MOÇALISHTE ZHABASH

0
46

Sokrat HABILAJ, 17 Korrik 2013

Tej intervistës së zotit Kirka botuar dje në DITA, shpesh të krijohen ca përshtypje vërtet të trishtuara për katundin ku jetojmë. Herë-herë të duket se gjithçka ngjanë me një moçalishte të madhe, ku edhe nëse mundohesh të gjesh dikë larg moçalit, gjithsesi zhabë do të jetë. Edhe nëse mundohesh të dëgjosh një zë ndryshe, pak më të ëmbël a pak më të çjerrë, sërish zukatje zhabe ka për të qenë. Ky dënim për të jetuar në moçal, natyrisht ka shpjegimet e veta. Ata që erdhën në pushtet, pas viteve nëntëdhjetë, duke dashur të mos dënohen krimet e komunizmit, tinëzisht nuk hapën asnjë dosje.

Si rrjedhojë e një kursi të tillë, sot jemi para një paradoksi ku njerëzit, ose së paku shumë prej tyre, vështirë se i dallon qartë nëse janë pak viktima a pak persekutorë, pak të pastër a pak të baltosur, pak prostituta a pak të virgjër, pak të mirë a pak maskarenj, pak fisnikë a pak hileqarë që fshehin të kaluarën e tyre. Kjo politikë djallëzore, ku të gjithë duhen të ndihen edhe fajtorë edhe të pafajshëm, edhe llafazanë pa fund edhe gojëkyçur, i ka dhënë frutat e veta. Ne sot kemi një shoqëri të frustruar, ku të gjithë “flasin” dhe të gjithë kanë frikë nga ato që thonë. Intervista e djalit të Kristo Kirkës, zbuloi disa të vërteta tronditëse të një shoqërie të gjymtuar në moralin e saj. Emrat që ai përmendi nuk janë anonimë.

Ata emra pasqyrojnë fatkeqësinë e kësaj shoqërie të pa pastruar, që vjen nga mos hapja e dosjeve, (viktimë e të cilës padrejtësisht mund të jenë konkretisht edhe ata). Ata emra pasqyrojnë pozicionin e dyzuar të shoqërisë, në shtrirjen e saj në dy kohë të ndryshme, ngërçin e saj, ose më saktësisht, tregojnë se kur një shoqëri nuk ndahet edhe publikisht edhe ligjërisht me të kaluarën, ajo është e kapur në kurth dhe sado që të mendojë se mund ta ketë lënë pas këtë të kaluar, ajo është prezentë kudo. Nuk mund të ndërmarrim absolutisht vërtetimin e atyre që thotë z.Kirka, por qëllimi i përmendjes së emrave të tyre në këtë shkrim, është “hamendësimi” dhe “lidhja” e disa akteve të tyre të djeshme (të dëgjuara) dhe disa veprimeve të tjera nga e sotmja e tyre (të para), lidhje këto që nuk mund të (mos)merren si të mirëqena.

Së pari, në atë intervistë përmenden si të lidhur me fijet e ish sigurimit të shtetit, katër emra, Amik Kasaruho, Elsa Ballauri, Artan Hoxha dhe Preç Zogaj, tre të parët me fakte nga vet autori i intervistës dhe i katërti, nisur nga ato që janë thënë në shtyp për të. Kjo është një akuzë që askush nuk duhet ta mbante mbi supe dhe për me tepër këta katër, tre prej të cilëve merren edhe me veprimtari aq të fisme, siç është poezia. Të kesh gabuar në atë kohë, në rrethana, a një moshë të caktuar, nuk është mëkati më i madh. Mëkat është të heshtësh në njëzetë e ca vite. Kjo s’duhet të ndodhte, edhe nëse këtë gjë se kërkonte askush. Njeriu nuk duhet të iki nga kjo botë me mëkate mbi vete. Askush nuk e detyroi Gunter Grass të thoshte se dikur, kur ishte fare fëmijë, kishte bashkëpunuar me nazizmin, por ai e tha.

E tha që shpirti i tij të gjente paqe dhe shoqëria të merrte një mësim të lartë morali. Deri sa nuk i kishe “ngacmuar” askush këta katër, ata kanë heshtur, ndërsa tani ka dy rrugë për ta. Ose të ngrenë zërin ulëritës deri sa të gjejnë edhe rreshtat e fundit të dosjeve të tyre dhe kështu edhe vet shoqëria do kishte një shtysë më shumë për të hapur jo vetëm dosjet e tyre, ose ata të vazhdojnë të mendojnë se jetojmë në një moçal ku të gjithë kanë diçka prej zhabe. Druaj se do të ndodhë e dyta, (më saktë është duke ndodhur) dhe nuk ka asnjë shans që ata t’i bëjnë “harakiri” të kaluarës së tyre.

Së dyti, duke pasur në sfond akuzat ndaj tyre, nëse i hedh një sy veprimtarisë së tyre të pas nëntëdhjetës, kam frikë se gjen ca përkime të çuditshme edhe me të kaluarën e tyre. Askush nuk ka pse t’i gjykojë për qëndrimet e tyre në demokraci, por kjo lidhje e “supozuar”, jep të drejtën që “të preket” privatësia e tyre dhe disa gjëra t’i shikosh tek ata me dyshimin si për dikë që “e kanë mizën nën kapele”.

Amik Kasaruho, ka marrë plagë nga diktatura dhe kjo nuk duhet të lejonte atë që në ndonjë rast të mos i shikonte plagët e tjerëve në demokraci, përkundrazi duhet ta bënte më të ndjeshëm, kur shikonte diku vrasje të pafajshmish. Para se mundohej të justifikonte krimin e shtetëror në 21 Janar, duhet t’i hidhte sytë pak më tutje dhe të shikonte lotët e një fëmije që mbeti pa baba. Ky fëmijë, duhet t’i kujtonte atij një fëmijë tjetër, pikërisht atë vet, rreth gjashtëdhjetë e ca vite më parë që derdhte lot të tillë dhe pas kësaj të paktën duhet të heshtte. Lotët e pafajshëm janë të njëjtë në të gjitha kohërat, por mos vallë shpirti i tij mbetur peng diku, nuk e lejoi të sillej ndryshe, qoftë edhe në këtë rast? Le të mos e besojmë këtë gjë.

Elsa Ballauri, ka mbajtur për tërë këto vite një pozicion komod që ka të bëjë me të drejtat e njeriut, një organizëm jashtë partiak, por kjo nuk e ka penguar atë të sillet shpesh si partiake, madje edhe në prag të 23 Qershorit, të pozicionohet në krah të së djathtës. Gjatë gjithë kohës, ajo ka qenë e kujdesshme që të tregohet e ashpër për shkeljet e njeriut, kur në qeverisje kanë qenë të majtët dhe ndryshe është sjellë kur kanë qeverisur të djathtët, kur dihet se shkelje, deri në përdhosje, ka pasur edhe nën qeverisjet e djathta. Mos vallë ky diferencim i saj, ka lidhje me diferencimet që bëheshin dikur, kur nëse besojmë z.Kirka, edhe familja e saj ka marrë pjesë?

Preç Zogaj, është mundur të bëjë një “larje të vetvetes”, po ndryshe nga të tjerët, ai ka një veçori tipike. Është politikani që nuk i kanë gjetur të ndenjurat vend kurrë. Këtu nuk është fjala tek pozicioni i tij si intelektual, ku ai jo domosdoshmërisht duhet të ketë mendime të pandryshuara, por fjala është tek pozicionimi i tij në lidhje me pushtetin, si inspirues për t’u bërë pjesë e tij. I ka provuar të gjitha pushtetet dhe pas kësaj, ligjërimet e tij intelektuale ngjajnë jo shumë të besueshme, por thjesht si ligjërime sezonale që harrohen shpejt. Mos vallë edhe ky ende nuk e ka hequr nga kurrizi peshën e dikurshme?

Artan Hoxhës i është thënë ish spiun dhe ai ëndërroi dhe të provoi karrige ministri, vazhdon t’i thuhet po ashtu dhe ai gati preku karrigen më të lartë të shtetit. Pas kësaj, a mund të themi se ndoshta ai është krejt i pastër? Apo ndoshta ai e njeh mirë moçalin ku jetojmë dhe e di se në asnjë moçal nuk mund të pretendosh të pastrohesh, sepse uji është po ai dhe zhurmat e zhabave po ato?

Është detyrë e emrave që u përmendën nga zoti Kirka, por edhe shumë të tjerëve që jo vetëm ta çlirojnë veten nga e kaluara, por edhe pjesën e pastër të kësaj shoqërie ta pastrojnë nga imazhi i kënetës dhe zukatja e zhabave.