Islami ka zëvendësuar komunizmin

0
47

Nga Alda Bardhyli18 Qershor 2015

A është islami armiku i civilizimit europian/ “Racizmi antimysliman, një kryqëzat për Perëndimin“, quhet libri i dalë në gjermanisht i shqiptares Inva Kuhn, i cili ka ngritur debate mbi mënyrën sesi Gjermania ose vende të tjera janë sjellë me Islamin…

Unë mendoj që këto janë dy fenomene të ndryshme: racizmi kundër myslimanëve dhe fanatizmi fetar si ideologji politike, që s’ka të bëjë fare me racizmin. Pyetja më interesante është, pse diskutohen këto dy tema bashkë? Sepse myslimanët gjithmonë duhet të justifikohen për fanatizmin e myslimanëve të tjerë

Në Europë dhe SHBA, armiku i vjetër “komunizmi” duket se është zëvendësuar me një armik të ri që është “islami“. Inva Kuhn shkruan kështu në librin “Racizmi antimysliman, një kryqëzatë për Perëndimin”, i cili ka vetëm pak muaj që ka dalë në Gjermani, menjëherë pas ngjarjeve në revistën satirike “Charle and Hebbdo”. Tema e racizmit e ka grishur shqiptaren që gjatë kohës së studimeve, për të hulumtuar më pas gjatë aktivizimit në politikë në Vjenë apo Berlin. Kuhn është marrë me studimin e islamofobisë jo vetëm në formën sesi ajo përjetohet në hapësirën gjermanofolëse, por dhe mënyrën sesi perceptohet në Europë apo Perëndim.

Le ta nisim bisedën me një thënie të Volterit te libri i tij “Traktat mbi tolerancën” ku thotë: “Toleranca nuk ka nxitur kurrë luftë civile, kurse mostoleranca e ka mbuluar tokën me gjak”?

Kjo thënie e Volterit për fat të keq tregon gjendjen në të cilën gjendemi ende, edhe pse sensi i tolerancës është një tjetër gjë. Mostoleranca ka lindur në vakum, por ka dhe një burim. Ka një proces çdo zhvillim, pasi dhe njerëzit nuk bëhen menjëherë mostolerantë. Ky proces lind dhe rritet në rrethanat sociale dhe politike në të cilat jetojmë. Në Gjermani ka kohë që një formë speciale e racizmit e quajtur islamofobi, vazhdon të rritë koniunkturat e saj që prej vitit 1990. Kjo formë racizmi nuk artikulohet hapur me rekurs të koncepteve racore, siç është në SHBA kundrejt njerëzve me ngjyrë. Për arsye të historisë në Gjermani, e kam fjalën për holokaustin, tematizmi zyrtar i racizmit është i ndërlikuar, sepse ai është strikt i rezervuar si një akt i grupeve fashiste ose neonaziste. Por sipas shumë studimeve, te bartësit e racizmit përkasin grupet shoqërore të të gjitha shtresave sociale dhe jo vetëm grupet ekstreme raciste dhe neonaziste. Çfarë do të thotë që ky barazim nuk funksionon, sepse ka një disens të qartë ndërmjet narrativit zyrtar dhe atij real.

Në këtë kontekst nuk flitet më për racat, por argumentohet me veçoritë kulturore, gjeografike dhe fetare. Kështu funksionon edhe islamofobia ose siç thuhet saktësisht në Gjermani “racizmi kundër myslimanëve“. Repertori i imazheve të myslimanëve është në ekuivalentin e perceptimit të vetvetes dhe mund të tregohet si një film negativ i vetë imazhit. Çdo gjë negative që kërkohet te myslimanët është diçka pozitive e vetvetes. Ky është operacioni tipik i racizmit: flitet keq për të tjerët, për ta paraqitur veten si të kundërtën e të tjerëve. Ndikimet janë të shumta. Prej kësaj mostolerance fetare që është problem shoqëror, janë miratuar ndërkohë ligje, që kanë efekt represiv te jeta e shumë personave që konsiderohen si myslimanë. Gratë që mbajnë shami në kokë nuk mund të bëjnë çdo lloj pune.

Ndër zyrtaret e shtetit nuk ka pothuajse fare myslimanë, sepse jeta publike është e planifikuar vetëm për “gjermanët”. Sektori shkollor punon me stereotipa, shumë fëmijë dhe të rinj myslimanë nuk arrijnë të mbarojnë shkollën e mesme. Edhe ky nuk është problem inteligjence, por një problem struktural, sepse pothuajse në të gjitha aspektet e jetës myslimanët nuk kuptohen si pjesë e shoqërisë gjermane, por kemi gjithmonë dualizmin: gjermanët dhe myslimanët. Edhe pse shumica e myslimanëve janë të lindur në Gjermani. Tematizimi i çështjeve që mund të lidhen me islamin ka pasur si pasojë edhe rritjen e partive ekstreme të djathta, të cilat zhvillojnë fushatat vetëm me një teme: islamofobinë dhe mostolerancën.

Pas rënies së murit të Berlinit dhe sistemeve socialiste në Europën Lindore, një nga çështjet më të diskutuara është ajo e islamofobisë… Ju keni studiuar këtë temë në librin që keni nxjerrë në treg në Gjermani. A është vërtet islami një armik i Perëndimit, apo thjesht një farsë e shpikur në emër të fesë?

Islamofobia ka një traditë të gjatë në historinë perëndimore – mund të themi, që ajo ka qenë që prej shekullit të dhjetë një pjesë integrale e historisë evropiane. Ky imazh kryesisht negativ i Islamit në Europë, fillimet e të cilit gjenden në islamofobinë e krishterë-mesjetare gjatë Rekonkusites, (ripushtimin e Spanjës nga Maurët) dhe gjatë kohës së kryqëzatave të para të kishës romake, si ideologji pushtimi, ka mbijetuar për shekuj dhe ka pasur koniunkturat e veta. Kolonializmi e ka forcuar figurën negative të Islamit, që aktualisht dominon median europiane perëndimore. E them këtë, sepse Perëndimi akoma ka një relacion pozitiv ose një heshtje totale mbi të shkuarën kolonialiste. Zhvillimi i imazheve negative mbi të tjerët, është përdorur gjatë kohës së kolonializmit për të legjitimuar politikën e pushtimit të dhunshëm, shfrytëzimin human barbar dhe skllavërinë në vendet e kolonizuara, sepse në një kohë ku fytyra ideale borgjeze pas revolucionit francez dhe shpalljes së “lirisë”, “barazisë” dhe “vëllazërisë” i nevojitej një justifikim për pushtime dhe luftë.

Perceptimi i orientit, d.m.th. i Lindjes së Mesme dhe së Largët, u deklarua si tërësisht inferior, i pazhvilluar, dhe jo modern dhe si pasojë në nevojë për “qytetërimin“ ose “civilizimin“ nga Perëndimi. Kjo është një nga gënjeshtrat më të mëdha të periudhës premoderne, sepse për të marrë një përshtypje sa jo i civilizuar ishte Orienti, duhet të merrej me historinë e tij para kryqëzatave, si p.sh. me zhvillimin e shkencave natyrore, të mjekësisë apo kulturës dhe literaturës orientale, dhe të pranosh, shkatërrimin e kësaj kulture shumë të zhvilluar nga Perëndimi dhe kalorësit e tij kristianë të vdekjes. Mbi këto aspekte të shkaqeve nuk flitet më në Perëndim, por vetëm mbi misionin e vendeve që konsiderohen si të prapambetura.

Nëse merremi me këto stereotipa negative mbi islamin gjatë Luftës së Ftohtë, atëherë vëmë re relacionin fleksibël të Perëndimit me islamin. Në këtë periudhë islami, si ideologjia politike, edhe në variacionet shumë radikale nuk i prishi punë Perëndimit. Përkundrazi, Islami u përdor si instrument politik – në stilin e ideologjisë përça-dhe-sundo – në luftën kundër komunizmit dhe nacionalizmit arab. Pasi sistemet socialiste të Europës Lindore ranë, pas shpalljes së “fundit të historisë” nuk ndodhi ajo që të paktën do ishte logjike, çarmatimit dhe demilitarizimi i shoqërisë, sepse kjo nuk do të ishte e favorshme për kapitalizmit. Nëse shohim Gjermaninë, eksportet më të favorshme janë ato të industrisë së armëve. Në Europë dhe SHBA u debatua që armiku i vjetër “komunizmi” të zëvendësohet nga “islami”. Në këtë kontekst u konsolidua figura e “re“ armike edhe në politikën ndërkombëtare. Kështu u formuan strategji legjitimimi, të cilat justifikojnë ideologjikisht zgjerimin gjeopolitik dhe luftërat e vendeve të NATO-s.

Që këto luftëra nuk kanë të bëjnë fare me islamin, por me interesa gjeopolitike, e tregon ky shembull: dy luftërat e gjirit arab, lufta në Afganistan, në Libi ose në Siri justifikohen nga vendet e NATO-s me situatën e të drejtave të grave ose të homoseksualëve. Se diktaturat aleate, si Arabia Saudite dhe Katari, ku situata e të drejtave të njeriut është më se alarmues, janë liruar kryesisht nga këto kritika, dhe kjo nuk është për t’u habitur. Kjo tregon funksionimin e interesave gjeopolitikë. Arabia Saudite është furnizuesi më i madh i Gjermanisë në fushën e shitjeve të armëve. Po kthehen tani te pyetja juaj e fillimit: perceptimi i islamit si një fe terroriste, e prapambetur është një farsë e Perëndimit. Islami nuk është as modern, as jo modern. Të njëjtën gjë mund të themi mbi fetë e tjera monoiste si katolicizmi ose judaizmi. Nëse analizojmë debatet mbi islamin, vijmë në përfundim që islami nuk është thjesht islami.

Mënyra si diskutohet nuk është e diferencuar, se sapo të bëjmë një diferencë analiste, vëmë re se islami mund të jetë një fe, një ideologji politike ose një mënyrë tradicionale jete, që nuk ka të bëjë shumë me fenë. Pastaj islami si fe është shumë diverse – ka rryma shiite, sunite, ose rryma komplet të tjera që jetohen në zonën poshtë Saharës. Ç’dua të them është që nuk mund të flasim mbi islamin si një bllok monolit. Nëse e bëjmë jemi në rrezik, të përgjithësojmë fenomene që nuk janë idente. Kjo është një nga arsyet pse partitë ekstreme të djathta në Europën Qendrore, vendet skandinave dhe në Hungari ose Greqi kanë marrë shumë nxitje në nivelin europian, sepse luajnë me stigma dhe stereotipa duke formuar një grup njerëzish, të cilët nuk kanë ngjashmëri fare, të cilët shpallen si armiqtë e “civilizimit europian”.

Një nga çështjet më të ndjeshme sot është pikërisht rritja e dominimit të ekstremizmit fetar. Çfarë ka ndodhur?

Është e vërtetë që kjo çështje është shumë e ndjeshme, por nuk është e vërtetë qe kemi një rritje të dominimit të fondamentalizmit fetar. Ky ka ekzistuar gjithmonë. Në Gjermani flitet vazhdimisht për një rritje të papritur të këtij fondamentalizmi. Unë them që në politikë nuk ka fenomene që ndodhin papritur. Nëse shkakton luftëra, atëherë pyetja pas migrimit dhe gjendjes në arrati të milionave njerëzve është e tepërt, sepse kjo është gjendja logjike e luftës. E njëjta gjë është me fondamentalizmin fetar. Nëse destabilizon vende mos u habit nëse këto bëhen sheshe lojërash për shumë grupe militante fetare. Kjo nuk ndodh papritur. Pse nuk përmendim, kur flasim mbi destabilizimin e Irakut, Sirisë ose Libisë, asnjëherë shkaktarët e kësaj lufte, po vetëm simptomat?

Siç e thashë më parë, grupe armike xhihadiste si Al-Kaeda u formuan financiarisht dhe në formë strategjike nga Perëndimi gjatë Luftës së Ftohtë. Herë janë përdorur kundër komunizmit, herë kundër nacionalizmit arab, varësisht kush ishte armiku me i rëndësishëm i kohës. Në këtë periudhë nuk u debatua fare mbi këto grupe, se ishin miqtë e Perëndimit. Pas rënies së “Murit të Hekurt” ndryshoi situata. Tani janë armiq të Perëndimit edhe armiqtë në përgjithësi denoncohen vazhdimisht… Kjo ka funksione të shumta: justifikimi i luftërave, forcimi i ligjeve kundër emigrantëve etj.

A shihni një rritje të fanatizmit, a përbën ai ende një rrezik?

Unë nuk do të flisja për një rritje, por për koniunktura të cilat shfaqen herë pas here si pasojë e politikës ndërkombëtare. Kur flas për islamofobinë, gjithmonë më bëjnë pyetje edhe për fanatizmin fetar. Unë mendoj që këto janë dy fenomene të ndryshme: racizmi kundër myslimanëve dhe fanatizmi fetar si ideologji politike, që s’ka të bëjë fare me racizmin. Pyetja më interesante është, pse diskutohen këto dy tema bashkë? Sepse myslimanët gjithmonë duhet të justifikohen për fanatizmin e myslimanëve të tjerë. Ky proces nuk ka kuptim fare. Nëse them: “të gjithë myslimanët janë fanatikë“, atëherë nga ana logjike duhet të them edhe: “të gjithë fanatikët janë myslimanë ose “të gjithë të çmendurit janë shqiptarë“. Kjo nuk është e vërtetë, sepse e kundërta “të gjithë shqiptarët janë të çmendur”, po ashtu nuk është e vërtetë.

Fanatizmi përbën gjithmonë një rrezik, pavarësisht nëse ai është islamik ose kristian ose e gjen burimin në një fe tjetër. Unë nuk merrem me këtë temë, se mendoj dhe dua të vërtetoj që myslimanët janë njerëzit më të mirë. Unë personalisht jam ateiste. Por jam e mendimit, që ky proces mostolerance duhet luftuar. Historia na ka treguar që racizmi mund të jetë edhe eliminues. Dje u diskriminuan dhe u shfarosën mbi 6 milionë hebrenj, sot mund të jenë këto viktima myslimanët.

Ju shpjegoni racizmin duke bërë një analizë të politikës ndërkombëtare. Sa ka ndikuar politika në rritjen e racizmit?

Analizat e para të racizmit gjenden në teoritë post-kolonialiste, që kuptohen si një perspektivë kritike e antiracizmit. Post-kolonialiste sepse supozohet që procesi i kolonizimit akoma nuk ka përfunduar plotësisht. Kolonializmi perceptohet si një “kompani tregtare europiane”, e cila pushtoi shumë vende dhe skllavëroi popullsinë e tyre, për arsye ekonomike. Kjo do të thotë, një analizë e saktë e racizmit ka gjithmonë një bazë materialiste. Kjo mund të përkthehet edhe me intervencionet gjeopolitike aktuale. Për këtë arsye e shpjegoj rritjen me një pjesë të politikës ndërkombëtare.

Shkaqe të tjera janë reformat e neoliberalizmit në Gjermani, që e shpjegojnë rritjen e varfërisë jo si pasojë e reformave kapitaliste, por me ideologjinë raciste: politika e justifikon papunësinë, duke i bërë të huajt përgjegjës për këtë. Kjo ndodh që prej vitesh sidomos në Greqi me Partinë e Agimit të Artë, të cilët bëjnë përgjegjës për krizën ekonomike emigrantët. Por racizmi nuk pushon tek fajvënia. Ai manifestohet në ligjet dhe mbaron në sensin eliminator, kur shuhen jetët. Raste të tilla ka në të gjithë Europën me masë.

Është e rëndësishme të hapim sytë dhe në kohët e krizave ta kanalizojmë pakënaqësinë dhe zhgënjimin jo në mënyrë raciste, por në formë rezistente që realizon mundësitë e perceptimit për të gjithë njerëzit.

Shqipëria është një vend ku harmonia fetare duket se është ende në paqe, si i shihni raportet e feve në vend?

Shqipëria është një çështje tjetër. Kemi fenomene ku gjithë Europa shikon me zili si harmonitë ndërmjet feve funksionojnë. Zili në kuptimin, se gjermanët e konsiderojnë veten si europianë tolerantë, por nuk janë në gjendje të realizojnë një atmosferë tolerante ndërmjet komuniteteve dhe bashkësive fetare në vend. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për francezët ose britanikët.

Në nivel universitar janë botuar libra në Gjermani që tregojnë historinë e shpëtimit të hebrenjve në Shqipëri, si një fenomen unik gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ndërsa Gjermania filloi me gjenocidin kundër hebrenjve, vendet e tjera europiane i mbyllën portat. Shqipëria si vendi i vetëm mundësoi shpëtimin e mijëra hebrenjve që ishin në arrati. Këto janë shënime, që nuk harrohen. Edhe unë mendoj që populli shqiptar ka zhvilluar një përgjegjësi kundrejt çdolloj feje. Pyetja më interesante, megjithatë, është se si flitet mbi jotolerancën ose diskriminimin e njerëzve, jo nëpërmjet tipareve fetare, por për arsye të prejardhjes, të sistemit patriarkal, orientimit seksual ose shtresës sociale. Këto pyetje unë nuk mund t’i shpjegoj, sepse më mungon eksperienca e jetës në Shqipëri.