Azem, ti (s) je gjallë!

1
55

Preç Zogaj, 12.09.2010

Dymbëdhjetë vjet më parë, një mbrëmje të errët, ku vetëm shiu i shtruar bënte pak dritë në skenën e madhe të krimit të paralajmëruar, u vra në Tiranë, para selisë së PD-së, Azem Hajdari. I pambrojtur nga urrejtjet, por edhe nga dashuritë, ai shkoi drejt vdekjes si dikush që është lodhur duke shpëtuar nëpër prita të pambarimta dhe që nuk gjen ngushëllim në mitin e të pamposhturit. Trupi i tij i mbushur me plumba u shemb përdhe për të mos u ngritur më kurrë.

E kemi menduar gjithmonë, por nuk mbaj mend ta kemi thënë apo shkruar gjëkundi – dhe në fakt ka qenë dhe është gjithnjë e rëndë ta thuash – se Lëvizja Demokratike Shqiptare është e vetmja në Evropën ish-komuniste, së cilës i është vrarë prijësi. Ka ndodhur që në vorbullën e shpërthimeve për ndryshime në ndonjë vend ish-komunist të jenë vrarë apo dëbuar simbolet regjimit të vjetër, siç është rasti i Çaushekeskut në Rumani apo i Honekerit në Gjermaninë Lindore.

Por, jo simbolet e regjimit të ri. Vetëm në Shqipëri ka ndodhur kjo. Disa nga studentët e vijës së parë dhe orëve të para të lëvizjes për ndryshimin e sistemit ikën pothuajse të gjithë në rrethana që do të meritonin një përkushtim të veçantë për t’u treguar një nga një. Kurse shoku dhe udhëheqësi i tyre, Azem Hajdari, që u shpall dhe u njoh si i tillë në flakërimin e çastit heroik të përballjes me historinë, u vra tetë vjet më vonë. Nuk është e vërtetë ajo që thuhet shpesh se demokracia shqiptare e kaloi lehtë. Demokracia shqiptare pagoi flinë e nderit. Historia e pluralizmit, e tranzicionit apo e demokracisë sonë nuk mund të lexohet drejt pa marrë parasysh këtë vrasje.

Shqipëria ishte vendi i fundit në Evropë që vendosi pluripartitizmin. Vendi i parë ishte Polonia. Vendi i parë dhe vendi i fundit kanë të përbashkët faktin se forcat e reja dhe forcat e vjetra e negociuan ndryshimin. Ky fakt ka pasur e vazhdon kë ketë një rol të veçantë, për të mos thënë përcaktues në natyrën e pluralizmit dhe në fatin e aktorëve politikë të tranzicionit tonë. Çfarë ishte Azem Hajdari?

Çfarë e bën atë të ndryshëm nga të tjerët? Çfarë i jep atij tiparet e ndërthurura të heroit me atë të një aventurieri të politikës? Është raporti i tij i papajtueshëm me pluralizmin e negociuar, ku partia e punës dhe udhëheqësi i saj, Ramiz Alia, kaluan në histori si bashkautorë. Azemi e ndjente rrezikun e një pluralizmi të simuluar, ku njerëzit pozicionoheshin më shumë nga fati që kishin pasur në komunizëm se sa nga idetë e qarta, ku partia e re dhe partia e vjetër dukeshin shpeshherë njëlloj në lidhje me atë që kërkonin të bënin, ku vija e sjelljes së tyre ishte kryesisht përshtatja dhe jo alternativa. Kjo ishte vdekja e alternativës. Kjo ishte njëlloj si të pajtoheshe me idenë e pluralizmit të mendimeve, por me parti.

Pra, me një pluralizëm brenda sistemit të mëparshëm që mbështetej në një ndarje të menduar rolesh për të kontrolluar pushtetin dhe jo në produktin e natyrshëm të garave të lira zgjedhore. Ndërsa, nuk kishte mundur ta shmangte bashkautorësinë e pluralizmit, Azem Hajdari kërkonte gjithnjë të prishte status-quonë e përngjasimit apo njësimit me partinë e vjetër, të provokonte, të vendoste kufij të rinj kërkesash të Partisë Demokratike, që nuk mund të ndiqeshin lehtë apo të kundërshtoheshin pa hequr maskat nga partia e punës. Ai ishte problemi, ai ishte kundërshtari kryesor, rebeli, ikonoklasti i ri.

E gjithë kjo bënte që deklaratat dhe qëndrimet e tij të vlerësoheshin si ekstremiste nga një pjesë e njerëzve, ndërsa kundërshtarët e tij të çdo ngjyre shfrytëzonin çdo rast për ta paraqitur si aventurier. Por, këto ishin të pritshme për një personazh të pazakonshëm, i cili përfaqësonte tharmin epik dhe heroik të Lëvizjes së Dhjetorit, që dukej sikur ishte shënuar për të qenë ndryshe nga të tjerët, që do ta paguante me jetë atë që unë e quaj veprimi i tij prej heroi. Mjeshtërit e mëdhenj na kanë mësuar se heroi nuk është e njëjta gjë me njeriun e ndershëm.

Njerëzit e ndershëm janë ata që dinë të thonë “jo” në kohën e duhur. Ka shumë të tillë. Kurse heronj ka pak. Në të vërtetë, thotë shkrimtari spanjoll Javer Cerkas, në veprimin e një heroi ka gjithmonë diçka të verbër, irracionale, instiktive, diçka që është nga natyrën e tij dhe nga e cila nuk mund të shmanget. Për më tepër, mund të jesh njeri i ndershëm gjatë gjithë jetës, por nuk mund të jesh sublim prerazi. Prandaj, heroi është i tillë vetëm në raste të jashtëzakonshme, në një çast, ose, e shumta, në një periudhë çmendurie apo frymëzimi…

Sa herë lexoj këto radhë të mrekullueshme me del para syve figura komplekse e Azem Hajdarit, me atë të folurën e tij në tribuna si të ishte i dehur, i shënjuar pamëshirshëm nga përkohësia dhe vdekja në një vend të huaj për kalorësi të çmendur, por të përshtatshëm e të dashur për demagogë, konformistë dhe arrivistë. E shoh me sytë e mendjes dhe më vjen të mendoj se nuk e vranë, por na la.

Siç ndodh gjithnjë, Azem Hajdari u njoh si hero në vdekje. Për një kohë të gjatë fansat e tij, mbështetësit e tij, militantët e Partisë Demokratike dhe shumë njerëz të tjerë e kanë thirrur me zë të lartë emrin e tij si të ishte një profet. Brenda atyre turmave ka pasur njerëz që me emrin e Azemit kërkonin kthimin e Berishës dhe Partisë Demokratike në pushtet. Azemi në këtë rast ishte një parullë politike dhe elektorale.

Por ka pasur gjithnjë diçka me shumë, diçka impersonale në thirrjen e emrit të Azem Hajdarit nga demokratët dhe njerëzit e thjeshtë. Këta e kërkonin pikërisht për cilësitë e tij prej rebeli, që janë të vetmet që nuk gënjejnë. Por thirrja e emrit të Azemit ishte edhe një premtim për të venë në vend të vërtetën e vrasjes së tij. Askush, dhe besoj as ish-kundërshtarët e tij, nuk mund të pranojnë versionin se prijësi i lëvizjes demokratike të dhjetorit u vra si pasojë e një “konflikti tropojanësh”.

Ky është një version që fyen arsyen dhe rehabiliton vrasjen politike. Berisha, të cilit Azem Hajdari, si tropojan, i delegoi në një farë mënyre përfaqësimin në majat e pushtetit, e ka pas premtuar personalisht rihapjen e dosjes “Hajdari”. Prioritetet e mandatit të parë të Berishës ishin të tjera. Në mandatin e dytë premtimi i tij është në kundërkohë me skemën e mbajtjes së pushtetit. Mund të ketë edhe arsye të tjera, që u duhen thënë, minimalisht pjesëtarëve të familjes Hajdari.

Ajo që nuk mund të tolerohet në këtë histori është harresa. Përmendorja e Azem Hajdarit, e derdhur para dy-tre vjetësh, dergjet në një fonderi, sepse nuk po gjendet një vend për ta vendosur. Mendimet qe provokon ajo përmendore e lënë mënjanë të ngrenë mornica. Në të gjallë dhe në vdekje, në skenat më pikante të fatit të tij, Azem Hajdari ka qenë vizatimi i vetë periudhës. Kur u paraqit në Kuvend në karrocë, pasi i pat mbijetuar atentatit aty, pamja e tij na tregonte zigzagun e tmerrshëm të pluralizmit shqiptar.

Kurse kësaj radhe, përmendorja e pangritur është vizatimi i rrëshqitjes sonë në cinizëm dhe mosmirënjohje, në lakmi dhe çoroditje. Sot, me siguri ka me mijëra shqiptarë që për inerci të një zakoni mërmërisin andej-këndej në vetminë e tyre “Azem, ti je gjallë”. Është e vërtetë se Azemi do të kujtohet gjithmonë. Bota shqiptare e ka pranuar dhe do të vazhdojë ta pranojë si një hero. Por, nga bota pa skrupuj e lakmisë, gjëmon po sot antistrofa “s’je gjallë”. Është një marrëzi në kalim. Heronjtë nuk humbin kurrë!

1 COMMENT

  1. Azem ti je gjalle!
    Ka shume gjera qe ne kete artikull nuk jane te sakta,edhe kur hyhet ne detaje.frika per te folur te verteten eshte e dukshme.
    Nuk mund te rri pa perseritur per te saten here ate qe A. Einshteini ka thene:
    “Bota eshte kjo katastrofe qe shikoni, jo me shume nga fatkeqesite e krijuara nga keqberesit, sesa nga inercia e te drejteve qe e kuptojne dhe rrine e shikojne.”
    E vetmja gje e sakt ,e thene nga autori eshte: Sot,me siguri ka me mijra shqiptare qe per inerci te nje zakoni mermerisin ne vetmine e tyre “Azem, ti je gjalle”
    Meritat e tij personale, te Azemit, jane te medhaja per rrezimin e diktatures:
    Me kujtohet qe ne vitin 1991, do hanim nje dreke me nje mikun tim ne nje restorante ne kodrat e liqenit te Tiranes, ai me pyet: E ke problem nese vjen dhe Azemi te drekoje me neve?
    Ju pergjigja: Eshte nje kenaqesi.
    Miku im kishte miqesi me te dhe gjate drekes bente shaka me te.
    – Azem i tha: me trego si u dogj komiteti i partise ne Tropoje?
    – Ti u the djemeve qe te shkonin tek komiteti i Partise apo jo? Por sigurisht u the qe kujdes se mos e digjni komitetin e partise apo jo?
    – Sigurisht, tha Azemi.
    – Athere kjo d.m.th qe – Digjeni, shtoi miku im.
    – Leri shakat, tha Azemi, se keta miqte e tu mos e marin per te vertete.
    Ishim kater veta ne tavoline.
    – Jo, i thame neve, e dime qe F.C. ben shaka.
    Ky ishte Azemi, i kudo ndodhur, besnik, qe dinte te mbante fjalen, por pa shoke dhe teper i ngarkuar me probleme dhe shqetesime te kohes. Kishte te gjitha karakteristikat e nje heroi, por heronjte nuk rrojne gjate.

Comments are closed.