Nga Redan Bushati
TIRANE – «Klika e natës dhe e turpit nxjerr për ditë “gazeta” të reja, të paguara nga arka e Shtetit. Mendimi i klikës sodomite dhe hajdute është, duke botuar shumë gazeta, t’i japë botës besimin që ka një shtyp të gjerë në Shqipëri dhe që ky shtyp, shtypi i tërë pothuaj, mban anën e kabinetit, që ç’qeveris Shqipërinë.» – këto janë dy fjalitë hyrëse të artikullit “Nga tryeza e kryetarit”, nëntitulli “Klika e natës dhe e turpit” e mendjendriturit Faik Konica, të botuar më 31 mars 1923 në gazetën “Dielli”.
Dhe sot pas 89 vjetësh, artikulli i Konicës është tejet aktual, veçan hyrja e tij, ku me dy fjali, si rrallëkush, jep panoramën dhe fatin e shtypit shqiptar: dje, sot, me gjasë dhe nesër, nëse larot e pendës do të shtohen dhe nëse populli shqiptar, pavarësisht se e kupton lojën e pushtetit-shtet, zgjedh të mjaftohet me kapërdimjen e saj mbytëse.
Në të njëjtin artikull, po nëntitulli “Larot e pendës“, mes të tjerash poligloti shqiptar thekson «larot e pendës kanë një shesh të lirë, mbushin xhepat, dhe kënaqin instinktin e skllavit, i cili kërkon kurdoherë të fëlliqë dhe të shajë gjërat më të lartëra… ». A s’po bëjnë vallë këtë, me përpikëri dhe angazhim të jashtëzakonshëm, një “industri” e madhe mediatike në Shqipëri?! Pa më tregoni pakëz, për të më bindur, emrat e kujt media kanë mbetur pa u skllavëruar dhe gazetarët e cilës së përditshme shqiptare pa shërbyer si laro të pendës! Në ndërgjegjen time, përgjigjja për numrin e medias nuk i kalon gishtërinjtë e njërës dorë; ndërsa për gazetarët nuk di ç’të them, di veç se në ka profesion në vendin tonë më të nëpërkëmbur e të pambrojtur financiarisht e fizikisht është: gazetaria.
Pyetjet, përgjigjet e sakta (të drejta) të së cilës japin edhe tablon e gjendjes së medias në vendin tonë, janë:
a) Si financohet media në Shqipëri? (Sot “industria e medias” është një nga sektorët me humbje ekonomike, por që çuditërisht asnjë media nuk falimenton!);
b) Kush e financon median shqiptare? dhe
c) Nëse kjo e fundit, media, ashtu siç rëndom përflitet, financohet nga njerëz të pushtetit apo të lidhur ngushtësisht me të, mafiozë të lidhur me shtetin, pronarë që kërkojnë favorizimin e bizneseve të tjera të tyre etj., atëherë ”Si mund të besohet në një media të lirë dhe të pavarur, nëse ajo është e kapur nga interesa meskine dhe klane mafioze?”
Media shqiptare është një pushtet me fuqi të papërgjegjshme, ku secili mund të thotë ç’të dojë dhe të nxjerrë llum nga goja, sepse asgjë s’e ndalon, pengon apo penalizon atë. Nga ana tjetër, shtypi shqiptar, pavarësisht përmirësimeve të pjesshme, nuk i përgjigjet ritmit dhe nevojave të zhvillimeve globaleve, të diktuara edhe mbi trupin e Shqipërisë. Shtypi shqiptar është kthyer në një monopol, i cili menaxhohet nga faktorë të ndryshëm me dhe në pushtet, që derdhin të holla për mbajtjen në këmbë (fuqi) të grupit të tyre mediatik.
Rasti i gazetës TemA është një shembull sesi fytyra e baltosur e një pushteti rrënon një gazetë nga themelet, edhe pse ajo vazhdon të mbahet, së paku në dukje, me sakrifica të mëdha, por tirazhi i së cilës është fare pak i ndjeshëm. Duke mos mjaftuar vështirësitë e daljes së saj në treg, kjo gazetë ndeshet në vështirësi të herëpashershme edhe me daljen e saj në internet nga sulmet e hackerave apo vullnetarprishësve, që presin “dekorata” nga pushteti.
Vetë botuesi i saj, Mero Baze, në studimin e Sokol Ballës “Fjala e lirë, sfidë Europiane“, në faqen 54, mes të tjerash deklaron «Duke më ndëshkuar mua me të gjitha metodat, fizike, financiare dhe familjare, ai (Sali Berisha) ka kërkuar të kalojë një mesazh frike në median shqiptare». Një rast i fundit, por jo i vetëm, është edhe mënyra mbytëse e kërcënuese, ku inspektorët e kontrollit tatimor trokasin në dyert e gazetës Shqiptarja.com.
Kjo nuk do të thotë aspak se një media nuk duhet t’i nënshtrohet kontrollit fiskal, porse është e çuditshme sesi sapo një biznes ndodhet në hapat e parë të tij, inspektorët mbijnë si kërpudhat mbas shiut.
Kulmi i absurdit dhe ironisë qëndron tek TVSH-ja, që kënaq çdo pushtet në Shqipëri, – siç thotë po Faik Konica në artikullin e lartpërmendur «…nevojat dhe idealet e Popullit lëftohen me financa të shtrydhura nga gjaku i Popullit !», secili prej nesh është taksapagues i rregullt apo i detyruar për të qenë i tillë i Radio Televizionit Publik Shqiptar. Dhe ç’na shfaq çdo ditë TVSH-ja jonë e dashur, veçse “orgjitë” e larove të pendës me eprorët e tyre pushtetar?!
Një ndër gazetarët e shquar amerikan të kohës së Luftës së Dytë Botërore, Edward R. Morrow është shprehur «Hapi i parë në likuidimin e një populli është të fshini kujtesën e tij. Shkatërroni librat e tij, kulturën e tij, historinë e tij. Atëherë vini dikë të shkruajë libra të rinj, të krijojë një kulturë të re, të shpikë një histori të re. Para se të kalojë shumë kohë kombi do të harrojë se çfarë është dhe çfarë qe».
Por, harrojeni se do të arrini deri këtu.
Në fund, kurajë për median e shtypin e lirë e të pavarur shqiptar. E si për t’ju ndihur, sadopak më tej në veprimtarinë tuaj, po e mbyll me eruditin shqiptar, Faik Konica, ku mes të tjerash në një letërkëmbim me një funksionarë të lartë austriakë, shkruan «Unë nuk e kam kuptuar asnjëherë rëndësinë e pasjes së shumë lexuesve, por unë kuptoj atë të pasjes së lexuesve të mirë, të pakët në numër ndofta, por të mençur, të aftë për të kuptuar dhe përhapur atë që kanë kuptuar»