TemA, 17 Korrik 2012
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, deklaroi se çështja e imunitetit bëhet shumë e mprehtë kur Arben Imami përgjon opozitën.
Rama tha se Imami ka urdhëruar blerjen e pajisjes për përgjimin e kundërshtarëve në shkelje të ligjit e Kushtetutës. Rama tha se për më tepër e ka blerë shumë shtrenjtë.
“Është personalisht ministri i Mbrojtjes, që ka urdhëruar në shkurt blerjen e një pajisje prej 1.5 milion euro për të përgjuar kundërshtarët e qeverisë. Pajisja në fakt kushton vetëm 400 mijë euro dhe blerja e saj është në kundërshtim me ligjin shqiptar për përgjimet. Edhe thjesht abuzimi me vlerën është një vepër penale.
Për faktin se përmes vënies në përdorim të paligjshëm të kësaj pajisje është përgjuar dhe vazhdon të përgjohet opozita, ky është atentat ndaj Kushtetutës. Në SHBA është rrëzuar një president për përgjimin e paligjshëm të opozitës. Por kjo është bërë dhe bëhet, madje duke futur në përgjim edhe përfaqësuesit e vendeve aleate në vendin tonë.
Ky skandal i jep një shteti përmasën që ka kohë që e ka, përmasën e një shteti policor,” tha Rama.
Kreu i PS deklaroi se kufizimi i imunitetit nuk mund të bëhet kufizim lirie.
“Debati për kufizimin e imunitetit bëhet edhe më i mprehtë në këto kushte. Ne nuk do pranojmë që kufizimi i imunitetit të bëhet kufizim lirie, sidomos për ata që u ka rënë barra të jenë në kundërshti me këtë qeveri. Unë dje i dorëzova trojkës vizionin tonë për këtë çështje. Ne jemi dakord për nevojën për kufizimin e imunitetit dhe do ta votojmë pasi të realizohet një proces publik, transparent dhe gjithëpërfshirës. Ne nuk do bëhemi pjesë e një goditje të përqendruar për hapjen e një sezoni të ri gjuetie shtrigash në prag të zgjedhjeve.
Përpara se të kërkojë heqjen e imunitetit, Berisha duhet të bëjë transparencë për përgjimin e opozitës.
Ministria e Mbrojtjes duhet të hapë dyert e mbyllura arbitrarisht. Duhet të na vërë në dispozicionin dokumentacionin e blerjes së njësisë së përgjimit. Kjo veprimtari për momentin ka vetëm një emër, veprimtari kriminale.
Ne nuk kushtëzojmë asgjë, por jemi këtu për të dëshmuar në çdo hap se në Shqipëri ka një alternativë evropiane. Prandaj quhemi Partia Socialiste e Shqipërisë. Në çdo hap e çdo ditë do jemi kundër këtij pushteti, që tani ka marrë edhe një përmasë policeske,” tha Rama.