Faruk Begolli, requiem në gjashtë pamje

0
45

Jeton Neziraj, 30.08.2010

Në tre vjetorin e vdekjes së Faruk Begollit, njeri dhe artist, personaliteti i të cilit kapërceu mbi urrejtjen dhe patologjinë nacional-shoviniste primitive.

Pamja e parë – Escargot

Pak kohë mbas vdekjes së Faruk Begollit u mbyll edhe kafe-restoranti “Escargot”, në qendër të Prishtinës, në të cilin, gjatë dy viteve të fundit të jetës ai kaloi pjesën më të madhe të kohës. Ka pasur tavolinën e preferuar, aty afër dritares dhe, kur ajo tavolinë ishte e zënë, e kishte vështirë të ulej në tavolinë tjetër.

Në krejt këtë ritual, nuk kishte thuaj asgjë të pazakonshme: thjesht, rrinte, pinte kafe, lexonte gazeta dhe mandej, si zakonisht, pinte edhe raki. Pinte me ish-studentë dhe me shokët e pakët, e ndonjëherë pinte edhe vetëm.

Ajo kafe-restorant më nuk ekziston, është kthyer në diçka tjetër, në një butik nga ata që Prishtina i ka me bollëk. Në vendin e tavolinës ku rrinte Begolli tash është vënë një kukull plastike, si të gjitha kukullat “modeliste”, me fytyrë të buzëqeshur.

Nuk e di pse ende vazhdoj të gjej njëfarë pikëtakimi simbolik midis kohës kur aty, në një atmosferë plot jetë e gjallëri, me rrufitje kafesh, muhabete të gjata e shaka, dhe kohës mbas vdekjes së Begollit, kur në vendin e tij qëndron kukulla e pajetë me buzëqeshjen e saj plastike.

Kushedi, mund të jetë ky vetëm një fluturim i zakonshëm imagjinativ apo një përpjekje e sforcuar poetike për të gjetur lidhjen simbolike midis dy gjërave krejtësisht të ndryshme!

Pavarësisht nga kjo, një gjë tashmë dihet: Prishtina nuk është më ajo që ka qenë me Begollin. Ka një ndryshim thelbësor në shpirtin dhe në zemrën e saj si kryeqytet. Një ndryshim si ai në kafenenë të shndërruar në butik.

E ne, më duket me pak vonesë, po e kuptojmë se e kemi humbur një njeri të mrekullueshëm, një artist të jashtëzakonshëm dhe një profesor të pashoq. Në vend të imazhit të tij, në kafe-restorantin të shndërruar në butik, si “ngushëllim” ironik na është servirur një kukull plastike. Mos, o Zot, një kukull plastike në vendin e Maestro Begollit.

Pamja e dytë – Librat dhe fletoret e Begollit

Begolli ishte i sëmurë rëndë. Unë, ndërkaq, punoja për përgatitjen e monografisë së tij. Një nga prej momenteve më prekëse të atyre ditëve, ishte ai kur e luti të motrën të na i sillte koferat dhe çantat ku kishte librat, fletoret, ato pak copëza gazetash dhe tek-tuk ndonjë foto.

Librat ishin pak, kryesisht drama shqipe dhe libra që autorët ia kishin dhënë me dedikim Begollit. Kishte edhe disa titujt librash teorikë të cilët i shfrytëzonte në punën e tij me studentët. Ndërkaq, fletoret përmbanin kryesisht planprograme dhe njësi mësimore dhe shënime të tjera për punën e Teatrit “Dodona”. Ato pak fletë gazetash përmbanin shkrime për shfaqjet e tij. Na tha se mund t’i merrnim ato që na hynin në punë.

Nisëm të shkapurisim dhe t’i ndajmë mënjanë materialet që na duheshin. E motra e Begollit, Aslihaja, e cila që prej shumë vitesh, e sidomos në ditët e dergjës së tij, përkujdesej për të vëllain, na shikonte me pikëllim. Ashiqare, i copëtohej zemra që po i merrnim gjërat personale të Farukut.

Edhe pse ai ishte ende gjallë, ne po shkapurisnim si mbi gjësendet e mbetura të një të vdekuri. Kot përpiqeshim ta tejkalonim me “shaka” atë atmosferë të rënduar. Gjithçka në ato çaste ziente nga pikëllimi. Vetëm lotët ishin mangut.

Ndërkohë, Begolli na tha që t’i merrnim me vete edhe shumicën e librave, sepse, siç u shpreh, nuk i duheshin më për asgjë. Ne, megjithatë, e pyesnim: “Ta marrim, apo ta lëmë këtë libër?”

E përgjigjja e tij, si zakonisht, ishte: “Merreni, more, e mos bani hajgare”. Për të ky ishte momenti i duhur i “djegies së librave pa vlerë”. Morëm shumicën e librave dhe lamë fare pak. Mbetën vetëm disa nga ato, për të cilat ai mendonte se mund t’i duheshin më tutje në punën e tij me studentët.

Pamja e tretë – Të pathënat

Kanë mbetur pa u thënë për Faruk Begollin shumë gjëra të rëndësishme. Shumë nga këto gjëra, sidomos nga jeta e tij private, ai do t’i ketë marrë me vete në botën e përtejme.

Në përgjithësi, ai nuk ka folur për jetën e tij private dhe nuk ka dashur të flasë shumë as për kohën e jetës së tij në Beograd. Madje, sa për kuriozitet, kaptinën e monografisë, në të cilën flas për martesën dhe jetën më ish gruan e tij, Zoja Begollin, e kam shkruar duke u mbështetur në rrëfimet e të tjerëve dhe në ato pak informacione që kam mbledhur nga gazetat e hershme.

Thuaja tërë kohën këtë kaptinë e kisha mbajtur “mësheft” nga ai. Por e dija që do të vinte dita kur patjetër duhej të ballafaqohesha dhe të merrja konfirmimin (ose jo) nga ai.

Pak para se të botohej monografia e tij, e thirra në telefon dhe i tregova se në të kisha shkruar edhe për ish bashkëshorten e tij, Zojën. E pyeta nëse mund ta botoja librin për të bashkë me këtë pjesë. Përgjigjja e tij ishte: “Në rregull, mund ta botosh, por le të jetë bukur”.

Me këtë më bëri të kuptoj atë që tashmë e kishte thënë shumë herë të tjera nëpër intervista: ai për ish gruan e tij ndjente shumë respekt dhe në asnjë mënyrë nuk do të lejonte portretizimin e saj “shtrembër”. Gjithashtu, në po këtë bisedë telefonike, ai ma bëri me dije se, pos Zojës me të cilin kishte qenë i martuar zyrtarisht, nuk dëshironte të kishte në libër asnjë emër tjetër gruaje me të cilën ai kishte patur lidhje.

Krejt natyrshëm, kërkesa e tij u respektua. Ndërkaq, do thënë se, midis atyre shumë e shumë gjërave e tregimeve të pathëna në këtë libër, ka mbetur edhe një rrëfim i rëndësishëm i jetës së tij. Është një histori e gjatë dashurie, të cilën, mbase, do të kemi rast ta shpalosim në ndonjë rast tjetër.

Pamja e katërt – Kur vdesin artistët, armët e urrejtjes heshtin

Për vdekjen e Faruk Begollit kanë raportuar pothuaj të gjitha mediat në hapësirën e krejt ish Jugosllavisë e, gjithashtu, edhe disa media të rëndësishme ndërkombëtare. Rrallë mund të gjindet ndonjë personalitet tjetër si Begolli, për të cilin, pas luftërave të përgjakshme midis kombeve në ish Jugosllavi, mediat, serbe, kroate, sllovene, shqiptare, boshnjake, malazeze e maqedone, kishin shkruar dhe gjykuar njëzëri: “vdekja e tij ishte një humbje e madhe”.

Reagimet e shtypit dhe të ish bashkëpunëtorëve të tij në Beograd ishin tejet prekëse. Dhe, pas atij hendeku urrejtjeje që ka shkaktuar lufta midis njerëzve të kombeve të ndryshme, nuk ke se si të mos habitesh kur dëgjon dhe sheh se sa njerëzishëm dhe sa sinqerisht flitet dhe shkruhet për një njeri dhe artist të madh si Faruk Begolli.

Njerëzit dhe artistët si ai, me përmasat e tyre të jashtëzakonshme, kapërcejnë mbi urrejtjen dhe patologjinë nacional-shoviniste primitive. Ata, jo veç me jetën, por edhe me vdekjen e tyre, përçojnë midis njerëzve mesazhe paqeje, mirëkuptimi, dhembjeje të përbashkët, dashurie e miqësie. Kur vdesin njerëzit si Faruk Begolli, gjuha e urrejtjes dhe armët, të paktën për një çast, heshtin.

Pamja e pestë – Mirënjohjet në kohën e lëngatës

Gjatë kohës sa ishte i sëmurë, Faruk Begolli mori disa shpërblime dhe mirënjohje. Kushedi, çmime mund t’i jepen edhe pas vdekjes, nëse jo tash në këtë tre vjetor të vdekjes së tij, patjetër në një përvjetor tjetër… Presidenti i Kosovës apo Ministria e Kulturës mund t’ia akordojnë titullin “Artist i Merituar” post mortum apo t’i japin shpërblimin për “Vepër jetësore”.

“Edhe këta të ujësjellësit “Batllava” një ditë do të ma japin ndonjë shpërblim për pagesën e rregullt të ujit”, u shpreh me ironi Begolli kur e njoftuan se dikush e kishte nderuar me mirënjohje në kohën kur sëmundja e kishte ngujuar për shtrati.

“E, kur të vdisni, të gjithë, televizionet, radiot, teatrot, institucionet kulturore dhe ato shtetërore, ju lavdërojnë, por jo më gjatë se një apo dy ditë. Kjo ngjan kur dikush vdes, ndërsa në të gjallë, nuk e di se pse, por nuk ju duan fare, madje as nuk ju inkurajojnë për të qëndruar dhe për të vazhduar më tutje me punën tuaj”, kishte deklaruar Faruk Begolli, i harruar krejtësisht nga institucionet shtetërore, në një intervistë radiofonike në 60-vjetorin e lindjes së tij.

Harresë e (pa)qëllimshme? Kushedi, sepse politikanët tanë kanë punë shumë të rëndësishme. Prerja e një shiriti në një rrugë prej dy kilometrash të shtruar me zhavorr për ta mund të ishte më me vlerë se sa urimi apo pritja e një artisti në ditëlindjen e tij.

E Faruk Begolli ishte më shumë se veç një artist. Ai ishte ylli i filmit i adhuruar nga miliona e miliona njerëz jo veç në Kosovë, por në krejt ish Jugosllavinë. Në vitet e arta të karrierës së tij, e kishte braktisur Beogradin, vendin ku ishte krijuar nami dhe kulti i tij dhe, duke mos e kthyer më kokën prapa, ishte kthyer përfundimisht në Prishtinë.

Aty, midis njerëzve të gjuhës e të gjakut të tij, me thjeshtësinë dhe pragmatizmin e një artisti dhe njeriu të madh, ai kishte punuar për edukimin artistik të njerëzve të rinj. Nga një vend me gjenerata aktorësh në plakje e sipër, ai e kishte mbushur Kosovën me ushtrinë e aktorëve të rinj.

Dhe, ndërkohë që politikanët tanë, presidentë, kryeministra e ministra, do të shkojnë e do të vijnë, ky gjak i ri aktorësh do të jetë titulli, çmimi, mirënjohja dhe shpërblimi më i madh për Faruk Begollin, sidomos tash pas vdekjes.

Pamja e gjashtë – Shumë zhurmë mbas një varrimi të heshtur

Varrimi, me kërkesën e tij sa ishte gjallë, u bë në heshtje nga jo më shumë se 50 veta, kryesisht familjarë, kolegë dhe bashkëpunëtorë të tij të ngushtë. Mbas ceremonisë së varrimit, një grup i vogël njerëzish u kthyen në shtëpinë ku kishte jetuar Begolli dhe pinë nga një gotë raki për shpirtin e tij.

Edhe kjo ishte pjesë e amanetit të tij. Të nesërmen e vdekjes së Begollit, një nga libraritë e kryeqytetit kërkonte me urgjencë disa kopje të monografisë së tij të sapobotuar.

Mbledhja komemorative u mbajt me disa fjalime dhe pa recitale patetike. Këto ai nuk i kishte në qejf. Teatri “Dodona” hapi të “pame” (çfarë rituali i çuditshëm) dhe njerëzit vinin e u shprehnin ngushëllime atyre që ndodheshin aty: bashkëpunëtorëve të Begollit dhe punonjësve të teatrit. U organizua edhe një e ashtuquajtur “Nata e Begollit” me muzikë të gjallë dhe raki.

Televizionet tona nuk reshtnin së ritransmetuari emisionet që kishin shfaqur më herët për Begollin. Ndërkaq, Radio Televizioni i Kosovës e bëri “bozë” një xhirim të manifestimit në të cilin ishte bërë promovimi i monografisë për Faruk Begollin.

Disa muaj më vonë, një festival filmik dhe teatror studentor iu kushtua tërësisht atij. Studentët veshën fanella me foton e Begollit dhe me mbishkrimin “Shpirtin ma keni këputë”. Foto të Begollit me këtë mbishkrim mbuluan krejt Prishtinën. Po ashtu, u shfaqën sërish filmat ku ka luajtur ai, ndërkohë që televizionet transmetonin emisionet e mëparshme për të.

“Ej bre, po ju nuk të leni as me dekë”, thoshte Begolli gjatë ditëve të lëngatës së tij në shtrat. Tash kur mbi varrin e tij zhegu përcëllues i gushtit ka zhuritë lulet dhe barishtat, ai, mbase, siç thoshte kur ishte gjallë, po e vazhdon lojën e tij në teatrin e botës së përtejme. “Atje po shkoj”, thoshte ai, “për ta bërë një teatër më të mirë”. Ndërkaq ne, të gjallët e kësaj bote, vazhdojmë të jetojmë me famën dhe namin e tij.

Ky, me sa duket, është dënimi dhe mallkimi i vetëm që rëndon mbi artistët pas vdekjes së tyre: ata, krejt natyrshëm, një ditë mund të vdesin dhe të ikin nga kjo botë, por emri, nami dhe vepra e tyre vazhdojnë të mbesin në mesin e të gjallëve si një trashëgimi e përjetësisë.