Nga Mero Baze
Organizata më prestigjioze në botë për matjen e nivelit të korrupsionit, Transparency International, ka renditur Shqipërinë si vendin e parafundit në Evropë për sa i përket nivelit të korrupsionit dhe e ka zbritur atë dhjetë shkallë në renditjen botërore, duke lënë pas dhe vende të tilla të pazhvilluara si Uganda dhe Ruanda. Klasifikimi i Transparency International, një organizatë e shumëcituar nga zoti Berisha para zgjedhjeve, vjen 4 muaj pas zgjedhjeve elektorale, pasi Berisha ka ripërdorur betejën kundër korrupsionit si fitore të tij. Ky përkeqësim i fortë i treguesve të luftës kundër korrupsionit vjen së pari nga betejat e shtypit kundër korrupsionit në vend, dhe bindja se qeveria është realisht e përfshirë në spiralen e korrupsionit në vend. Falë këtyre betejave të medies, qytetarët shqiptarë e perceptojnë qeverinë e tyre si të korruptuar dhe se korrupsioni elektoral e ka forcuar më tej këtë linjë, duke futur si aktor të luftës kundër korrupsionit edhe opozitën, e cila e neglizhoi këtë betejë para zgjedhjeve.
Fakti që opinioni publik në Shqipëri ka pasur një perceptim shumë negativ për qeverisjen dhe korrupsionin gjatë këtij viti elektoral, dëshmon nga ana tjetër se nuk kanë qenë zgjedhjet e lira, por korrupsioni elektoral ai që ka bërë të mundur stanjacionin e pushtetit të kryeministrit Berisha dhe shmangien e rotacionit politik. Disa beteja të mëdha të medies kundër korrupsionit që lidheshin me kryeministrin Berisha dhe familjen e tij, kanë krijuar një perceptim të gjerë popullor për përfshirjen e tij direkt në aferat korruptive. Historia e përfshirjes së djalit të tij në lobimin e kontratës së Gërdecit, historia e përfshirjes së vajzës së tij në aferat e shitje-blerjeve të kompanive të Damir Fazlliçit, dhe koncesionet në vend, historia e presioneve direkte të Berishës ndaj gjyqësorit dhe prokurorisë për të shpëtuar ministrat e akuzuar, Mediu dhe Basha, kanë qenë fakte të mjaftueshme për opinionin publik ta shikonin korrupsionin si një monument të paprekshëm që ruhej nga kryeministri Berisha.
Zhvillimet paszgjedhore po dëshmojnë, jo vetëm fitoret false të trumbetuara para zgjedhjeve, por dhe mashtrimin elektoral të qeverisë, si në premtimet kundër korrupsionit, ashtu dhe në ndërtimin e veprave publike elektorale. Pas zgjedhjeve ne kemi një qeveri, e cila na ka renditur të parafundit në Evropë, dhe pas Ruandës dhe Ugandës, për nivelin e korrupsionit.
Pas zgjedhjeve në kemi një vepër super të shtrenjtë, e quajtur “Rruga e Kombit”, ndërtuar me paratë e shqiptarëve, e cila, duke u përdorur për arsye elektorale, tashmë është shembur dhe po na kërkon pará të reja.
Pas zgjedhjeve ne kemi shumë figura të kriminalizuara të pushtetit të Berishës, që kanë përfituar nga paratë e taksapaguesve shqiptarë që po kthehen në heronj të shumicës pse dhunojnë medien në emër të mbrojtjes së interesave financiare të lidhura me kryeministrin.
Pas zgjedhjeve ne kemi një mungesë të qartë të respektit dhe përkushtimit për forcimin e institucioneve të gjyqësorit, duke tentuar të çojmë drejt vetëqeverisjes pa ligj edhe pushtetin gjyqësor.
Të gjitha këto fenomene që po shfaqen hapur dhe me arrogancë pas zgjedhjeve, kanë qenë të tilla dhe para zgjedhjeve, por thjesht mashtrimi elektoral ka shmangur korrigjimin e tyre. Ndaj çështja nuk zgjidhet duke gënjyer veten dhe shqiptarët, por duke shkuar te një zgjidhje politike, e cila do të fillojë të korrigjojë këtë fundosje kombëtare, e cila po na poshtëron si komb, duke na renditur pas vendeve afrikane.