Pavdekësia e Poetit

0
34

Nga Beqë Cufaj, 23 Korrik 2012

S’prish punë fare: që një zëvendësministër i Qeverisë së Kosovës, i cili e mban veten për të mençur në televizor e quan Ali Podrimaj; që një gazetë e cila mbahet për të madhen në Tiranë e shkruan dhe shtyp Ali Podrime, që një tjetër gazetë po e madhe në Shqipëri e sheh më të rëndësishme ta japë si lajm kryesor vrasjen në një Sanatorium në kryeqytetin shqiptar pa e shënuar fare vdekjen e Ali Podrimjes… apo që presidentja e Kosovës me një rafal ngushëllimesh si për vdekjen e Podrimjes ashtu edhe për masakrën në SHBA di dhe do të jetë më origjinalja: ne të gjithë nga një ngushëllim e dhembje- e ajo dy copë. Më së paku prish punë që një portal lajmesh – në këtë rast i papërgjegjshëm, hidhte në eter teori konspiracioni për poezinë e fundit, apo siç ata i thoshin poezinë e paralajmërimit të vdekjes së poetit… Injoranca në këtë rast përfundon aty që lexuesit i shkruanin portalit që vargjet në fjalë janë shkruar para rrafsh 31 vjetësh, por ja që këta i qëndronin besnik “rrëfimit” të tyre…

S’prish punë fare pra pse këso lëshimesh të (pa)qëllimshme ngjanin këtyre ditëve. Sepse lajmi për zhdukjen dhe më pas tronditja për vdekjen e Ali Podrimjes ishte dhe vazhdon të jetë aq e madhe saqë s’ka si të mos e ndiejmë mungesën e tij qysh tani. Mëngjeseve të hershme të Ulpianës, kur bënte ecjen në Grykën e Gërmisë. Paraditeve kur me tërë qenien e tij të rrëmbyeshme prekte shpirtin e Prishtinës: në Akademi, redaksi mediash e botuesish, takime me miqtë e kolegët…

Ali Podrimja do t’i mungojë para së gjithash Fitores, Petritit, Drenit e Donikës… Do të na mungojë neve, miqve të tij që me të kalonim dreka e darka të pafundme. Do t’u mungojë rrugëve, shesheve, fushave, maleve, detrave e lumenjve të këtij vendi, të cilin e deshi aq shumë dhe i kushtoi çdo gjë: nga fjala e parë deri tek ajo e fundit. E folur dhe shkruar.

Është vështirë, për të mos thënë e pamundshme, të gjendet dikush që nuk e ka rrëfimin e tij apo saj me Ali Podrimjen. Qofshin edhe pak sekonda pikëpjekjeje me të, ishin fjalët e tij dhe papërsëritshmëria e tyre ato që e bënin të ishte poeti i pavdekshëm, i cili sfidonte jetën dhe vdekatarët e zakonshëm.

Prandaj vdekja, ose thënë edhe më mirë mënyra sesi Podrimja iku nga kjo botë… është prej atyre vdekjeve të mëdha dhe mistershme. Si jeta dhe vargjet e tij.

Poeti Ali Podrimja tashmë është pjesë e pashkëputshme e majave të kanunit letrar shqiptar. Prania e tij në letrat tona nga vitet 60 e 70 me shpërthimin e një prej lirikave më të fuqishme të viteve 80 me dhe për Lum Lumin si dhe kapërcimi i kufijve kombëtarë me poezinë për popullin, luftën për rezistencë, denoncimin e shtypjes politike të shqiptarëve e shndërruan Podrimjen në ambasadorin dhe zëdhënësin kryesor të shqiptarëve në Europë dhe botë.

Janë me qindra shtegtimet e tij- nëpër tokat shqiptare dhe rruzullin tokësor- nga Europa përmes Atlantikut e deri në Azi ato që Podrimja sidomos në 20 vjetët e fundit i bëri që të përmbushte misionin e tij: prezantimin e kulturës dhe artit të popullit shqiptar.

Aq shumë i donte dhe çmonte këto udhëtime e prezantime sepse në to shihte shansin, mundësinë dhe rëndësinë që t’u tregonte lexuesve dhe kolegëve të shumë e shumë kombeve për dramën e popullit të tij, vuajtjet dhe krenarinë… saqë kjo mënyrë e ikjes së tij s’ka si të mos përjetohet ndryshe pos si një kapitull që nuk kishte si të përmbyllej ndryshe pos me këtë dramë të madhe krejt personale, krejt të veçantë të poetit.

Në mënyrë që fare në fund, trupi tij përmes qiejve të qetë të kësaj vere të shtegtojë dhe përshëndetet edhe njëherë mbi këtë Europë, të cilën e kishte mall dhe zili, sfidë dhe ëndërr. Për t’u kthyer në gjiun e tokës, njerëzve dhe vendit e kombit të tij që i deshi aq shumë.

Pranë Lum Lumit – pusho i qetë Ali Podrimja!