund të them.
Si u ndjetë kur u përcaktuat si mjeku i tij?
Shumë i respektuar. Dihet që respekti është reciprok. Duke qenë se jam mik i familjes dhe kam shumë respekt për ta, padyshim që ishte vlerësim për mua që më zgjodhën për kurimin e tij.
Çfarë kujtoni nga kurimi i të ndjerit?mi i të ndjerit?
Pas tentativës së parë, ai ishte mirë. Mbaj mend që pasi doli nga spitali më mori në telefon për të më kërkuar leje nëse mund të udhëtonte për në Berlin. I thashë që padyshim që mund të udhëtonte, mund të merrte edhe ilaçet me vete dhe nuk kishte arsye për të mos udhëtuar. Ishte shumë mirë.
Po ndonjë detaj tjetër?
Më ka dhuruar një libër të Franc Kafkës në gjuhën gjermane. Ishte një njeri i madh, që unë e respektoja shumë.
Ju i qëndruat afër, sipas perceptimit tuaj pse ai mori këtë vendim?
Ne si psikiatër dallojmë tre faktorë që mund të shkaktojnë probleme. Është faktori biologjik, i cili në mënyrë absolute nuk mund të kontrollohet. Pastaj janë faktori psikologjik dhe ai social. Për mendimin tim në këtë rast kemi të bëjmë me faktorin social. Edhe mua nëse më pushojnë nga puna dhe më heqin nga kjo tavolinë që jam ulur do të ndjehem keq dhe do e përjetoj në mënyrë të tillë.
Sipas jush, a mund të parandalohej ajo që ndodhi?
Ndonjëherë medikamentet janë të pamjaftueshme për të ndaluar të tilla raste. Mjekësia para tyre është e pafuqishme për të dhënë rezultate. Herën e dytë ai u shtrua tek Spitali Ushtarak, pasi ne këtu nuk kemi kushtet e nevojshme. Edhe mjekët që e asistuan, të dy janë shumë të specializuar, por ka disa raste ku është i pamundur parandalimi.
Si u ndjetë kur për atë që ndodhi?
Jashtëzakonisht shumë keq. U trondita kur dëgjova lajmin. Ishte një humbje e madhe.
(e.m/GazetaShqiptare/BalkanWeb)