Nga Ani Ruci, “Deutsche Welle”
Misioni i BE, EURALIUS, po mbështet Shqipërinë në reformimin e sistemit të drejtësisë. Kreu i këtij misioni, Roland Miklau, thotë se drejtësia në Shqipëri nuk është e lirë nga ndërhyrjet e politikës
Zoti Miklau, cilat janë qëllimet dhe prioritetet e projektit të BE, të njohur si EURALIUS, të drejtuar prej jush lidhur me reformën në drejtësi?
Synimi i përgjithshëm i projektit është të ndihmojë vendosjen e një sistemi modern, profesional dhe transparent të drejtësisë, në të cilin njerëzit të besojnë. Qëllimi është që qytetarët e Shqipërisë të kenë besim në sistemin e tyre të drejtësisë. Kjo kërkon që sistemi të funksionojë mirë, kërkon integritet, reduktim të korrupsionit. Korrupsioni nuk mund të zhduket 100 për qind, ai ekziston edhe në vende të tjera evropiane – por është e domosdoshme të ulet niveli i tij, që qytetarët e Shqipërisë të kenë ndjesinë që shumica e proceseve gjyqësore marrin një gjykim të ndershëm, të paanshëm, objektiv, të mbështetur në ligj dhe në përputhje me standardet evropiane.
Çfarë do të thotë, zoti Miklau, standarde evropiane në sistemin e drejtësisë? A mundeni t`i shpjegoni ato pak më gjerë?
Standardet evropiane janë një tërësi rekomandimesh, rreth 200, të Këshillit të Evropës, ku Shqipëria është vend anëtar. Standarde evropiane do të thonë një funksionim i mirë i sistemit të drejtësisë, besueshmëri ndaj gjykatësve dhe prokurorëve, do të thotë një perceptim i publikut për diçka që është pranë drejtësisë – drejtësia absolute është diçka e paarritshme, e pamundur – por njerëzit duhet të ndjejnë se ka një trajtim të ndershëm të çështjeve gjyqësore, trajtim të ndershëm ndaj dikujt që dyshohet për veprimtari kriminale dhe, nëse ka një konflikt, ai duhet të zgjidhet në mënyrë objektive apo përmes një kompromisi. Edhe nëse gjithë palët nuk janë të kënaqura me rezultatin, ato duhet ta pranojnë atë. Pranimi i rezultatit është një përvojë në shumë vende, jo sepse këtë e kërkon ligji, por edhe në bazë të procedurës se si është arritur rezultati, të argumenteve të dhëna nga autoritetet për të shpjeguar pse u arrit ai rezultat. Këto janë po kaq të rëndësishme sa edhe brendia e vendimit.
Misioni i BE, EURALIUS, është i pranishëm në Shqipëri që në vitin 2005. A keni pasur rastin të vëzhgoni ndërhyrje të politikës, të njerëzve të fuqishëm në drejtësi, sidomos në vendimet e gjykatësve?
Ajo që misioni ynë mund të vëzhgojë është që deklaratat publike nga anëtarët e qeverisë, ka të ngjarë, që të kenë ndikim në vendimet që marrin gjykatësit. Për gjykatësit në Shqipëri situata nuk është tërësisht e sigurt për një sërë arsyesh: ka inspektime selektive, arbitraritet, ka mundësi për trajtime jo të ndershme, jo të barabarta brenda sistemit. Pra, ka pasiguri dhe kjo shkallë pasigurie mund të çojë në sjellje, që jo gjithmonë janë të parashikueshme. Mund të ketë një dëshirë për të ndjekur atë që njerëzit e fuqishëm duan ose që punonjësit e drejtësisë mendojnë se këta njerëz duan apo presin prej tyre. Kjo situatë ndikon në sjelljen e gjyqtarëve dhe ka një lloj rreziku që ata të shmangen nga vendime që kërkojnë kurajë dhe të preferojnë mënyrat formale për të shpjeguar procesin gjyqësor. Kur e sheh vendimin e gjyqtarëve, ai të duket shumë profesional, shumë teknik, por në thelb nuk është një vendim i ndershëm dhe nuk konsiderohet i pranuar nga palët e interesuara si një vendim i ndershëm.
A e bën kjo mënyrë e marrjes së vendimeve nga gjyqësori situatën emergjente dhe vendosjen e procedurave që detyrojnë zbatimin e ligjit një domosdoshmëri urgjente?
Nuk mendoj se ka një situatë emergjente. Po mendoj se ka një nevojë urgjente për të vazhduar reformat në drejtësi. Janë realizuar një sërë projektesh, janë arritur suksese, por ka ende shumë për të bërë. Po, ka nevojë për vendosjen e procedurave që bëjnë të mundur, jo vetëm hartimin e ligjeve të mira, sipas standardeve të BE, por edhe zbatimin e tyre, përgatitjen e tyre në atë mënyrë që zbatimi i ligjeve të lehtësohet.
Z. Miklau, ju sapo thatë që në Shqipëri drejtësia nuk është e lirë nga ndërhyrjet e politikës. Cila është baza që kjo situatë të ndryshojë, që të arrihet hap pas hapi në një cilësi të re të sistemit?
Po, është e mundur që të ecet përpara hap pas hapi. Nuk mund të ketë një kërcim të madh përpara. Kjo kërkon strategji, plane veprimi, vullnet të mirë, punë profesionale për të hedhur hapin tjetër dhe formuar baza për një cilësi të re të sistemit të drejtësisë. Nuk mund të pritet ndonjë lloj mrekullie, sepse njerëzit janë po ata. Në sistemin e drejtësisë ka gjyqtarë që kanë punuar gjatë kohës së diktaturës komuniste, të tjerë që janë përgatitur shpejt e shpejt me kurse 6-mujore në fund të kësaj diktature, dhe ka edhe gjyqtarë, prokurorë të rinj, që janë kualifikuar në Shkollën e Magjistraturës për tre vjet, aftësitë e të cilëve janë të krahasueshme me ato të kolegëve të tyre në Evropën Qendrore dhe Lindore. Pra, në Shqipëri ka grupe të ndryshme që i bëjnë gjërat herë- herë të vështira, ka ndikim të politikës dhe sistemi i drejtësisë nuk është i çliruar nga ndikimi i politikës, gjë që ndodh edhe në vende të tjera, nuk po flas për Afrikën apo Amerikën Latine, por në kontekstin evropian, Shqipëria është një vend në zhvillim. Në kushte të tilla ju nuk mund të prisni që brenda natës të ndodhin mrekulli.