Ceremoni apo butafori?

0
48

Nga Myslym Pashaj, 24 Korrik 2012

Duhet të ishte shpirti i shqiponjës në ceremoninë e kreut të shtetit.

Po ne jemi larg shpirtit të saj.

Bëhen ceremoni kombëtare që ato t’i shërbejnë shpirtit të kombit. Kësilloj duhet të kish ndodhur edha kësaj mbrëmje ceremoniale, për të qenë gjithëbashkuese, gjithëfestive, zbutëse e konflikteve, flladitëse e dëshirave dhe shpresave të mbrothësisë së shqiptarëve.

Mirëpo edhe kjo mbrëmje ajo nuk ishte e tillë edhe pse pati parakalim, të shtëna topash, lule dhe fishekzjarrë.

Të gjitha këto ishin dallgëzime nervoze, goditëse, inatçore i asaj mendjeje konfliktuale që secilën festë e përqas vetëm me hijen e kalit të tij të përfytyruar, të cilit ia ka hipur dhe nuk i zbret.

Skenarist dhe regjisor i kësaj ceremonie nuk ishte Protokolli i Shtetit, por vetëm kalorësi i vetëshpallur, (që duhet thënë se deri tash ia ka dalë mbanë) të bëjë atë të cilën nuk e dëshiron populli i vet.

Dhe ja ceremonia vijoi në hullinë e programit.

Ajo ishte veçse një ngadhënjim mbi kundërshtarët me fishekzjarrë, topa, që ta marrë vesh “kulla” tjetër, kundruall, se kush jemi ne, se sa ngadhënjyes jemi ne.

Gati si në një mjedis mesjetar kullash fanatike.

Edhe të shtënat e topave edhe qilimat e kuq të shtruar dhe truproja parakaluese me uniforma vezulluese, ishin përshkëndritje të butaforisë berishiane që nuk ka lidhje me demokracinë.

“Që ata kundërshtarët që përcjellim sot, si ky djali plangprishës, ta marrin vesh se kush është këtu zot!”.

Ja në kënd një përmendore njerëzore e gjallë po rri si e ngrirë, aty ku e kanë vendosur, ku ia kanë caktuar të rrijë ai profil, se si të pozojë e si të qeshë e ç’kostum duhet të veshë.

Është ky ai i përfoluri, i shari, i sakatuari i epërm i shtetit, që e mori nojmën më të rëndë të tipizimit “horr bulevardi”

“Prandaj dhe ceremonia nuk do të bëhet atje tek rezidenca klasike, por këtu në vulevard, se ceremonia me një shtënë të topit plaquris për tokë dy zogj njëherësh: atë që po ikën dhe atë që po vjen, e për t’i thënë më shumë këtij të dytit se edhe ai mund të kthehet një ditë në një rekuizitë të tillë”.

“More vesh?”
“Mora thuaj!”
“Pa shih! Pa shih! Ç’na qenka!?”
“Ka ardhur PS-ja e kullës kundruall?”
“Ka ardhur apo e kanë sjellë me ‘zor’?”

E kanë futur në çarkun e Bulevardit, në vathën e tyre, për të treguar edhe një herë se kush është bariu.

“Ktheni kokën atje ku po bëhet parakalimi ceremonial i kësaj parade, për të parë se të vrarët e 21 janarit, për të cilët jeni ju shkaktarë, ndërsa ne vetëm bëjmë parakalime, për të treguar forcën tonë…”

“More vesh PS?“
“Mora thuaj!”
“Tani plas po deshe, duartrokit!”

Epilogu:

“ Mos ia jepni në dorë Kushtetutën, atij të ikurit!”
“Atë e dimë ne se kujt ia japim për dorëzim.”
“Zjarr! Zjarr!“ me dymbëdhjetë të shtëna.

A thua na bashkoi kjo ceremoni apo na dha një turfullim të ri të konfliktit midis dy kullave mesjetare kundruall?