Pse nuk nderohet Luigj Gurakuqi

0
51

Nga Ardian Ndreca, 23 Korrik 2012

Ka vite që shkruej për turpin e pashembullt të qytetit të lindjes kundrejt figurës së Luigj Gurakuqit, të cilit mbasi ju shemb shtëpia muze, ju dhunue vorri tue i derdh te kambët plehnat e tanë qytetit dhe ju harrue qëllimshëm emni. Vorrit i tij ndodhet pranë atij të Pashko Vasës dhe Migjenit, e të tre së bashku po mbyten rishtas prej dioksinës që çlirohet prej djegjes së plehnave, rreth të cilave kullosin lopë krymçale, derra të zhigatun e sillen unshëm qen të tërbuem. Ato kafshë më kujtojnë metamorfozën e shokëve të Uliksit në poemën homerike, Ora e Shqipnisë shumëkujt i ka heqë arsyen, e të shnjerzuemit nuk dijnë me nderue kend, qoftë Gurakuqi, apo Pashko Vasa me Migjenin.

Në ketë 100 vjetor Luigj Gurakuqi nderohet me harresen ma të plotë, e vendin e tij e kanë zanë do feudalë që jo vetëm s’kanë pasë shkollë e s’kanë dijtë çka asht shkolla shqipe, s’kanë shkrue poezi e s’kanë kultivue metrikën, s’kanë dashtë shtetin shqiptar të pamvarun prej dovletit, s’kanë mundë me pa “flamurin me sorrë” e janë shitë pafundsisht, por thjesht kanë qenë frymorë që si qëllim të vetmin kanë pasë me hangër, me pi e me u riprodhue, mbasi janë pasunue në kurriz të shqiptarëve.

Tue qenë se kandrra të tilla historia i qet vetvetijshëm në harresë, qeveritarët tanë, mbasardhësit e tyne ideal, kanë mendue me i kujtue me emna rrugësh, bustesh, me përkujtimore e me shtatore.

Për ma tepër se gjysmën e emnave të rrugëve tona askush nuk mundet me thanë se kush kanë qenë e se çka ka kanë ba për së gjallit. Por ma mirë kështu. Nji i urtë i Romës së lashtë, kur e pyetnin pse nuk ishte busti i tij në forin romak, e kishte zakon me u gjegjë: ma mirë të thonë pse nuk asht busti i filanit, sesa të thonë çka don këtu busti i njikëtij!

Sado të rregullojnë rrugët e fasadat e vjetra Shkodra ka me mbetë nji qytet i vdekun shpirtnisht deri sa të mos mbërrijnë me nderue at’ shpirt që i dha jetë e nder, jo vetëm asaj, por Shqipnisë mbarë. E ai shpirt ka qenë mendja e zemra e Luigj Gurakuqit.

Para tri vjetësh së bashku me nji grup qytetarësh e intelektualësh, të cilëve ju bashkue edhe shkrimtari Ismail Kadare, i kërkuem kryetarit të bashkisë së Shkodrës me e nderue martirin e demokracisë Rini Monajkën tue i dhanë emnin e tij nji rruge, përgjegja publike qe pozitive, por fjala nuk u mbajt. Të njejtën gja i kisha kërkue edhe për shkrimtarin e estetin Lazër Shantoja, por pa asnji sukses.

Le t’i lanë në harresë Gurakuqin, Pashko Vasën, Migjenin, Shantojën, Monajkën e shumë tjerë. Të kujtojnë figurat mediokre e gjysmake, të kujtojnë shoqishojnë, pse kështu asht ma mirë.

Kur e vranë pabesisht Luigj Gurakuqin në Bari i gjetën në xhepat e shkyem vetëm pak lireta, jam i sigurt se po të vritej sot (Zoti mos e thashtë!) ndonji prej politikanëve të sotëm apo ndonji sekser i tyne në konton e tyne bankare kishte me u gjetë gjaku i shqiptarëve.

Për ketë arsye Gurakuqi harrohet, dhe përkujtohen dallkaukët e banditët e ndryshëm që prej 1912 e deri më sot e kanë marrë peng Shqipninë.