Edhe mediat serbe “Kurir”, “In Serbia” i ka dedikuar mjaft vend deklaratave të Koço Danaj, botuar sot në mediat austriake mbi ‘Shqipërinë Natyrale”, firmat që do të mblidhen për të dhe më pas një peticion ndërkombëtar.
“Politikani shqiptar Koço Danaj tha se Mali i Zi duhet të tërhiqet nga pjesët lindore të territorit të tij, i cili është i banuar kryesisht nga popullsia shqiptare dhe në këtë mënyrë ky territor do t’i përkasë “Shqipërisë Natyrale”. Kështu u raportua nga e përditshmja serbe “Kurir”. Në qoftë se nuk krijohet “Shqipëria Natyrale”, atëherë në Ballkan do të ketë luftë të re”, tha Danaj.
Më tej në mediat serbe citohet Danaj, në një intervistë për agjencinë DPA, ku tha se të gjithë shqiptarët duhet të jetojnë në një shtet të vetëm. Ai gjithashtu tha se shqiptarët kanë vuajtur padrejtësi të mëdha në Konferencën e Londrës në vitin 1913. Në konferencë u pengua bashkimi i të gjithë shqiptarëve, edhe pse disa vjet më pas u ra dakord për këtë fakt, shkruan shqiptarja.
“Sot ne kërkojmë bashkimin e të gjithë shqiptarëve, pa luftë”, tha Danaj. Kur u pyet se çfarë lloj efekti do të shkaktojë formimi i “Shqipërisë së Madhe”, ai tha se ata [shqiptarët] në fakt pëlqejnë ta quajnë atë “Shqipëri Natyrale”, sepse termi “Shqipëria e Madhe” vjen nga nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore.
“Efekti është garanci se nuk do të ketë më dhunë në Ballkan. Përndryshe, mund të pritet një luftë e re ballkanike. Në qoftë se ne do të kemi Shqipërinë në kufijtë e saj natyrore, kjo luftë nuk do të ndodhë”, tha Danaj.
Kur u pyet se si mund të krijohet “Shqipëria natyrale” për të gjithë shqiptarët, ai tha se zgjidhja e vetme është organizimi i një konference të re ndërkombëtare. Danaj, në promovimin e listës së tij politike të “Shqipërisë Natyrale” në vitin 2010 tha se krijimi i shtetit të ri mund të bëhet në mënyrë paqësore dhe përmes bisedimeve me fqinjët.
Danaj gjithashtu i kërkoi qeverisë së Malit të Zi të organizojë një referendum, që do të lejonte shqiptarët të thonë lirisht, nëse ata dëshirojnë të vazhdojnë të jetojnë në Mal të Zi ose t’i lënë territoret e tyre.
Në janar të këtij viti, media shqiptare dhe kosovare shkroi rreth ekzistencës së Shqipërisë së Madhe në hartën e Europës në të ardhmen, që parashikohet të krijohet nga 2035. Siç u tha në atë kohë, kjo prognozë ishtë bërë nga nga analistët e CIA-s amerikane.
Millovan Drecun, kryetar i bordit për Kosovën dhe Metohinë në Kuvendin e Serbisë, theksohet të ketë thënë kohët e fundit se nënshkrimi i marrëveshjes së bashkëpunimit ushtarak ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, i cili parashikon praninë e forcave ushtarake shqiptare në territorin e Kosovës, është provokim i rëndë dhe i papranueshëm, që ndikon në destabilizimin e paqes në rajon dhe dërgon mesazhin e pretendimeve për Shqipërinë e Madhe.