Politikë tejpërtej mediave

0
32

nga BELINA BUDINI, 04 Shtator 2010

Nëpërmjet mediave, por pa ndërhyrjen e tyre… Ky është stili i PR-it si i vetmi aktivitet politik që dominoi politikën e verës në Shqipëri dhe po vijon për inerci edhe në këto ditë të para vjeshte. Metoda e politikës së foltores nuk është më thjesht një shfaqje bajate, pasi ka marrë përmasa shqetësuese duke kompromentuar në këtë praktikë edhe mediat, që i ka tërhequr në lehtësinë e vet të papërballueshme. Megjithëse nuk është dukuri edhe aq e re në qytet, për shtrirjen dhe intensitetin që ka marrë meriton vëmendje dhe qasje kritike. Si forma të aktivitetit…

politik “made in Albania”, këto “dalje në media” vështirë se gjejnë rezonancë me metodat moderne të komunikimit politik në ndonjë vend të botës së qytetëruar sot. Nuk mund t’i quash as konferenca për shtyp tamam, as aktivitet politik normal. Megjithëse po tentojnë të na shndërrohen në normalitet si praktika të përditshme të tipit “një fytyrë me një akuzë”, po bëhen çdo ditë e më të padurueshme si produkte të shterpësisë dhe mediokritetit politik dhe në aspektin e marrëdhënieve me publikun. Për më tepër, dihet që efikasiteti i tyre i pretenduar nuk mund të jetë pa afat.

“Zëri i lartë” së paku duhet alternuar me “zërin e butë” si formë PR-i më pak agresive dhe e integruar në aktivitetin politik normal, që dihet gjithashtu se nuk ka për territor foltoren e improvizuar përpara selisë së partisë. Praktikat e integruara të PR-it dhe aktivitetit politik sigurisht janë më të vështira dhe nuk zhvillohen në eter, por janë politikisht të qenësishme dhe sigurisht më të pranueshme për sytë dhe veshët e publikut. Janë edhe forma më bashkëkohore të paraqitjeve politike, nëse doni.
Ndërsa “folësit” e ditës në rotacionin e tyre mediatik përpara foltores të kujtojnë për dreq tellallët e Shqipërisë mesjetare, teksa i bien kush e kush më fort daulles së anti-korrupsionit.

Performancat e tyre po u afrohen jo vetëm në formë, por edhe në përmbajtje e retorikë thirrjeve të drejtpërdrejta të tipit: “O milet, merrni vesh!”. Si të ishim rikthyer vërtet në epokën para mediave, zëri i ndërmjetësuesve mezi ndihet në sfondin e daulleve. Lehtësia e papërballueshme e kësaj mënyre të bërjes politikë duket se i ka tërhequr edhe mediat në letargji. Nuk ka se si të shpjegohet ndryshe tolerimi i kësaj praktike mediokre të prodhimit a simulimit të politikës!

Forca e mediave përballë këtyre “deklamuesve” do të ishte në çdo rast normal të ushtrimit të profesionit të gazetarit ndërveprimi me anë të pyetjeve dhe shkëmbimeve “agresive” me ta në logjikën e thjeshtë të një konference me mediat dhe jo kalimit transparent tejpërtej mediave. Duke pranuar një version të daljes për media të politikanit që nuk është as “deklaratë shtypi”, as “konferencë shtypi”, gazetarët e shndërrojnë forcën e tyre në dobësi dhe bëhen inekzistentë. Pa rolin e ndërmjetësit, çfarë mund ta mbajë ende në jetë një media, që edhe kuptimin e definicionit të vet e ka “ndërmjetësim”?

T’ia heqësh medias të drejtën e saj për të ndërmjetësuar së paku me pyetje, do të thotë ta asgjësosh atë. Nga ana tjetër, të shndërrohesh në ekran transparent për politikanin do të thotë të heqësh dorë nga misioni i gazetarisë. Nëse politikanët shqiptarë kanë vendosur të funksionojnë në këtë formë dhe e gjejnë atë efikase, kjo ndodh sepse mediat po ua lejojnë dhe mundësojnë këtë. Nuk është thjesht çështje shterpësie, paaftësie apo mungese burimesh, por dorëzim i ulët, fakti që axhendën e titujve dhe temave në media po e bëjnë më tepër politikanët, që mjafton të tundin nga një fletushkë me akuza dhe kundër-akuza për të fituar hapësirën maksimale në media…

Bisturia e gazetarit ndërhyn sa për ndonjë operacion të trashë, që sipas linjës editoriale të momentit, favorizon njërën palë duke e nxjerrë në dritë më pozitive dhe defavorizon tjetrën, duke ia prerë ose tymosur disi mesazhin. Kjo nuk duhet të jetë më as e vetë-mjaftueshme, as e vetë-tolerueshme. Megjithatë, më shumë “ndërmjetësim” nuk do të thotë më shumë “deformim” apo “anësi” nga ato që ka me tepri në skajet e mediave shqiptare, por pak më shumë prezencë dhe dinjitet në fushën e lojës sa për fillim…