DRITËHIJET E MARRËVESHJES PD-PS

0
42

Andrea Stefani

Po bëhet e qartë si drita e diellit se këmbëngulja e pozitës për të mos hapur kutitë e fletëve të votimit, me pretendimin se ato nuk përfshihen në materialin zgjedhor, nuk qëndron dhe është një përpjekje e kundërligjshme për të bllokuar transparencën “me ligj”. Për të kundërshtuar këtë alibi të qeverisë, kritikët e saj dhe opozita i ishin referuar, deri më sot, një numri nenesh të Kodit Zgjedhor që i klasifikonin qartazi fletët e votimit si pjesë e “materialit zgjedhor”. Por tashmë ka dalë në dritë edhe një tjetër dokument tepër i rëndësishëm. Është një udhëzim i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), i nxjerrë që në mars të vitit 2009, që i klasifikon qartazi fletët e votimit si pjesë të materialeve zgjedhore.

Pas kësaj, qeveria dhe mbështetësit e saj do ta kenë edhe më të vështirë t’i thonë “jo” kërkesës së opozitës për hapjen e kutive me fletët e votimit. Dhe duket se Berisha po e ndjen se momenti i zënies mat, në këtë shah politik që vazhdon prej më se një viti, po afron dhe shumë shpejt ai nuk do ketë nga t’ia mbajë. Prandaj, vetë Berisha nga Salzburgu, por edhe mbështetësit e tij në Tiranë, nxituan ta përshëndesin si lëvizje në drejtimin e duhur një projektmarrëveshje, paraqitur në emër të opozitës nga Gramoz Ruçi, për zgjidhjen e krizës politike. Po a është vërtet kjo një lëvizje e duhur për opozitën? Është një gjë që ajo duhet ta peshojë mirë. Aq më tepër kur e thotë Berisha.

* * *

Duket se ajo që i ka kënaqur “demokratët” është fakti se projektmarrëveshja e hartuar nga opozita ofron kompromisin që për hapjen ose jo të kutive të fletëve të votimit, të japë paraprakisht një opinion Komisioni i Venecias. Deri në momentin kur opozita e mbështeste kërkesën e saj në interpretimin e disa neneve të Kodit Zgjedhor, një kompromis i tillë mund të gjykohej si lëvizje e arsyeshme politike. Por në momentin kur sapo është bërë publik një udhëzim i KQZ-së që i klasifikon qartazi fletët e votimit si pjesë e “materialit zgjedhor”, lëvizja e opozitës vështirë të mos perceptohet si një lëshim që i bëhet kokëfortësisë dhe arrogancës së Kryeministrit Berisha.

E megjithatë, e rëndësishme është se si do përdoret nga opozita ky lëshim që mund të pagëzohet kompromis, vetëm për sa kohë ajo nuk do të braktisë objektivin e saj, transparencën e zgjedhjeve të qershorit 2009 me synim çmontimin e mekanizmit kriminal të vjedhjes së votës, një mekanizëm që e çon pushtetin në duart e hajdutëve. Por për momentin “demokratët” duken të fituar. Sepse Rezoluta e Parlamentit Europian (PE) kërkon qartazi që të hetohet edhe “materiali zgjedhor”, në një kohë që tashmë kanë dalë edhe prova shkresore, edhe të vetë KQZ-së, që i klasifikojnë fletët e votimit si “material zgjedhor”. “Demokratët” nuk dinë nga t’ia mbajnë, nuk dinë ç’të shpikin më për t’i bishtnuar transparencës së fletëve të votimit.

Prandaj dhe e perceptojnë si një shpëtim, sugjerimin nga opozita që për fletët e votimit të japë një opinion Komisioni i Venecias. Me shumë gjasa duan të fitojnë kohë për ta shtyrë sa më shumë momentin e transparencës, që duket se mund të rezultojë fatal për ta. Gjithsesi, nëse opozita i qëndron e palëkundur kërkesës së saj, në afatgjatë Berisha dhe të tijtë janë të humbur. Se edhe nëse puna do të shkojë deri në Komisionin e Venecias, ka shumë pak gjasa që ai të japë opinion për moshapjen e kutive me fletë votimi kur ato klasifikohen qartazi nga legjislacioni shqiptar si pjesë e “materialit zgjedhor” që rekomandohet për t’u hetuar edhe nga PE.

Çdo pozicionim tjetër do qe mjaft diskreditues për këtë institucion, veçanërisht pas atyre opinioneve mjaft të turbullta që ai dha lidhur me amendimin e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë apo lidhur me referendumin për këto amendime. Në fakt, Komisioni i Venecias do të detyrohej të ndërtonte një opinion jo vetëm mbi kërkesën e opozitës shqiptare, por edhe mbi vetë rezolutën e PE-së që kërkon hetimin e “materialit zgjedhor”. Por pavarësisht këtyre gjasave, shpresat e Berishës për shpëtim ngrihen mbi një tjetër faktor që ai ka dituar ta administrojë gjithnjë në favor të tij në momente të vështira. Ky faktor është koha.

Tashmë kur gjërat po ecin në favor të kauzës opozitare të transparencës, taktika e Berishës është ta bëjë atë të harxhojë sa më shumë kohë me debate të kota. Ai synon ta zvarrisë procesin deri në momentin kur do jenë vetë zhvillimet politike ato që do e zbehin vlerën e kauzës opozitare. Një zhvillim i tillë mund të jenë zgjedhjet e ardhshme lokale që pritet të zhvillohen për më pak se një vit. Nëse Berisha hyn në ato zgjedhje me makinën e vjedhjes së votës të pademaskuar, e çmontuar nga hetimi parlamentar, atëherë vështirë të parashikosh se cilat mund të jenë rrjedhojat dhe situata pas zgjedhjeve lokale.

Por vështirë se kauza e transparencës do t’i rezistonte dot një Berishe që mund të rezultonte përsëri fitimtar me anë të të njëjtit mekanizëm vjedhjeje. Prandaj opozita duhet të kushtëzojë pjesëmarrjen në zgjedhjet e ardhshme lokale me realizmin paraprak të transparencës së zgjedhjeve të vitit 2009. Pa një transparencë të tillë, loja mbi votat nuk ka se si të mos përsëritet, i tërë sistemi zgjedhor do të hynte edhe më keq në kolaps dhe kriza do të bëhej edhe më e rëndë, edhe më e pazgjidhshme.

* * *

Duket se opozita e ndjen prirjen e Berishës prandaj edhe ndërsa bënte publike projektmarrëveshjen e paraqitur, Gramoz Ruçi bëri të qartë se opozita nuk do të priste gjatë. Përkundrazi, pasi nënvizoi nevojën e veprimit me urgjencë, Ruçi deklaroi se opozita do t’u rikthehet protestave nëse pozita nuk do të tregonte vullnet të menjëhershëm për ngritjen dhe funksionimin e komisionit hetimor parlamentar, si akti i parë i seancës së parë të Kuvendit në shtatorin që vjen. Dhe nuk janë të pakta gjasat që të ndodhë pikërisht kështu.

Po të mbajmë parasysh se kutitë fshehin diçka shumë të rëndë për Berishën dhe pushtetin e tij (po të qe ndryshe ai do kish vrapuar të hapte kutitë që një vit më parë), ka shumë të ngjarë që ai të përpiqet të fitojë kohë duke diskutuar, për shembull, se kush ka të drejtë t’i bëjë kërkesë Komisionit të Venecias, opozita, pozita, Presidenti i Republikës apo Kryetarja e Kuvendit dhe të tjera broçkulla si këto. Veqilët e Berishës e kanë treguar se janë mjeshtra për të gjetur yçkla “ligjore” për të bllokuar transparencën dhe drejtësinë.

Ndërkaq ka edhe masha të tjera të gatshme që mund të përdoren për të turbulluar përsëri ujërat. Një nga këto është edhe KQZ. Berisha mund ta përdorë këtë institucion për të prishur gjithë skemën e marrëveshjes me opozitën dhe përsëri të lajë duart duke thënë se ai nuk mund të komandojë një institucion “të pavarur”, por që praktikisht komandohet prej tij. Dhe shenjat e një skenari të tillë kanë nisur të shfaqen që kur beniamini i Berishës, kryetari i KQZ, Arben Ristani, del dhe deklaron se do të djegë fletët e votimit sapo Presidenti i Republikës të deklarojë datën e zgjedhjeve të ardhshme.

Pasi ka mbrojtur për një vit rresht kauzën e Berishës kundër transparencës së fletëve të votimit, një kauzë që po rezulton se është në kundërshtim të hapur edhe me vetë aktet që ka nxjerrë KQZ që ai vetë kryeson, Ristani vazhdon të luajë “të pavarurin”, i gatshëm të përdorë në interes të pushtetit berishist fishekun e fundit kundër transparencës, djegien e fletëve të votimit. Prandaj edhe projektmarrëveshja e propozuar nga opozita duhet t’i marrë në konsideratë të gjithë këta skenarë që, nëse neglizhohen, mund të rezultojë fatalë për të, dhe jo vetëm për, por shpëtimtarë për Berishën dhe sistemin e vjedhjes së votës në Shqipëri.