MAGJIA E ARTIT SHQIPTAR NË RIVA DEL GARDA

0
67

Ndue Lazri

Sa kalojmë një qafë mali në këmbët e bjeshkëve trentine, para sysh na hapet një pamje vërtet befasuese dhe magjepsëse e pjesës më veriore te Liqenit të Gardës. Aty liqeni ngushtohet ekstremisht dhe merr pamjen e një fjordi. Qytetet e vogla buzë liqenit me një kaltërsi të rrallë, janë shumë piktoreske dhe të duket sikur po kalon përpara një vitrine me kartolina. Ndalemi në Riva del Garda, ku do të zhvillohet koncerti i lajmëruar që një muaj më parë, në kuadrin e aktiviteteve interkulturore që zhvillon shoqata “Rinia”, anëtare aktive e Federatës së shoqatave shqiptare në Itali. Vetë ky qytet i vogël, por shumë i bukur, ka formën e një amfiteatri, të rrethuar nga tri anët me male, e sheshi “Garibaldi” është skena e madhe e tij.

Pikërisht në këtë shesh është montuar edhe tribuna ku do të zhvillohet koncerti. Emigrantët shqiptarë dhe shoqatat e ndryshme e dijnë prej kohësh që do të vijnë artistë të njohur shqiptarë, me këngët, vallet, kostumet e muzikën e bukur të vendit tonë. Shumë prej tyre e kanë marrë rrugën që një natë më përpara, duke ardhur nga 500-600 kilometra larg. E nuk janë vetëm aktivistë të shoqatave apo të federatës, por edhe mërgimtarë të thjeshtë, që u janë bashkuar këtyre aktivistëve, duke u organizuar me makina, autobuzë e madje ka nga ata që kanë ardhur edhe me tren.

– I kemi ndjekur kohët e fundit aktivitetet që organizoni e na u zgjua dëshira të vijmë e të marrim pjesë edhe ne, – më thotë një çift të moshuarish që janë ngjitur që nga Pesaro. Të tjerë kanë ardhur edhe prej më poshtë Ankonës, e nga shumë rajone e qytete të Italisë së Veriut. Dy të rinj kanë ardhur nga Como, të tjerë nga Lecco. – Liqenin dhe pejsazhin i kemi shumë të bukur edhe ne andej, por sot na tërhoqi fakti që do këndojnë artistë shqiptarë, ndaj erdhëm deri këtu, – thonë ata.

Të tjerë kanë ardhur nga Varese, Milano, Bergamo, Vicenza, Brescia,Piacenza, Verona, Mantova, Bologna, Reggio Emilia, Treviso, Bolzano e qytete të tjera të rajonit të Trentinos. Këta të fundit janë fqinjët e qytetit organizator.

Të bën përshtypje se shumë kanë ardhur familjarisht. Ka shumë të rinj e fëmijë, që mbajnë edhe flamuj shqiptar në duar, apo bluza ku është e stampuar shqiponja e flamurit tonë. Tek vështroj këtë interesim e vërshim të njerëzve, më vijnë ndërmend ato vite kur ansambli ynë i këngëve e valleve popullore apo grupe të tjera artistësh shqiptarë bënin turne artistike në Kosovën e represuar nga ish-regjimi i Beogradit, apo në vende të tjera ku jetonin shqiptarë. Atëherë e ndiqja që nga brenda Atdheut, kurse tani e ndjek me emocionet dhe mallin e emigrantit, i përzier midis tyre, e duke pritur bashkë me ta fillimin e koncertit. Edhe pse duhen akoma disa orë, njerëzit kanë filluar të mbushin sheshin “Garibaldi”. Shikoj kryetarin e shoqatës “Rinia” Erio Korani, i cili nuk ka kohë as të ulet për një kafe, por vrapon sa andej-këtej në rolin e të zotit të shtëpisë që ka merakun dhe përkujdesjen që “dasma” të dalë sa më e bukur. Përkrah tij, në dukje më e qetë, por jo më pak e angazhuar përherë e buzëqeshura Eneida Dautaj, sekretare e shoqatës dhe anëtare e këshillit drejtues të Federatës.

Ata kanë menduar që fillimisht të bëjnë një takim me drejtues të shoqatave mysafire, të Federatës dhe me autoritetet lokale italiane për të njoftuar mbi masat përgatitore të eventit deri në respektimin rigoroz të rregullave të rendit në raste manifestimesh të tilla me pjesëmarrje të gjerë, por edhe për projektet e ardhshme për ta bërë sa më të gjallë e aktive jetën e komunitetit shqiptar në Itali. Kuestori, Dr. Giuseppe Grasso, me thjeshtësi thotë që ne e konsiderojmë një eveniment të rëndësishëm për qytetin tonë, ndaj jemi organizuar për të ndihmuar që gjithçka të shkojë mirë në aspektin e sigurimit të sheshit nga forcat e rendit dhe e konsideron diçka pozitive frymën bashkëpunuese me shoqatën e me komunitetin shqiptar. Me institucionin e tij ai ka bërë që koha e dhënies apo rinovimit të lejes së qëndrimit në Itali të emigrantëve të shkurtohet deri në 20 ditë, kur në qytete të tjera zgjat disa muaj. Ndërsa inspektorja e kulturës, Renza Bolletin, flet për rëndësinë e këtyre bashkëpunimeve kulturore, që kanë rrënjë të hershme midis dy vendeve dhe e konsideron koncertin si një festë edhe për qytetarët italianë.

-Edhe unë ndihem pak shqiptare, madje shqiptare e rëndësishme,- më thotë ajo me buzëqeshje pas takimit,-sepse mbaj mbiemrin e një heroi e luftëtari të shquar shqiptar, Isa Boletinit. E më tregon që është interesuar për këtë figurë të historisë sonë, flet për bëmat e tij, për veshjen e tij kombëtare që e bënte kaq aristokratike e legjendare pamjen, etj.

Sheshi vazhdon të mbushet me njerëz. Papritur, një orë e gjysmë para fillimit të koncertit nis një shi me rrebesh, sikur nga majat e maleve përreth hidhte dikush ujë me kova. Rrugët u mbushën me ujë, trafiku u bllokua. Njerëzit rendën të futen lokaleve apo poshtë strehëve. Me ambasadorin tonë, Prof. Neritan Ceka e bashkëshorten e tij, Angjelina, të cilët kanë ardhur që nga Roma për këtë aktivitet, po pinim kafe në një lokal. Mbetëm të bllokuar aty e na dëshpëronte kjo gjendje. Qielli ishte i zi sterrë e ujët rridhte nga qielli pa ndërprerje. Shqetësoheshim se ora e fillimit të koncertit po afrohej. Dikur shiu ia la vendin një breshëri po aq të furishëm, me kokrra të mëdha, që zhurmëronin çative, tendave e makinave sikur qëllonte ndokush me breshëri.
-Tani do hapet koha,- i them ambasadorit. –Përvoja ka treguar se pas breshërit qielli fillon e davaritet. Dhe, në fakt, pa kaluar gjysmë ore retë filluan të shqyhen në majat e maleve e përmes tyre të shfaqej e kaltra e qiellit. Kur zemrat e njerëzve janë të bashkuara edhe shiu kthehet në ujë të bekuar që bekon dashurinë e harmoninë mes njerëzve.

Të ardhurit për koncertin dolën nga ishin strukur dhe sheshi u mbush përsëri e njerëzit vërshonin nga tërë rrugët që çonin drejt tij. Po shoqëroja për tek tribuna-skenë spikeren Lori Duka, studente në Brescia, kur nga publiku shkëputet e vjen të më takojë Valbona Shtjefni, vajza e ish kolegut e mikut tim të ngushtë, gazetarit e poetit të ndjerë, Tonin Shtjefni. Ajo ka ardhur bashkë me familjen që nga rrethinat e Brescias për të ndjekur koncertin. E përqafova me mall dhe e lamë që më vonë të bënim një foto edhe me bashkëshortin e saj, Maurizion.

Sheshi tashmë thuajse nuk ka vende të lira. Publiku shtrihet edhe tej ndërtesave, në dy rrugë anësore që kanë pamje drejt skenës. Në këtë atmosferë dy spikerat e shkathtë, që përfaqësojnë edhe bukurinë e rinisë shqiptare, Lori Duka e Klaudio Findiku, hapin programin. Sheshi gjallërohet nga duartrokitjet e thirrjet që shprehin gëzim. Mjaftojnë tingujt e parë të muzikës e zëri i këngëtares shkodrane Vida Kunora me këngën “Xhamadani vija-vija”, që të dukej se sheshi mori flakë. Njerëzit duartrokasin, shoqërojnë si në kor këngëtaren, nisin e vallëzojnë. Vargjet e valltarëve fëmijë nisin përpara skenës. Pastaj edhe ata me të rritur që përhapen e lëvizin hareshëm mes puplikut në tërë sheshin. Këngëtarja interpreton këngë shkodrane e kosovare e entuziazmi ngrihet nën valëvitjen e flamujve. Pastaj del mbretëresha e serenatës korçare, ikona e bukurisë që nuk njeh perëndim, Eli Fara. E atmosfera bëhet edhe më magjike me zërin e saj të veçantë e nazet që e hijeshojnë skenën. Tashmë tingujt e muzikës shqiptare e zërat e këngëtarëve shkojnë deri përtej liqenit, përplasen me malin e kthehen si jehonë në shtëpitë e italianëve, që fillojnë e dalin dhe përzihen me publikun shqiptar në këtë festë të bukur të artit.

Bilbili i këngës përmetare, Ylli Baka sjell forcën artistike, lirike e epike të këngës së jugut. Këngëtarja e mirënjohur Elhaida Dani, që është e njohur për publikun italian edhe për fitoren-sfidë në edicionin e parë të “The voice of Italia” e fillon repertorin e saj me “Valsin e lumturisë” si një homazh për Vaçe Zelën e paharrueshme. Zëri i saj i fuqishëm duket sikur i shkakton një krisje malit aty përballë. Pastaj interpreton këngën me të cilën përfaqësoi vendin tonë në Eurovizion e që ishte një përfaqësim dinjitoz, mbase më i miri që kemi patur deri tani, pavarësisht mekanizmit handikapat të votimeve në atë festival. Më bën përshtypje fakti se kur ajo flet për të falënderuar publikun zëri mezi i ndihet, sepse gjatë udhëtimit ka qenë me temperaturë. Po kur i afrohet mikrofonit për të kënduar nuk kuptohet nga cila vatër shpërthejnë tërë ato energji dhe nga cila fole del ai zë si ta kishte vendin në folenë e fishekut të pushkës.

Kur fillon të këndojë këngën “Adaggio” të Albinones, me tastierën ndodh një difekt. E aftë ta zotërojë skenën dhe situatën, ajo improvizion aty për aty një akapelo me “Moj e bukura more”. Këngë që veçanërisht tek emigrantët ngjall emocione të forta, aq sa kënga pushton sheshin e nuk arrin të dallohet më zëri i këngëtares nga ai i publikut.
Grupi folklorik i Librazhdit, me vallen e Rajcës e valle të tjera të zonës, me kostumet e bukura e muzikën e gjallë e fton sërish publikun të krijojë vargjet e pafundme me valltarë të improvizuar.

Ndërmjet këngëve të programit futen edhe ndonjë përshëndetje e shkurtër për publikun. Ambasadori, Neritan Ceka falënderon për këtë pjesëmarrje kaq të gjerë (në shesh janë rreth 2.350 spektatorë) dhe thotë: Unë jam ambasadori zyrtar, por me emigrantë si ju, Shqipëria ka gati gjysmë milioni ambasadorë në Itali.

Kryetari i bashkisë i Riva del Garda, Alberto Monaser, i dorëzon një çmim mirënjohjeje ambasadorit Ceka dhe thotë: Ky shesh nuk është mbushur asnjëherë si sot. Ju falënderojmë për këtë manifestim të bukur, me të cilin i dhatë kaq jetë këtij sheshi e qytetit tonë. Në fakt një numër i tillë spektatorësh këtu është regjistruar para 18 vjetësh në një turne të këngëtares italiane Anna Falchi. Inspektorja Renza Bolletin i dorëzon një çmim prof. Piro Adamit. Përshëndet edhe inspektori i kulturës së komunës Val di Ledro, Fabio Fedrigoti. Pastaj sërish skenën e zotërojnë këngëtarët. Në mes të artistëve shqiptarë është edhe një këngëtar italian, Riccardo Cis, nga zonat e Trentinos. Duket që është i njohur edhe për publikun shqiptar të zonës, sepse pritet me ngrohtësi të veçantë. Ai është një tenor me aftësi të spikatura vocale, me një repertor nga majat e muzikës italiane. Këndon këngën “Il mondo” dhe pastaj futet në sinkron me publikun në këngën “Caruso” të Lucio Dalles.

Spektatorët shqiptarë, ashtu si me këngën “Moj e bukura more”, edhe në këtë rast këndojnë sëbashku me këngëtarin, duke shprehur vlerësim edhe për vlerat kulturore e artistike italiane. Këndojnë edhe Hidajet Seferi e Serena Abdullai dhe rikthehet sërish në skenë Ylli Bako, hedhur supeve flamurin shqiptar. Duket sikur publiku nuk do të ndahet me artistin e vet dhe e thërret sërish e sërish në skenë. Por ora i afrohet mesnatës e sipas rregullave të rendit koncerti duhet mbyllur. Erio Korani, në mbyllje u thotë që takimi tjetër interkulturor do të jetë në sheshin “Skënderbej” në Tiranë. Njerëzit rrijnë sërish në shesh, bëjnë foto me ambasadorin e me njëri-tjetrin në kujtim të kësaj mbrëmjeje të hijeshuar nga magjia e artit shqiptar.

Ky takim interkulturor është vetëm fillimi i një bashkëpunimi, ku artistët tanë shpalosën vlerat dhe magjinë e artit shqiptar. Natyrisht, Italia ka shumë e shumë vlera për të shpalosur. Nuk pretendoj se them ndonjë gjë të re po të pohoj që Italia është pa dyshim një ndër vendet më të bukura në botë, në mos më i bukuri, me gjithë problemet që ka. Kam patur fatin e mirë ta shetis nga veriu në jug e të njoh edhe qoshe gati të parëndësishme në dukje, po ku ka thesare të vërteta që të befasojnë. E që emigrantët kërkojnë t i njohin e duhet t i njohin pikërisht në kuadrin e këtij shkëmbimi vlerash kulturore, por edhe turistike. Nuk dua të shtrihem më tej nga rajoni ku u mblodhëm për koncertin. Vetë kjo trevë ka kaq shumë gjëra për të ofruar.

Tek shetisja një ditë në qytetin e bukur malor të Trentos, pashë që diku afër monumentit të Dante Alighierit, qëndronte monumenti i inxhinierit trentinas Luigi Negrelli. Në momentin e parë të vjen pyetja që çfarë do monumenti i një inxhinieri pranë Dantes së madh…Por kur mëson që Luigi Negrelli ka vënë bazat e rrjetit rrugor e hekurudhor të Zvicrës, që ka qenë inspektor i përgjithshëm i hekurudhave në perandorinë austro-hungareze, që ka projektuar në vitin 1848 kanalin e Suezit që i shkurtoi aq shumë lidhjet detare midis oksidentit dhe orientit, kupton që poeti i “Komedisë hyjnore” e pranon me kënaqësi pranë poetin e udhëve që ndërlidhin botën…Po në Trento krenohen edhe me një figurë tjetër me famë botërore, me kampionin e famshëm të çiklizmit, Francesco Moser.

Duke zbritur përgjatë brigjeve të lumit Adige, që është i dyti në Itali pas lumit Po, mëson që shpesh herë ai ka shumë prurje që mund të rrezikonin përmbytjen e qytetit të Romeos e Xhuljetës, Veronës. Por inxhinierët e veprave hidrike i kanë dalë përpara këtij rreziku që në vitin 1900, duke ndërtuar një tunel që lidh lumin me liqenin e Gardës e kur prurjet janë të shumta, një pjesë e këtyre ujrave devijohen përmes tunelit në liqen, duke shmangur çdo rrezik. Mbasde do ishte mirë që zgjidhje të tilla t i njihnin qeveritarët dhe inxhinierët e veprave hidrike në Shqipëri, për të mënjanuar përmbytjen e Shkodrës e të Lezhës që po ndodh gati çdo dimër.

Jo larg nga Riva del Garda, diku përtej maleve në anën tjetër të autostradës ndodhet një kishë, që është një perlë e rrallë arkitekture, santuario della Madonna della Corona. Ajo është e tëra e gdhendur brenda në një shkëmb të thepisur që bie pingul mbi një autostradë tjetër, me sallën e meshave e me altarin. Vetëm këmbanarja është jashtë si një monument i ngulur në shkëmb. Ajo kishë është një simbiozë perfekte e shkëmbit të egër me gjeninë krijuese të arkitektit, që tërheq turistë në çdo ditë të vitit. Jo larg qytetit Riva del Garda, buzë liqenit në Gardone, është një kompleks arkitekturor i veçantë me emrin Victoriale. Atë e bën të veçantë jo aq ana strukturore, se bukuri të tilla Italia ka gjithandej, por fakti që atë e ka ideuar poeti i madh italian Danunzio, që kishte edhe një banesë të tijën aty.

Nga ana tjetër e liqenit të Gardës, ndodhet Parco della Sicurtà, të cilin guidat turistike e rreshtojnë ndër pesë parqet më të bukur në botë. Aty bukuritë natyrore mbrohen me aq fanatizëm, sa lejohet të hysh vetëm me makina elektrike që t i japin me qera në hyrje të parkut, për të mos ndotur ambientin.

Kam shkruar edhe herë të tjera për këmbanën e Paqes që ndodhet në Rovereto. Është këmbana më e madhe në botë, e ndërtuar me bronzin që u përftua nga shkrirja e topave të Luftës së parë botërore. Poeti Tonin Nikolli po më tregonte se edhe në Shqipëri është një këmbanë, që lindi me idenë e priftit italian, don Antonio. Në vitin e mbrapshtë të luftës së pakuptimtë në Shqipëri, don Antonio i nxiste fëmijët të mblidhnin gëzhojat e plumbave të armëve. Për 4 gëzhoja u jepte një fletore, si për t u thënë që vetëm dituria e kultura janë në gjendje të mënjanojnë luftërat e marra. Me shkrirjen e atyre gëzhojave ai prodhoi këmbanën. Ato këmbana, me shkrirjen e gëzhojave, shurdhëruan zhurmat e luftës për t u rënë përjetësisht tingujve të paqes. Do ishte interesante që midis dy qyteteve që i kanë këto këmbana të bëhej një binjakëzim, që sa më shumë vizitorë nga të dy shtetet tona t i vizitojne ato. Binjakëzimi i qyteteve të ndryshme italiane me ato shqiptare është një objektiv i punës së Federatës, për të shtuar sa më shumë shkëmbimet turistike e kulturore, por edhe për tërheqjen e investimeve në vendin tonë.

Gjatë qëndrimit në Trentino, bashkë me zëvendës Presidentin e Federatës, Hamit Çorrogjafi e nënkryetarin e shoqatës “Shqiponja”, patëm një takim të përzemërt pune edhe me këshillin drejtues, aktivistë e kryetarin e shoqatës “Aquila” në Arco, Shkëlqim Danaj, me të cilët u fol për gjallërimin e zgjerimin e aktiviteteve dhe bashkëpunimin në gjirin e Federatës.

Tek ktheheshim drejt Bolonjës patëm kënaqësinë të takoheshim edhe me drejtues e aktivistë të degës së shoqatës “Rinia” në Tremosine, me të cilët edhe u ndalëm për drekë në restorantin “Paradiso”. Një pikë turistike në faqen e malit mbi liqen, me një bukuri që bën të të ndalet fryma. Taraca në formë ballkoni ngrihet në një lartësi impresionuese. Makinat që kalojnë poshtë në rrugën buzë liqenit duken si milingona. E nga ballkoni, tek rruga automobilistike është vetëm boshllëku ajror. Bukuria që shfaqet para syve është mahnitëse. Më kujtonte disi ballkonin e Ravellos në bregdetin e Amalfit nga ku shpaloset bukuria e pashoqe e bregut jugor të Tirrenit. Mësojmë se në restorant i gjithë personali përbëhet nga emigrantë shqiptarë. Para shumë vitesh, kur vështirësia për t u rregulluar me leje qëndrimi në Itali ishte e madhe, punonjësi i komunës, Gigi Morandi i ngjiste në këtë pikë emigrantët shqiptarë dhe i ndihmonte në sigurimin e leje qëndrimeve. Tek bëjmë shaka me Gigin, i them: – Në këtë mënyrë, shqiptarët e ikur nga ferri, ju i keni çuar direkt e në parajsë (duke bërë analogji me emrin e lokalit).

Ishte një fundjavë intensive, ku fjala magji të vinte vetvetiu në mendje shumë herë.