Mero Baze, një rrëfim për marrëdhëniet mes Azem Hajdarit dhe Sali Berishës

0
58

Mero Baze, 12.09.2010

E para gjë që të vjen në mend duke lexuar këtë pjesë nga libri “1997” i Mero Bazes, i cili del së shpejti në treg është: “Azemi i gjallë nuk iu desh kurrë, Azemi i vdekur i duhet çdo 12 shtator përpara kamerave…”
Adrian Thano

Rreshtat e mëposhtëm dhe ato që do të botohen në vijim, janë një dëshmi e rëndësishme për të rikonfirmuar çfarë ka nën lëkurën e personazhit, që sot është kryeministër dhe që ka dominuar skenën politike të këtyre viteve; këtë skenë oklokratësh të mbushur me burra të vegjël e të ndotur, që hyjnë e dalin, me damkën e hajdutit të pandëshkuar në shpinë.

Kjo copëz e librit të Bazes hedh dritë mbi një marrëdhënie të veçantë: atë mes Sali Berishës dhe themeluesit të PD-së, Azem Hajdarit. Kur lexon këto dëshmi dhe risjell në mend si u përdor në 14 shtator arkivoli i të ndjerit, apo si shkon Sali Berisha çdo shtator në familjen Hajdari për t’u fotografuar duke puthur fëmijët, ndjen trishtim… Një dëshmi si kjo e Bazes ngjall jo vetëm kureshtje; një hipokrizi si kjo e Sali Berishës të ngjall vetëm krupë.
Azem Hajdari u vra mbrëmjen e 12 shtatorit 1998. Më poshtë, pjesë nga libri-dëshmi i Mero Bazes…

FOTO:

Në foton kryesore dy ish-oficere te Gardes se Republikes, pjese e grupit te shoqerimit te presidentit Berisha, Izet Haxhia dhe Arben Ibroja, duke ndalur mitingun e dates 1 shkurt 1997 te Azem Hajdarit ne krye te Sindikatave, tek kryqezimi i rruges qe vjen nga stadiumi Dinamo, perballe ekspozites Shqiperia Sot

*************************************************************************

Nga Mero Baze

Prill 1996 – PD-ja jopolitike e 26 majit

…Nëse ka pasur ndonjëherë në historinë politike të një partie më shumë intelektualë dhe më pak politikanë, ky ka qenë Kuvendi dhe garnitura politike e dalë nga zgjedhjet e 26 majit. Pas kokëçarjesh të gjata me fraksione brenda PD-së dhe figura politike që e kontestonin vazhdimisht, Sali Berisha u mbyll i vetëm në vilën nr. 4 në Pallatin e Brigadave, për t’i dhënë PD-së një ekip të ri, që thuajse nuk kishte lidhje me politikën.
Prej ikjes së Neritan Cekës në vitin 1991 e më pas Pashkos, Zogajt, Imamit, Kalakulës, Baletës dhe kulmimit të rrjedhjeve me kryetarin karizmatik të partisë, Eduard Selamin, Sali Berisha dukej se po mendonte për një parti pa politikanë. Lista e gjatë që shkruante dhe rishkruante vetë, nxirrej nga lista pedagogësh, artistësh dhe intelektualësh të njohur të vendit, shumica e të cilëve as që kishin ndonjë ide se po hynin në politikë. Me siguri që ka qenë afër fundit kur, një mbrëmje, më thirri për kafe në vilën nr. 4. Ndihej qartë që ishte i kënaqur me vizat e panumërta që kishte hequr mbi dengun e listave që kishte përpara.
– Do t’i lexoj një herë emrat, – tha. – Kam gjetur ekipin më të shkëlqyer që kemi pasur ndonjëherë për zgjedhjet!
Po i dëgjoja. Gjysmën i kisha dëgjuar jo si politikanë, gjysmën tjetër as si politikanë dhe as si intelektualë.
– Si të duken? – më tha.
Ishte një pyetje që donte përgjigjen që duhej ta dëgjonte ai. Qoftë dhe për rutinë.
– Janë shumë, – i thashë, – s’di të them për të gjithë. Disa emra janë shumë të njohur dhe ndoshta bëjnë punë. A ke folur me ta?
– Me cilët? – tha.
– Për shembull, me Ndriçim Xhepën, Xhevdet Ferrin apo këta pedagogët.
– S’ka problem për ata, flasim. Po si të duket lista?
Donte doemos një përgjigje entuziaste.
– E mirë më duket, – i thashë. – Do të kesh pak problem me këta të partisë.
– Partisë… hë, ç’probleme do të kem? Ua kam thanë: “Më të shquarit, te zonat më të vështira.” Ja, për shembull: Agron Musarajn e kam çue në Berat, Sadik Bejkon dhe Blerim Çelën në Tepelenë, Fatos Bejën në Gjirokastër, Leonard Demin në Sarandë, Genc Pollon në Përmet, Dashamir Shehin në Vlorë, Ridvan Boden në Korçë… se këta të Jugut ke merak ti…
Nuk i bëra asnjë koment. Po përpiqesha t’i mbaja mend, se ndoshta më duheshin për raportin e mëngjesit te “Zëri i Amerikës”.
– Mirë e paske Jugun, – i thashë instinktivisht. – Këtë Boden nuk e njoh, por këtë Shehin pse në Vlorë?
– Nuk e njeh Boden… i shkëlqyem! Ka mbarue në Francë, e kemi pas drejtor Dogane, superkorrekt, financier i zoti. Ndërsa Vlora ka shumë rëndësi, – tha. – Do një figurë të fortë, s’bëhet pa një figurë të fortë.
Në të vërtetë, krisja mes Dashamir Shehit dhe Berishës kishte nisur. Aleksandër Meksi, që historikisht nuk duronte dot asnjë zëvendëskryeministër, për shkak se i dukeshin të gjithë të Berishës, po ashtu kishte probleme me të, por nuk kuptohej kurrë nëse i kishte me të apo me Berishën.
– E ke mbyllur, me një fjalë? A mund ta citoj unë ndonjërin nesër në radio?
– Jooo! – tha. – Se nuk e di njeri. Nuk duhet të dalë asgjë. Kam edhe ca probleme në Shkodër. Duhet me e mbyllë dhe atë. Më ka mbet ky Koleci, s’di ku ta çoj…
– Në Shkodër, ku tjetër? – i thashë.
– S’e di. Fola me Aliun… ai thotë se kemi një kandidaturë tjetër atje, një grua shumë e zonja thotë, po burri i saj qenka fis me Kolecin.
– Kush është kjo?
– Është një pedagoge… për matematikë më duket, nuk e di… ose për juridik, juridik më duket. Ja, të pyes Aliun.
Foli me Ali Spahinë. Toni i shtruar i Ali Spahisë dhe serioziteti që u kushtonte raporteve njerëzore e bënin atë figurën më të palëkundur të PD-së dhe njeriun më të qëndrueshëm nga pikëpamja politike për Berishën, edhe pse shpesh e xhindoste me kufijtë që u vendoste përpjekjeve të tij të përhershme për ta përdorur për çdo gjë.
– Është e shkëlqyer, thotë Aliu. Jozefina Topalli quhet. Qenka kancelare në fakultet. Nuk e di, po ky thotë se është më mirë ajo se Koleci në Shkodër, pasi ajo paska familje shumë të njohur nga baba i vet… Ku ta çoj këtë Kolecin, ku ta çoj…. – Filloi të hidhte sytë sërish mbi hartën elektorale. – Ah, po, e gjeta, – tha. – Në Mirditë e kam një vend. Të pyes një herë Aliun.
Foli sërish me Ali Spahinë: “Paska qenë mësues atje, në Mirditë? E po, shumë mirë atëherë… aty po e çoj. Shumë mirë, u mbyll kjo punë. E shkëlqyer! Mos fol me njeri.”
– U mbyll, – m’u kthye mua. – Në Mirditë. Aliu thotë se paska qenë dikur mësues aty… ose i internuar, ose mësues, nuk e dinte mirë, por më tha që ka lidhje atje.
Përfytyrova Kolecin, një burrë i matur, i urtë dhe flegmatik, që kishte drejtuar me durim dhe përkushtim administratën e Presidencës për katër vjet. Nuk e njihja nga afër, por me siguri që ishte i çliruar nga ideja se po ikte nga ajo ndërtesë.
I vetmi kuriozitet që kisha për kandidaturat e Shkodrës ishte Azem Hajdari. Berisha nuk po ma përmendte emrin e tij, ndërsa Azemi kishte dy ditë që më kërkonte ta zhbiroja se ku kishte ndërmend ta çonte. “Më duhet një fije informacion, shqipe, – tha Azemi, – pastaj di vetë unë se ç’bëj.”
– Po Azemin? – i thashë papritur.
– Azemin? Hëm, atij ia kam gjet vendin. Ai, kudo që ta çosh, fiton. Kemi një zonë shumë të vështirë, që bashkon Çermenikën e Librazhdit, Martaneshin dhe Tërnovën e Dibrës. Aty e kam çue. Vetëm ai mund ta fitojë këtë.
– Mos nuk e pranon, – i thashë me gjysmë zëri.
– Jo, mo, e pranon, – tha, – mos ki merak. Shiko, kam ndjekur një parim: figurat politike në zonat më të vështira, intelektualët në qytete të sigurta, se ata më duhen në Kuvend mue, s’mund t’i hedh në mes të detit menjëherë.
Pas disa ditësh, lista iu lexua Këshillit Kombëtar.
Përpara mbledhjes, në mëngjes, piva kafe me Azem Hajdarin në Rogner. Ia thashë pak a shumë se ku mund të ishte.
– Po në Shkodër, – tha, – kush është?
– Ka futur një grua, – i thashë. – Jozefina Topalli quhej, më duket se ishte kunata e Kolecit.
– Të ka mashtruar, – tha. – Koleci s’ka kunatë pedagoge.
– Nuk më tha “kunatë”, por e mora me mend nga mbiemri… diçka e kishte burrin e saj.
– E di unë kush është, – tha Azemi. – Lene se e rregulloj vetë tani. Po e ftoj për një drekë në Vahinë, ta shikoj njëherë se ç’është. Nejse, shqipe, ti mos thuaj gjë për këtë muhabet, se di unë si e zgjidh.
Në mbledhje, Berisha foli gjatë për qeverisjen katërvjeçare dhe për parimet mbi të cilat kishte ndërtuar listën. Përsëriti pak a shumë faktin që politikanët do të shkonin në zona të vështira dhe intelektualët në zona të sigurta. Shtoi se, si risi, Kuvendi do të kishte një “boom” për gratë. Lexoi edhe emrin e Azemit në zonën përkatëse. Pati reaksion. Azemi u ngrit nga vendi dhe kërkoi të sqarohej më qartë: për se ishte sajuar një zonë për të?

28 maj 1996

Arrita dhe u futa te hotel “Tirana”. Azem Hajdari ishte ulur në një tryezë në cep të kafenesë, në katin e parë dhe, i nxirë në fytyrë, shihte nga sheshi. Njësoj si në pjesën tjetër të bulevardit, ku kryeministri dhe ish-ministri i Brendshëm sodisnin masakrën, me shpresë se do të rrëzohej rivali i tyre, ashtu dhe njeriu që ishte përballur me diktaturën, shpresonte që përplasja e opozitës me policinë do ta rrëzonte atë që ia kishte zënë “hisen e diellit” në njëfarë mënyre. Por Sali Berisha nuk ishte as në hotel “Tirana”, as te hotel “Dajtit”, por në Pallatin e Brigadave. Nuk komunikonte me askënd. Në kohë të ndryshme, e kam pyetur disa herë për ato çaste dhe më ka dhënë të njëjtën përgjigje: “S’kam pasur komunikim. Dija vetëm se do të silleshin si me një miting të paligjshëm të partive të vogla”.
Në këtë përgjigje shfajësuese kishte plot nuanca të dijes dhe mosdijes së tij për atë që do të ndodhte. Por Azem Hajdari mendonte ndryshe. Ai kishte frikë se dëmi që po bëhej do ta tejkalonte dëmtimin e Berishës dhe, si zakonisht në raste të tilla, ai i shtonte sulmet mbi njerëzit që i urrente vërtet dhe ata ishin Agim Shehu dhe Bashkim Gazidedja. Ma stërholloi skenarin e tij plot paranoja, se si ata të dy donin që të nxirrnin nga loja të gjitha palët dhe ta merrnin vetë komandën.
– Ky është skenar, – tha. – Duan të na nxjerrin jashtë loje.
Zemërimi i tij me njerëzit e ShIK-ut dhe të Policisë kishte kohë që i kishte kaluar kufijtë.
Dola me vrap jashtë dhe u futa mes turmës. Ndeza mikrofonin.
Ndërkohë që flisja me Azemin, një ofshamë e madhe erdhi nga sheshi. S’e dalloja dot mirë se kush kishte rrëmbyer një megafon, por më ngjasonte me zërin e Neritan Cekës, që këlthiste: “Kjo është diktaturë!”. Më tej, Servet Pëllumbi ngjante si një statujë e ngrirë nga pamja që kishte para syve. Një fotoreporter spanjoll, i gjakosur në përpjekje për të mbrojtur aparatin e tij fotografik dhe një truprojë e tij i gjakosur me lopatë xheniere, ishin mbështjellë rreth tij, sikur të gjenin mbrojtje te profesori i vjetër i marksizmit.

Ishte një skenë që turpëron çdo shoqëri që e prodhon. Muskujt e palëvizur të Servet Pëllumbit dhe njerëzit e ngjeshur përreth tij, ishin imazhi më i dhimbshëm njerëzor që prodhoi dhuna e 28 majit. Dhëmbët e thyer të Arben Imamit, tërheqja zvarrë e tij, dhunimi i Gramoz Pashkos dhe Blendi Gonxhes, përplasja me Pandeli Majkon, ishin brutale dhe të egra, kurse ballafaqimi i dhunës me një njeri paqësor dhe me një portret të heshtur e qortues si Servet Pëllumbi, ishte i dhimbshëm.

 Turma e policisë e humbi kontrollin dhe filloi të godiste kë të mundte. U afrova sa munda të merrja disa zëra për në radio. Për fat, mikrofoni më kishte regjistruar zërin e Neritan Cekës dhe Kastriot Islamit. Mblodha të gjithë zërat dhe u ula të shkruaja raportin.
Në orën 15.00 ishte emisioni te “Zëri i Amerikës”. Montova fillimisht atmosferën e protestës, ku dëgjohej në sfond kënga “Eja mblidhuni këtu, këtu!”, pastaj Neritan Cekën, Kastriot Islamin dhe në fund Azem Hajdarin. Pjesa e Azemit ishte më shumë si balancë ndaj tre opozitarëve. “Policia po bën detyrën, – tha ai. – Ky është një miting i paligjshëm. Asgjë më shumë”. Ishin krejt e kundërta e asaj që bluante me vete në hollin e hotelit.
Zëri i tij ishte i pasigurt dhe sapo e mbaroi fjalinë, uli kokën dhe filloi të shante përsëri “ata që kishin futur në skemë PD-në”.

Brenda çdo minute ai jetonte dramën e të qenit themelues i Partisë Demokratike, të cilën duhej ta mbaronte, si dhe adhurues i betejës që bëhej para syve të tij dhe kundër partisë që ai kishte themeluar gjashtë vjet më parë për lirinë e fjalës dhe votës, që bëhej tashmë nga ajo parti që kishte trashëguar historinë e Partisë së Punës. Azem Hajdari e vuante këtë dilemë të madhe si një fat që nuk e meritonte. i luftuar me egërsi brenda partisë së tij nga grupi i Berishës dhe i mbetur më këmbë falë aftësive të tij populiste dhe makinacioneve shpeshherë banale, në mesditën e 28 majit ai ishte njeriu më i rrahur i politikës shqiptare, edhe pse mbi kurrizin e tij nuk u vërtit asnjë shkop.

Ai ndiente lakmi për ata njerëz që kishin lirinë të bënin një betejë të re kundër atij që po e izolonte dhe po e zvogëlonte pak e nga pak brenda partisë që themeloi vetë. Ai ndiente makth, mes të tjerash, për mungesën e lirisë së tij për të thënë atë që mendonte, si gjashtë vjet më parë. Atë ditë ai mendonte se partia e tij po tradhtohej nga disa fanatikë që po e çonin në greminë dhe detyrohej të fliste publikisht në favor të një gjëje që nuk e besonte. E bënte këtë me shpresën që të mbetej ende brenda asaj partie, me shpresën se mund t’i vinte sërish dita për një betejë që mund ta fitonte brenda saj.

Qeveria e re, një ndjellëse fatkeqësish

Ndërsa vera e vitit 1996 po tërhiqej zvarrë mes sherreve të socialistëve dhe nxjerrjes jashtë loje të shumicës së emrave politikë të PD-së, në horizont po shfaqeshin probleme të reja, që buronin nga politika personale që kishte diktuar elitën e re politike në pushtet, nga larja e hesapeve mes palëve dhe pamundësia e pushtetit për t’i dhënë një përgjigje krizës së fajdeve, që pas zgjedhjeve shpërtheu edhe te fondacionet e quajtura bamirëse, si “Populli” dhe “Xhaferri”.
Në planin politik, Azem Hajdari, themeluesi i Partisë Demokratike dhe i përjashtuari i madh i saj, po përgatitej për kundërsulm. Shoqëria e tij me krerët e sindikatave po rritej dhe ai po kërkonte një mandat për t’iu kundërvënë qeverisë së re Meksi.

Vetë Meksi, në të vërtetë, ishte i çudituri i madh që i kishte mbijetuar postit të tij. Komunikimi i tij me Berishën ishte vështirësuar dhe deri në minutën e fundit ai nuk kishte asnjë sinjal rikonfirmimi. Madje, një natë para se të shpallej qeveria, Berisha e çoi deri në fund humorin e zi, kur na thirri mua dhe Ylli Rakipin në zyrë dhe na la të kuptohej se kandidat mund të ishte edhe Genc Polloja. Ne e çuam deri në fund humorin e tij të zi duke e futur këtë në faqen e parë të gazetës.

Por në orën dhjetë, gjithçka ishte qetësuar dhe Aleksandër Meksi ishte rikonfirmuar. Dy të zemëruar të mëdhenj kishte me këtë vendim: Bashkim Gazidedja dhe Azem Hajdari, të dy po ashtu armiq me njëri-tjetrin. Gazidedja u trondit aq shumë nga rikonfirmimi, sa nuk dinte kujt t’i hapej. Mori Ylli Rakipin në telefon dhe e ka mbajtur gati një orë duke zbrazur gjithçka kundër tij. Fliste për abuzime financiare, për lidhje të dyshimta antikombëtare, për gjithçka. Por dëshpërimi nuk i vinte nga kjo gjë, por nga fakti se, sipas tij, i kishte çuar një dosje të tërë Berishës me këto gjëra dhe se ai nuk e kishte përfillur. Këtë gjë nuk e shpjegonte dot. i vetmi që kishte një shpjegim për këtë ishte avokat Ngjela.
– Ky Gaziu s’e njohka doktorin fare, – tha. – i paska bërë dosjen sa një mal Leka Meksit dhe kërkon që ta heqë doktori. Po doktori atë do, dosjen. Ai e paska bërë me duart e tij kryeministër. i paska thënë: “Ja ku e ke dosjen e tij, tani bëje!”. Se ai nuk e di që është ndryshe ekuacioni.
Por humori i Ngjelës nuk mbërrinte dhe as nuk kuptohej nga mendja e Gazidedes. Dhe ishte tejet i brengosur. Me Azem Hajdarin, po ashtu. Ky nuk e kishte me Aleksandër Meksin, por nuk guxonte ta bënte betejën direkt me Sali Berishën. Donte doemos t’i tërhiqte vëmendjen atij dhe ta thërriste për një pakt. Avokat Ngjela, që ia kishte njohur prej vitesh këtë stil, ia ngrinte nervat kur ia ilustronte gjithçka me pasqyrat që dogjën anijet e Kartagjenës.

– Kot e ke, Azem, sa bën gati anijen ti, ai të drejton pasqyrën dhe ta djeg. Mos u lodh kot! – i thoshte.
Po Azemi nuk u tërhoq kurrë. Për t’ia arritur asaj dite, që nuk ia arriti dot derisa e vranë, ai bëri gjithçka: u bë mik me armiqtë e Berishës në PD, armik me miqtë e tij, bëhej tolerant dhe radikal, antikomunist i tërbuar dhe njeriu më i moderuar. Bënte gjithçka që, një ditë, ai t’i thoshte:”Azem, çfarë do, fol…” Ai nuk ia tha kurrë dhe tashmë themeluesi i asaj partie po tretet nën dhè pa ia arritur të bëhej qoftë edhe një ditë ministër, ndërsa dhjetëra e qindra të tjerë, miq dhe armiq të tij, pa asnjë kontribut në atë parti, janë bërë gjithçka, mjaftonte që të mos kishin pretendime politike…

—————–

Pjesa II: Dëshmia e Mero Bazes për marrëdhënien A.Hajdari – S. Berisha

Mero Baze, 13.09.2010

….. Dukej se ndaj Azemit kishte një armiqësi që e kapërcente Berishën. Shpeshherë, për ta kuptuar se kush ishte njeri i parehabilitueshëm nga Berisha, duhej të shikoje reagimet e gruas së tij, Lirisë.
Një të diel vere, një javë pasi familja Berisha kishte martuar vajzën, Argitën, na kishin ftuar në vilën në Dajt, së bashku me Lazër Stanin dhe Ylli Rakipin. Ishte një lloj pritjeje më konfidenciale për ta uruar për dasmën e vajzës dhe kishim edhe gratë me vete. Ndërsa po hanim drekë dhe Lazri po bënte humor me makinën time të prishur, si krejt i pavëmendshëm që ishte ndaj detajeve, përmendi Azemin, i cili kishte bërë disa herë aksidente në fillim të viteve ’90-të. Liria rrudhi vetullat dhe ndërroi bisedë, edhe pse Berisha kishte qejf të vazhdonte gallata dhe tallja për makinën time Golf 2, që e mbaja shumë keq. Dukej që Azemi nuk ishte i mirëpritur në familje. Kishte fituar armiqësinë e saj. Distanca me të ishte bërë e plotë dhe aq mjaftonte që të mos e provonte kurrë shijen e pushtetit.
Mbaj mend formimin e qeverisë. Azemi kishte mbështetur gjithë fushatën e tij elektorale duke i premtuar stafit të vet se në qeverinë e ardhshme do të ishte ministër i Brendshëm.
Qeveria e re, njësoj si grupi parlamentar, ishte një përpjekje për të larguar figurat politike dhe për të promovuar emra të rinj, që kurrë nuk u kishte shkuar mendja të hynin në qeveri. Më kujtohet rasti i Halit Shamatës. Sali Berisha ishte duke hedhur emrat e parë të qeverisë në letër, kur, ndërsa më kish thirrur për një kafe në zyrë, filloi të më tregonte listën e gjatë të grave që kishte futur në qeveri si sekretare shteti, një post që po e shpikte për të fryrë qeverinë. Ishin 3 ose 4 gra të tilla në kabinet. Pastaj shkoi te ministri i Drejtësisë.

– Kam zgjedhur Halit Shamatën, – tha. – Nuk ka jurist më të mirë…
– Nuk është jurist, – i thashë, – është mësues letërsie.
– E ke gabim, – tha. – Ka drejtue për katër vjet Komisionin e Ligjeve, është nga më të shkëlqyerit.
– Dakord, por nuk është jurist, – i thashë. – Mund të jetë pak delikate kjo, pasi do të kesh të bësh me sistemin e drejtësisë.
– Si, nuk është jurist? – tha. – Prit… kë të pyes…
– E kam mik Halitin, – i thashë. – E njoh mirë. Nuk është jurist.
– Kjo ma komplikon punën, – tha. – E di mirë ti këtë punë? – më pyeti sërish.
– Shumë mirë, – thashë. – Haliti ka botuar libra. Di dhe kur dhe me kë ka mbaruar shkollën.
– Mirë, domethënë qenka njeri i letrave. Dakord, e çojmë ministër të Brendshëm. Më duhet një imazh i ri në atë ministri, pas këtyre që ndodhën…
Nuk e përmendte, por disa ditë më parë kishte shkarkuar disa oficerë policie për dhunën e 28 majit. Donte doemos ta hiqte imazhin e një policie të egër me një poet mesatar, që do të shkonte si kryepolic.
– S’di a pranon, – i thashë. – Është tip i tërhequr. Kushedi sa frikë e ka policinë.
– Ke të drejtë, – tha. – Nejse, fol një herë me të, meqë e paske mik, por mos ia thuaj që të kam çue unë. Testoje nji herë.
Ishte drekë kur dola jashtë dhe në fakt nuk dija si ta gjeja Halit Shamatën. Astrit Patozi kishte një lidhje familjare me të, pasi kishte dhëndër në shtëpi vëllain e Halitit. E pritëm Halitin te një klub i vëllait të vet dhe u nisëm drejt Golemit. Ndenjëm gjatë, deri afër mesnate, por nuk morëm asnjë premtim serioz nga Haliti.
Të nesërmen, siç na e shpjegoi vetë, Berisha e kishte thirrur në orën dhjetë në zyrë dhe, sapo kishte hyrë brenda, e kishte uruar për detyrën duke shprehur besimin se ai “ishte një kandidaturë e shkëlqyer”.
Azemi priste gjithë makth pikërisht emrin e ministrit të Brendshëm dhe për rrethanat që shpjegova më lart, unë isha nga të parët që e dija. Ishte një situatë që e përjetoja dhe unë shumë keq. E dija që s’do të bëhej kurrë ministër i Brendshëm dhe më duhej t’i tregoja. Në fillim u trondit, pastaj u çudit dhe në fund shfryu kundër Berishës. Pasi e mblodhi veten, përsëriti të njëjtën gjë:
– Shqipe, mos ia thuaj kujt derisa të bëhet.
Më vonë më tregoi se si e kishte takuar që atë ditë Shamatën dhe i kishte thënë se ishte takuar me Berishën dhe i kishte mbushur mendjen që të bënte Shamatën ministër të Brendshëm. “Madje, kur ti hyre në Presidencë, unë po dilja”, i kishte thënë.
Nuk di nëse Shamata kishte besuar diçka. Ishte i paepur në vendosmërinë e tij që askush të mos ia hetonte çarjen e madhe gati-gati armiqësore që kishte me Sali Berishën. Ishte mënyra se si mbijetonte.

Ky njeri, Azem Hajdari, që e donte me çdo kusht atë post, nuk e mori kurrë vetëm për shkakun se, po ta merrte do të ishte ai ministër i Brendshëm. Ndërsa Halit Shamata, që nuk e donte, e mori që të mos ishte kurrë ministër, por një njeri luajal me kryetarin e vet. Ky ishte në të vërtetë stili me të cilin Berisha po e ndërtonte qeverinë e re. Askush në vendin e vet. Gjithkush atje ku nuk duhej, atje ku nuk ndihej ministër. Gra të shpallura si të zonjat mbushën qeverinë, ndërsa prerjet më jopolitike u bën ministra. Me këtë qeveri dhe grup parlamentar tërësisht jopolitik, Sali Berisha do të ndeshej muaj më vonë me krizën më të thellë të pushtetit të tij dhe gjithçka do të shkrihej si kripa në ujë. Askush prej tyre nuk do t’i dilte zot, pasi askush nuk mendonte politikisht.

Beteja e Azem Hajdarit kunder qeverise Meksi 2
Beteja e tretë ishte ajo kundër Azem Hajdarit. i vendosur në krye të Sindikatave të Pavarura, ashtu siç dinte të vendosej ai, Azemi nisi një betejë të egër kundër qeverisë “Meksi”. Ky i fundit u tërbua. Nuk ishte i qartë se deri në çfarë mase prapa Azemit qëndronte Sali Berisha, siç përhapte fjalë gjithandej jo pa djallëzi vetë Azemi. Edhe vetë Sali Berisha kënaqej nga kjo pandehmë e Meksit dhe nuk ia përgënjeshtronte kurrë atij. Nga ana tjetër, Bashkim Gazidedja e kishte tashmë Azemin objekt kryesor mbikëqyrjeje dhe sulmi. Vetë Partia Demokratike ndërmori disa masa të ashpra ndaj tij, deri në “ngrirjen” si anëtar i Këshillit Kombëtar. Por Azemi nuk u tërhoq. Aftësia e tij për t’i mbajtur mbështetësit e vet të motivuar ishte e lindur.

Edhe pse të gjithë kishin në kurriz SHIK-un dhe Policinë, Azemi u krijonte ndjesinë se policia, SHIK-u, Berisha dhe gjithkush tjetër, përveç Meksit, ishin me të, ndaj të mos trembeshin. Anekdotike ishte vizita e tij në Fier. Gazidedja kishte urdhëruar SHIK-un që t’ia ndalonte takimin. Policia kishte marrë urdhër të mos e shoqëronte. Dhe pikërisht kur Shamata mendonte se e kishte bërë detyrën duke i dhënë porosi shefit të Policisë, Azemi shoqërohej nga tri makina policie, me eskortë, që të shkonte në stadiumin e Fierit, ku do të shihte një ndeshje para takimit me sindikatën. Po kështu ndodhte në Shkodër, Kavajë, Durrës dhe kudo. Një pjesë e madhe e policisë më shumë besonin shkeljen e syrit të Azemit se telefonat e ministrave dhe shefave të tyre.

Nën këtë pamundësi për ta ndalur, u duk se pushteti do të jepte mesazhe publike. Në orën e zakonshme të “postës” që vinte nga SHIK-u në gazetën Albania, një ditë zarfi i verdhë kishte 25 pyetje për Azem Hajdarin. Berti, inspektori që i kishte sjellë, bëri kujdes që të na tregonte se ishte diçka me rëndësi. Ishte diçka e rëndë. 25 pyetje për Azem Hajdarin ishin në fakt 25 denoncime, ndër të cilat mund të kishte fakte të vërteta, por më shumë kishte një kontekst spekulativ. Thirrëm në telefon Azemin dhe avokat Ngjelën. Azemi mbërriti më parë. I treguam për pyetjet. Nuk donte t’i lexonte. U pre në fytyrë. Nuk e duronte dot që të jepej mesazh publik kundër tij. Nuk ia kërkoi në asnjë çast Yllit që të mos i botonte, pasi e njihte këtë pafuqi të gazetës, por kërkoi të shkonim për kafe. Shkuam në Rogner. Pak më tutje nesh ishte Tritan Shehu, që diç kuturiste me një italian. Azemi piu gjatë.

Nuk e duronte dot atë që do të dilte të nesërmen në gazetë. Dhe pyeste vazhdimisht: “Pse nuk e lëshon këtë Meksin?!” Përgjigjja në fakt ishte e thjeshtë: mjafton të shikoje shkollën politike të Berishës. Nëse ai do të lëshonte Meksin për shkak të sulmeve të Azemit, atëherë Azemi bëhej diktuesi i ndryshimeve në qeveri, lakmuesi i së mirës dhe së keqes, një status ky shumë i lartë për një njeri që presidenti e konsideronte thuajse armik. Ndaj s’mund t’ia bënte kurrë atë nder Azem Hajdarit. Ky i fundit u rropat qytet më qytet e sallë më sallë, por asgjë s’po lëvizte. Mbështetësit e tij zunë të ndaloheshin e të arrestoheshin, por vetë Azemi nuk e la betejën, edhe pse i dëshpëruar në maksimum.

Media zyrtare filloi ta akuzonte se po mblidhte rreth vetes enveristë dhe njerëz të ish-Sigurimit të Shtetit. Në mes të nëntorit, Azemi bëri një padi zyrtare ndaj gazetës Albania, për të ndarë në opinion faktin se pyetjet i vinin prej Berishës. Por gazeta nuk shkoi fare në gjyq dhe Azemi e harroi procesin. Qëllimi i tij konstant ishte që në opinion të mos vihej re ndarja me Berishën. Ndaj tij filluan diversione të përditshme. Lajmi se do të krijonte sindikatë të re, u soll në gazetë ditën e dytë të fushatës së tij nga Arben Bllaci, ish-drejtues i gazetës Sindikalisti të Valer Xhekës. Pastaj filluan sulme mbi karrierën e tij në PD.

Në mes të muajit nëntor, Këshilli Kombëtar ngriu anëtarësinë e tij në këtë këshill. Në fillim u tha se u përjashtua, pastaj u tha u “ngri”, një term ky i padëgjuar më parë në statutin e asaj partie. Dhe e gjithë kjo bëhej ndërsa kompania e parë rentiere, ajo e Sudes, po futej në ngërç dhe tensioni po rritej me orë nga paniku i humbje së pareve. Ishte e pabesueshme se si pushteti kishte energji për t’u marrë me Azem Hajdarin, i cili ishte problem i pushtetit, në vend të problemeve që po shkatërronin shtetin , siç ishin fajdetë. Aty nga fillimi i dhjetorit, një detaj tjetër i sulmeve ndaj tij e kishte dëshpëruar shumë.

Dikush ishte kujtuar t’i hiqte një radio dore policie me shumë frekuenca, që ai e mbante duke qenë se ishte kryetar i Komisionit të Rendit dhe Mbrojtjes. Komisioni qenkësh ndarë në dy pjesë dhe ishte gjetur mundësia t’ia hiqnin. Kjo e kishte mërzitur shumë. Në fillim Yllit ia bëri shumë tragjike dhe të rrezikshme për shtetin, por kur e pa që ky i fundit nuk e mori seriozisht, u zbraz prapë kundër Agim Shehut dhe Bashkim Gazidedes. Na premtoi disa herë se do të na jepte disa materiale ku provohej se Agim Shehu ka vrarë njerëz në kufi, ngaqë ata donin të arratiseshin.
Në fund të vitit 1996, Azemi ndërmori një tjetër akt kundër qeverisë. Për të frikësuar Berishën se kishte edhe mbështetje publike, stimuloi te gazeta Koha Jonë anketën Njeriu i Vitit dhe gazeta më e egër kundër Berishës e shpalli Azem Hajdarin Njeriun e Vitit 1996, për shkak të kontributit të tij për demokratizimin e PD-së. As kjo nuk funksionoi. Vetëm sa e thelloi distancën mes tij dhe Berishës.

Azemi u rezistoi presioneve dhe bëri ç’mundi që t’i fshihte ato nga opinioni publik. Kjo e detyroi Berishën të ndërmerrte masa ekstreme ndaj tij. Në fillim të janarit 1997, kryesia e Partisë Demokratike kishte marrë një vendim që e “ngrinte” atë si anëtar të Këshillit Kombëtar dhe e përjashtonte nga grupi parlamentar. Në seancën e parë plenare, në javën e tretë të janarit, Azem Hajdari i kërkoi Arbnorit të shprehej për statusin e tij brenda grupit parlamentar, por nuk e mori dot kurrë përgjigjen. Sipas rregullores së Kuvendit, përjashtimin nga grupi duhej ta bënte grupi dhe jo kryesia e partisë, por mënyra se si Berisha i bënte përjashtimet ishte që ato edhe të bëheshin, edhe të mos ishin të pakthyeshme, nëse i duhej.

Dhe kështu, pa u përjashtuar kurrë legalisht, Azem Hajdari u përjashtua realisht nga grupi parlamentar i PD-së pikërisht në janar të vitit 1997, në startin e krizës më të madhe që kjo parti po hynte që nga themelimi. Dhe mallkimi i përjashtimit të themeluesit të saj e zuri disa javë më vonë, kur ajo dhe pushteti i saj u rrokullisën në një rrugë të gjatë dhe, mbi të gjitha, në një rrugë pa kthim për themeluesin e saj, Azem Hajdarin, i cili u luftua si armiku më i madh i asaj partie. Mitingjet e tij kundër qeverisë pengoheshin nga Garda dhe rrethi i ngushtë i oficerëve të Berishës, edhe pse një oponencë brenda PD-së në atë kohë do ta zbuste disi zemërimin dhe frikën që ngjallte në opinion një pushtet aq i pakundërshtueshëm.

Në javën e parë të shkurtit, Azemi u detyrua t’i ndërpriste protestat, pasi Forumi për Demokraci, i sapoformuar në Tiranë, nisi protestat e veta kundër qeverisë. I vënë në pozicion të vështirë nga rezonanca me të majtën, Azemi u tërhoq dhe filloi të mbante qëndrime kritike ndaj Forumit dhe përfshirjes së opozitës në betejën për fajdetë. Këtu ishte i dënuar të mbetej i vetëm.

Shkurt 1997
Ndërkohë, në Tiranë kishte mbërritur Eduard Selami. i ikur një vit më parë nga Shqipëria, pas përjashtimit brutal nga kreu i Partisë Demokratike, shfaqja e tij në hotel Rogner ato ditë të fundit të shkurtit ishte një rifreskim i kujtesës së hidhur. Më kërkoi të flisnim më vete dhe paksa gjatë. Kërkesa e tij ishte e thjeshtë. Donte të takonte Sali Berishën, me çdo kusht. Kishte një mesazh për të. Ia premtova se do t’ia kërkoja me ngulm kërkesën e tij, por kisha pak shpresa se do ta priste.

Kishte shumë ngjyra rikthimi i tij në ato çaste në Tiranë. Kishte ikur prej Berishës në ditët e plotpushtetshme të tij dhe po kthehej në ditët më të zeza të tij. Dukej si një mallkim për çfarë kishte ndodhur, kur mendoje se gjithë e gjithë ishte pak më shumë se një vit.
– A mund të më thuash diçka më konkrete apo diçka më të koduar për Berishën, që ta bind? – i thashë.
– E di ai kush më ka nisur. Një mik i tij i vjetër në Uashington, që edhe unë e kam shumë mik. Mos ia thuaj këtë të fundit, por ai më ka thënë se Berishës i ka ngelur ose të mbushë helikopterin plot me karburant për rrugë të gjatë, ose t’i bjerë shkurt e të më presë mua.
U përpoqa të përfytyroja Berishën sikur t’ia thosha këtë. Me siguri që biseda do të mbaronte për dy sekonda. Por nuk ishte vetëm Berisha që e keqkuptonte dhe e shikonte me konspiracion vizitën e Selamit. Edhe të sapolarguarit prej tij, po ashtu ishin dyshues. Në praninë time atij i dha dorën Dashamir Shehi dhe më pas Neritan Ceka, duke bërë kujdes që të shprehin një farë dyshimi për praninë e tij. Por i shqetësuari më i madh ishte Azem Hajdari. Për shkak të afërsisë me mua, nuk bëri fare kujdes ta fshihte zemërimin.
– Po ke ardhë me e ngjallë atë kufomën, e ke gabim, – i tha. – Ai do të të marrë me vete.
I qetë dhe shumë i shqetësuar nga keqkuptimet që po shkaktonte vizita e tij, Eduardi i siguroi se as kishte ndërmend që ta shpëtonte Berishën.
– Ka mbushur Aleksandër Meksi gjithë Tiranën që ke ardhur t’i zësh vendin, – tha Azemi. – Unë s’e dua fare atë, por ky kufoma nuk duhet ndihmuar, se ti i shton jetën.
Selami buzëqeshi gjithë mirëkuptim për mllefin e Azemit. Ishte i vetmi që kishte guxuar ta përcillte ditën që e zbuan nga partia. Ishte, si gjithmonë, mik i çdo kundërshtari të Berishës në PD dhe aleati i gjithkujt që ai e shpallte armik.

Korrik 1997
Sali Berisha po sodiste humbjen më të madhe që kishte njohur në historinë e tij politike dhe nuk kishte asnjë fuqi ta ndalte thellimin e saj në balotazh. Njerëzit e tij, që ishin shfaqur si më radikalët, po ia mbathnin një e nga një. Agim Shehu nuk ishte parë të nesërmen e mitingut të fundit. Ia kishte mbathur. Komandanti i Gardës, Xhahid Xhaferri, po ashtu ia kishte mbathur. Në mesditën e 1 korrikut, ministri i Brendshëm, Belul Çelo, ishte shoqëruar deri në Rinas nga truprojat e tij dhe ia kishte mbathur… Zëdhënësi i tij u përpoq ta minimizonte situatën më 2 korrik, kur tha se ministri kishte telefonuar dhe kishte thënë se ka marrë dy ditë leje. Kishte premtuar, sipas tij, se do të kthehej më 3 korrik, në mbrëmje. Nuk u kthye kurrë!
Azem Hajdari më thirri me urgjencë në Rogner. Ishte i vetmi që nuk ishte dorëzuar.

– E marr unë balotazhin, – tha. – Thuaji “Marshallit” të më dekretojë ministër të Brendshëm, në vend të këtij plehrës që iku.
-Nuk e bën, – i thashë. – Për më tepër që kam frikë se as nuk ia pranojnë.
– Ai ta bëjë një herë, mo burrë, se e di unë ç’bëj pastaj, – këmbënguli Azemi.
I dhashë fjalën se do t’ia përcillja dhe e bëra në njëfarë mënyre.
Ndryshe nga ç’e mendova, Berisha e priti me të qeshur.
– Mos ki merak, se do t’ua nxij jetën, – shpërtheu pastaj. – Se po bëjnë shumë karshillëk… po mirë që ma kujtove. Do t’u them: a do të rrini mirë, apo ta dekretoj Azem Hajdarin ministër?

Në fakt, deri këtu shkoi pranimi i kandidaturës së Azem Hajdarit. Ishte shansi i tij i fundit që të provonte qoftë edhe 15 ditë një portofol ministri. Ishte njeriu që kishte udhëhequr rrëzimin e komunizmit dhe kishte themeluar një parti që, për 8 vjet, e kishte persekutuar dhe përndjekur politikisht. Në ditët e fundit të saj formalisht në pushtet, sërish nuk ia rezervuan. U dëshpërua shumë. U ul në lulishte dhe porositi disa birra me radhë. Filloi të përdorë radiot që i mbante me shumicë me vete. U mor vesh që u dekretua formalisht ministër Ali Kazazi. U ngjall menjëherë. Mori Aliun në radio dhe i tha që në orën 23.00 të natës do të takoheshin në zyrën e ministrit të Brendshëm, se do ta prezantonte me strukturat. Nuk di çfarë i tha tamam Ali Kazazi, por pas bisedës, Azemi u ngjall disi.
– T’ua nxjerr frikën, – tha, – të shkoj aty t’ua tund njëherë dhëmbët atyre pisave që u dorëzuan kështu.
Dhe iku vërtet në orën 23.00 në atë godinë ku ëndërroi aq shumë që të hynte një herë si ministër, por që hynte gjithmonë brenda dyerve të saj me ndjesinë që ishte shumë herë më shumë se aq.

FOTO:

Sali e Liri Berisha në familjen Hajdari