Elton Xhanari, 09.09.2010
“Dëbimi im nga partia që themelova bashkë me Berluskonin, është qesharak. Mjaftuan dy orë mbledhje, pa prezencën time, dhe një motivacion që u përket faqeve më të errëta të stalinizmit.” Kështu foli të dielën Xhanfranko Fini, presidenti i Dhomës së Deputetëve, dhe lideri i forcës politike më të re në gjirin e së djathtës italiane.
Kanë kaluar vetëm dy vite që kur Aleanca Nacionale (Fini) dhe Forca Italia (Berluskoni), u shkrinë në një parti të vetme (Populli i Lirisë), e cila triumfoi në zgjedhjet e përgjithshme. Thamë që kanë kaluar vetëm dy vite, por tashmë, pranvera e 2008-ës, duket prehistori.
Shumë gjëra kanë ndryshuar nga ajo kohë, përveç njërës. Silvio Berluskoni është po ai. I njëjti politikan që nuk pranon kompromise; që qeverisjen e koncepton si komandim; që partinë e drejton as më shumë dhe as më pak si ndërmarrjet e tija.
Ai është pronari, të tjerët, në hipotezën më të mirë, mund të jenë administratorë, apo shefa departamenti. Është i njëjti Silvio që problemet që ka me drejtësinë kërkon t’i zgjidhë në Parlament, me ligje, dhe jo nëpër gjykata, me fakte.
Një lider si Xhanfranko Fini, i rritur në radhët e “Lëvizjes Sociale”, trashëgimtarët e fashizmit, sigurisht nuk mund ta pranonte kokuljen pasive që pronari Silvio pretendon nga vartësit e tij. Dhe anasjelltas, miliarderi milanez, nuk mund të tolerojë që në partinë e vet, dikush të ketë një mëndim vetjak, këndvështrime autonome dhe, akoma më keq, kundërshtime.
Nga ky keqkuptim themelor lind përçarja midis Finit dhe Berluskonit, që po çon vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme.
I pari shpresonte që Partia e Popullit të Lirisë të ishte me të vërtetë e lirë dhe plurale; I dyti as që mund ta imagjinojë dot të marrë pjesë në një organ social (ekonomik, politik, shtetëror), ku dikush t’i thotë jo.
Sidoqoftë, situata politike aktuale është tepër e ndërlikuar, dhe e gjithë loja zhvillohet në gjirin e së djathtës. Vetëm në Dhomën e Deputetëve, lëvizja e Finit (e Ardhme dhe Liri për Italinë), përbëhet prej 35 deputetësh, një shifër e mjaftueshme për të rrëzuar mazhorancën aktuale.
Pra, qeveria, nuk i ka numrat për të mbijetuar nëse finianët votojnë jo, apo thjesht abstenojnë. Ky është realiteti i hidhur, me të cilin Berluskoni dhe aleati më i ngushtë, tashmë i vetmi, Umberto Bossi (Lidhja e Veriut), duhet të përballojnë tani e tutje.
Dilema është midis zgjedhjeve të parakohshme dhe një pakti të ri armëpushimi me Finin. Dy rrugë këto që mbartin rreziqet e veta.
Pikësëpari, zgjedhjet nuk janë dhe aq të sigurta, sepse mund të formohet një shumicë e re parlamentare, e cila mund të mbështesë një qeveri teknike për rishkrimin e Kodit Zgjedhor.
Presidenti Napolitan detyrohet nga Kushtetuta të shkrijë parlamentin vetëm nëse ky i fundit nuk është më në gjendje të shprehë një mazhorancë që mbështet një qeveri. Ngjyra e mazhorancës, apo mandati i qeverisë, i përkasin politikës dhe, në një farë mënyre, për Presidencën, janë vetëm detaje.
Kush deklaron që nëse bie kjo qeveri zgjedhjet janë të detyrueshme, o është një “analfabet në fushën kushtetuese” (fjalët jo-zyrtare të Napolitanos), ose shpreh thjesht një dëshirë.
Por, edhe sikur të shkohet në votime së shpejti, frika është se partia e re e Finit, do të jetë akoma më vendimtare për legjislaturën e ardhshme. Sidomos në Senat, ku mandatet ndahen në nivel rajonal, për Silvion do të rishfaqej përsëri situata e tanishme: bisedime të pafundme dhe kompromise sfilitëse.
Rruga e dytë do të ishte vazhdimi i kësaj mazhorance me Finin, deri në përfundimin natyral të legjislaturës (2013), por me një program dhe një pakt të ri koalicioni. Kundrejt mbijetesës së qeverisë, çmimi që Partia e Popullit të Lirisë do të paguante do të ishte shumë e lartë.
Nuk do të kishte më ligje “ad personam”: ato modifikime të vogla të kodit të procedurës penale, që do të bënin të mundur daljen e Silvios nga telashet gjyqësore (procesi për korruptimin e dëshmitarit Mills, përfundon në pranverë).
Sloganet dhe masat e egra kundër emigrantëve (votëburimi kryesor i Lidhjes së Veriut), do të zbuteshin. Gjunjëzimet në nder të diktatorëve të pashpirt si Gheddafi, për hir të naftës dhe të prokurimeve publike libike në favor të firmave italiane, do të përfundonin.
Sidoqoftë, përshtypja është se epoka e berluskonizmit, gjashtëmbëdhjetë vite pas vitit 1994, kur kandidoi (dhe fitoi), për herë të parë, po shfaq shenja perëndimi.
Kjo, jo fal të majtës (në letargji të vazhdueshme), por për shkak të një konceptimi totalitar dhe populist që Silvio ka të politikës.
Sepse, gjithmonë dikush i ka thënë jo mbretit, dhe kjo është krisja e parë e pushtetit të tij.
*Autori është korrespodent i “Shekullit” në Romë