Willy Kamsi: Duan ta zhdukin Gurakuqin nga historia e Shqipërisë

0
39

TemA, 24 Korrik 2012

Për shmangien e Gurakuqit ankohet edhe ambasadori i parë i Shqipërisë në Vatikan pas rrëzimit të komunizmit

Është folur këto ditë për një reagim të një numri intelektualësh shkodranë lidhur me injorimin që i është bërë Luigj Gurakuqit në serinë e nderimeve të përgatitura për disa personalitete të politikës e të kulturës shqiptare me rastin e 100 vjetorit të shpalljes së pavarësisë. “Reagim i disa intelektualëve shkodranë”, thuhej në lajm, por nuk jepeshin emra, duke provokuar kureshtje, e tek-tuk dyshime.

Nuk dihet nëse Willy Kamsi është pjesë e këtij grupi, por është e sigurt se ai ka të njëjtin shqetësim, gjë që na e bën me dije me anë të një shkrimi me titull ‘Kush don ta zhdukë Luigj Gurakuqin nga historia e Shqipërisë’, të publikuar në Mapo. “Në këtë vit jubilar nuk përmendet fare emri i Gurakuqit”, thotë Kamsi në fillim të artikullit, dhe më poshtë bën një listë kontributesh “të krahut të djathtë të Ismail Qemalit”:

“Veprimtaria e tij politike e atdhetare nis që kur, ende student, është ndër bashkëpunëtorët më të zellshëm të revistës “Albania” të Faik Konicës. Merr pjesë në Kongresin e Manastirit për Gjuhën shqipe (1908). Është drejtori i parë më 1909 i Shkollës Normale të Elbasanit.

Më 1911 merr pjesë me Ismail Qemalin në Kryengritjen e Malësisë së Madhe, nën drejtimin e Dedë Gjo’ Lulit, dhe harton Librin e Kuq të Gërçes me kërkesat e malësorëve ndaj Perandorisë Osmane. Dhe ishte vetëm 32 vjeç. [Në rrethanat e] ngritjes së Flamurit në Vlorë gjejmë përsëri në rolin kryesor Luigj Gurakuqin, i cili harton e shkruen me dorën e vet tekstin që lexohet në dokumentin e Shpalljes.

Të mos harrojmë edhe më vonë luftëtarin, me të tjerë atdhetarë, për mbrojtjen, në kohën e princ Ëied-it, të Shtetit Shqiptar (1914), kur mbet i plagosur, apo kontributin duke qenë Drejtor i Drejtorisë së Arsimit (1916-1918) në vitet e Luftës së Parë Botërore, duke hapur me qindra shkolla, ku mësimet jepeshin në gjuhën shqipe, duke themeluar gjithashtu Komisinë Letrare të Shkodrës.

Ai u përpoq të bashkonte Veri e Jug, të krishterë e myslimanë, gjuhë gege e toske. Dhe kështu u bë faktori kryesor në afrimin e shqiptarëve për një qëllim të vetëm: Bashkimin Kombëtar me synim Pavarësinë Kombëtare. Si të harrohet koha që qe ministër i Financave në qeverinë e Nolit dhe, si i tillë, kur e vranë, nuk i gjetën në xhep veçse 400 lireta. O tempora! O mores!”

http://respublica.al/artikuj/2012/07/24/willy-kamsi-duan-ta-zhdukin-gurakuqin-nga-historia-e-shqiperise