Ardian Ndreca, 16.11.2009
Këto ditë, 86% e deputetëve të Parlamentit të Brukselit, votoi në favor të qarkullimit të lirë në zonën Schengen për qytetarët e Serbisë, Malit të Zi e Maqedonisë. Sot në Ballkan, vetëm qytetarët shqiptarë dhe boshnjakë kanë mbetë jashtë zonës së lirë evropiane.
E me mendue se shqiptarët kanë qenë ndër të parët që kanë hy me “forcë” në Europë qysh në korrik të vitit 1990 e mandej tue vijue për nji dhjetëvjeçar rresht, kanë hy e janë integrue natyrshëm dhe me sukses.
Gjatë komunizmit, pengesë aktive për me qarkullue në Europë ishte qeveria e Tiranës, e cila e kishte rrethue vendin me qej, me ushtarë e me klone tue ndalue çdo kontakt me botën e lirë. Edhe mbas ramjes së komunizmit kanë qenë gjithnji qeveritë shqiptare, pa përjashtim, që kanë pengue në mënyrë pasive lejimin e qytetarëve të vet me qarkullue në Europë. E kanë pengue tue mos punue seriozisht për me realizue reformat e kërkueme me ngulm prej Brukselit.
Në Tiranë, malli ma i lirë që asht shitë ka qenë gjithmonë demagogjia, por fakti që kena mbetë edhe kësaj here në stolin e rezervave, tregon se Europa nuk rrehet prej fjalëve të mëdhaja, prej vizitave boshe në kryeqytetet europiane, prej lobingjeve të pafrytshme e prej deklaratave qesharake. Ma se nji herë komisarët përkatës të BE-së, ambasadorat e ndryshëm, të ngarkuemit e posaçëm, kryetarët e komisioneve i kanë ba të dijtun Tiranës zyrtare se në Europë nuk hyhet me lobingje. Europa nuk asht si këshillat administruese të ndërmarrjeve mafioze ballkanike ku me nji telefonatë a me nji rekomandim mundesh me marrë nji përqindje të caktueme, ajo kërkon plotësim kushtesh dhe standardesh. Por politika jonë nuk po i plotson standardet: sistemi i drejtësisë ende s’asht reformue, korrupsioni asht endemik, klientilizmi politik asht i denjë për nji sulltanat aziatik, fjala e lirë shpërblehet me grushta, aferat e pista gerdeciane nuk ndërshkohen, dosjet nuk hapen, politika nuk njeh parime por vetëm arsyen e përfitimit të paligjshëm, vetë etiketa “lider demokrat” asht çvleftësue dhe asht kthye në diçka krejt nominale së cilës shpeshherë i përgjegjet nji realitet jodemokratik dhe jotransparent.
Sot, kemi mbetë vagoni i fundit i Europës, e me gjasë kur të na vijnë rradha me hy s’do të na ketë teprue ma asnji grimcë entuziazëm për me festue.
E çka ka me festue, nji atlet që mbrrin i fundit në finishin e garës?
Ndërkaq, tre vende fqinje fitojnë të drejtën me qarkullue lirshëm në Europë. Serbia për shembull në dy dekadat e fundit u përball me dy lufta, u rreshtue si anmike e Europës dhe u bombardue prej saj, por gjeti forcat me u çlirue prej diktatorit të vet, dijti me bashkëpunue me Hagën dhe në nji mënyre kontradiktore që i nënshtrohet kushteve të mbrendshme, u dorzue përpara evidencës së nji Kosove të pamvarun.
Kurse ne ende nuk kemi plotsue standardet e “road map”, nuk kemi zbatue reformat dhe nuk jemi gati me qarkullue pa viza në Europë.
Kush asht pengesa jonë? Sigurisht që nuk janë qytetarët shqiptarë, të cilët jetojnë e punojnë me shumicë në Europë.
Shqiptarët Europa i ka pranue mbrendë, ata që ajo nuk toleron janë politikanët tanë, të cilët janë gjylja e randë që shqiptarët tërheqin rrëshqanë, në ketë kalvar tranzicioni të pafund.
Por edhe kësaj here, koston e këtij dështimi politik, do ta paguejnë qytetarët shqiptarë, të cilët rishtas do të vehen në rresht dhe do të disiplinohen përpara sporteleve të vizave, tue paraqitë dokumente të pafundme, të cilat legalizohen pafundsisht me vula, firma, pulla – (shenjë kjo e mosbesimit ndaj autoriteteve shqiptare) – tue i detyrue me shpenzue shuma të mëdhaja lekësh. Ndërsa shkaktarët e këtij dështimi, politikanët tanë, do të vijojnë me lëviz me pasaporta shërbimi dhe diplomatike, pa e ça aspak kryet për çka ndodh përreth.
Kanë kalue 20 vjet prej ramjes së Murit të Berlinit, e tingllon ironike, por për me e festue ma mirë ketë datë, ne jemi të vetmit që jemi kthye 20 vjet mbrapa.
Para 20 vjetësh ishim ndër të vetmit që nuk mund të qarkullonim lirshëm në Europë. Asokohe nuk mund të dilnim prej Shqipnijet pse na pengonte qeveria e Ramiz Alisë dhe Nexhmije Hoxhës, sot nuk mund të qarkullojmë lirisht pse Europa nuk i beson qeverisë dhe politikanëve tanë.