Topi: “Mungesa e fjalimit tim në ceremoni? Do respektoj protokollin”. Rama: “Gjithsecili është i lirë të shkojë ose jo”

0
35

TemA, 23 Korrik 2012

Të martën Shqipëria do ketë zyrtarisht një president të ri. Ndryshe nga sa ka ndodhur herët e tjera, ceremonia kësaj here nuk do organizohet në Pallatin e Brigadave, por në selinë e presidentit në Bulevard. Për shkak të pamundësisë fizike të Bujar Nishanit, ceremonia ka ndryshuar plotësisht. Mediat kanë pasur kuriozitet që të mësojnë se a do jetë e pranishme PS në këtë ceremoni. Madje kanë shkuar aq larg, sa të pyesin edhe ambasadorin amerikan se ç’mendon ai për praninë ose jo të opozitës në këtë ceremoni.

Vetë kreu i PS, Edi Rama, tha se ftesat i kanë marrë dhe gjithsecili është i lirë të shkojë ose jo.

“Kemi marrë ftesë dhe nuk besoj se ka arsye për ta diskutuar këtë ftesë. Gjithsecili është i lirë të shkojë ose të mos shkojë,” tha Rama.

Interesant ka qenë edhe qëndrimi që do mbajë Bamir Topi në këtë ceremoni. Atij i është hequr fjala e lamtumirës, prandaj iu drejtua qytetarëve me një mesazh një ditë përpara ceremonisë. Topi thotë se protokollin e ka hartuar Berisha, por ai ka ndërmend ta respektojë.

Topi ka folur për ditën e fundit të punës së tij për Top Channel në një intervistë, që e gjeni më poshtë:

Cilat janë ndjesitë që ka Bamir Topi në ditën e fundit të mandatit si president i Republikës?

Natyrisht, çdo ditë e presidentit është një ditë e ngarkuar. Mund t’ju them që edhe kjo ditë është mëse e ngarkuar. E konsideroj si një ditë të zakonshme të një nënpunësi të shtetit, sepse në çdo pozicion që të jetë njeriu patjetër që ka një fillim dhe një mbarim. Kështu që duhet parë si pjesë e normalitetit të administratës së shtetit. Nuk kam ndonjë ndjesi të veçantë për hir të së vërtetës.

Pavarësisht se vlerësimet për punën tuaj i takojnë të tjerëve, do të doja t’ju pyes se me çfarë bilanci, nëse me lejoni të përdor këtë fjalë, e mbyllni detyrën si kreu i shtetit?

Ju e thatë mirë që janë të tjetët, natyrisht mendjet e arsyeshme, politikanët e arsyeshëm, sepse gjatë periudhës time presidenciale kam hasur, sikurse has njeriu në jetë, me politikanë të arsyeshëm dhe të paarsyeshëm. Me njerëz që vërtetë kanë pasur një komunikim qytetar, por edhe me të tjerë që kanë shfaqur një fizionomi jo qytetare. Unë e shikoj këtë pesëvjeçar me një bilanc shumë pozitiv. Bilanc që nuk i shkon një emri, por i shkon shtetit shqiptar. Kështu, unë ndjehem krenar për këtë.

Tashmë të gjithë e dimë se Presidenca nuk është stacioni i fundit në karrierën politike të Bamir Topit. Cilat janë planet tuaja?

Unë jam shprehur herë pas here, në vijim të interesit të gazetarëve. Kam thënë, mesa duket, se unë do të vazhdoj në politikë dhe le të mbesim këtu, sepse në të njëjtën kohë kam dhënë edhe një premtim publik. Deri në sekondën e fundit që unë do të jem në institucionin e presidentit, nuk do të ketë absolutisht asnjë lloj prononcimi të karakterit politik partiak.

A ju vjen keq që protokolli i shtetit gjatë dorëzimit të detyrës nuk ka planifikuar dhënien e mundësisë të një fjalimi lamtumire siç ndodhi me paraardhësin tuaj, presidentin Alfred Moisiu?

Jam njeri pa komplekse, që do të thotë, gjërat që kanë në dorë të tjerët dhe protokollin e shtetit e ka Këshilli i Ministrave. Ata kanë vendosur ta bëjnë në këtë mënyrë dhe unë gjithmonë i përgjigjem rregullit dhe natyrisht do ta respektoj në këtë mënyrë, sepse respektoj zyrën e kreut të shtetit. Atë zyrë që kam respektuar gjithmonë para se të vij këtu. E kam respektuar gjatë pesë viteve dhe natyrisht do ta respektoj sa kohë të jem gjallë, në respekt të shtetit.