Imami humbet qetësinë: Deputetët mos t’u tregojnë as kryetarëve të partive dhe as grave atë që do shohin tek ministria

0
32

TemA, 18 Korrik 2012

Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, u shfaq i tensionuar kur doli sot nga raportimi në Komisionin e Sigurisë. Edhe aty brenda ishte gjatë gjithë kohës i skuqur dhe në tension. Përpara mediave humbi qetësinë dhe foli me mllef. Ai tha se në lidhje me përgjimin, të ngrihet një nënkomision me deputetë, të cilët pasi të bëjnë kontrollin, nuk duhet t’i thonë asgjë as gruas dhe as kryetarit të partisë për atë që kanë parë aty brenda në ministri, por vetëm të deklarojnë nëse ka pasur përgjime apo jo.

“Lidhur me përgjimin, ju them se nuk ka gjëra të tilla, por për çdo element që është i lidhur me konfidencialitetin dhe sekretin, sikurse e thashë edhe në Parlament, jua përmenda edhe sot zotërinjve të nderuar të këtij Komisioni, do të duhet të ngrihet një nënkomision me tre apo katër njerëz të besueshëm të grupeve parlamentare, që të betohen për sekretin së pari, dhe, kur të dalin nga ai komision të dalin me një deklaratë të përbashkët dhe të mos informojnë as kryetarët e partive se çfarë kanë parë, as gratë e tyre, por të thonë ka apo nuk ka përgjime.

Unë jam i interesuar në këtë moment më tepër se kushdo tjetër për këtë lloj kontrolli. Të ngrihet ky komision i mbështetur në ligj, drafti është gati, dhe të hyhet menjëherë dhe të vërtetohet që ne nuk punojmë në këtë drejtim. Ne punojmë kundër terrorizmit, ne punojmë së bashku me shërbimet e tjera dhe me ushtri të tjera të NATO. Duhet mbajtur në mendje që shërbimi i inteligjencës ushtarake, është një nga shërbimet partnere të vendeve të NATO,” tha Imami.