Dita, 17 Korrik 2013
Qytetarët e bënë detyrën e tyre, tani është rradha jonë – thotë në këtë intervistë për DITA, Arta Dade. Znj. Dade shton se mazhorancës së re i është dhënë një mandat popullor edhe për të bërë drejtësi. “Dhe nuk do të kishte kuptim, nëse nuk do të fillohej nga ish-kryeministri i vendit Sali Berisha” – thotë një nga politikanet më me përvojë të vendit, gruaja e parë në historinë e Shqipërisë që ka mbajtur detyrën e Ministrit të Punëve të Jashtme.
Unë jam shpresëplotë se kryeministri i ri këtë e ka në fokus dhe s’kemi pse të kompleksohemi duke dëgjuar zëra që mund të interpretohet si revansh – thekson Dade dhe kujton rastet paralele në Kroaci, Rumani etj. “Duhet patjetër të veprojë drejtësia; drejtësi e mbështetur në prova, me akte dhe me dokumente, shumë prej tyre i kemi paraqitur edhe në Parlament”.
Më poshtë, intervista e plotë e znj.Dade dhënë dje për DITA.
Zonja Dade, ka një revansh joserioz por që po shkakton irritim në opinionin publik të ish-qeverisë dhe ish-mazhorancës së rrëzuar me votë plebishitare në 23 qershor. Shohim që gara për kryetar në PD, në vend të analizës së humbjes së PD, ka degjeneruar në sulme ndaj PS, dëgjojmë kërcënime për gjyqe mediave nga ata që duhej të ishin vetë në gjyqe për abuzime të panumërta, dëgjojmë deklarata të pacipa që fyejnë deri edhe konceptin e sovranit etj. Ju si mendoni, nga vjen ky revansh, nga frymëzohet, cilat janë shkaqet dhe arsyet e kësaj sjelljeje?
Është për të ardhur keq që kemi një parti të degraduar në autoritarizëm që i ka eliminuar tashmë të gjitha vlerat për të cilat ajo u krijua; është e ditur tashmë që ka një eliminim total të demokracisë së brendshme aty. Është e vërtetë ajo që thoni ju që populli i cili votoi në masë kundër Berishës, nuk ka më vullnet dhe nerva t’i dëgjojë; kjo që po ndodh gjithsesi rikonfirmon edhe një herë veprimin dhe hapin e palëkundur që morën duke dhënë votën kundër Berishës dhe asaj çka përfaqëson PD e sotme.
Gara qesharake që bëjnë dy kandidatët për kreun e Partisë Demokratike është shprehja më e mirë e falsitetit; aty me sa duket nuk ka garë për kryetar, por ka një garë kush të akuzojë më shumë Partinë Socialiste, fituese të zgjedhjeve. Në një shoqëri demokratike humbësit urojnë fituesit, mbyllin gojën dhe u kthehen analizave për veten. Vetë fakti që i lanë një kohë kaq të shkurtër kësaj të ashtuquajture gare brenda PD-së tregon se aty nuk ka garë, por një lloj shprehje të inatit për humbjen. Dhe unë besoj gjithashtu që kjo sjellje e ka vënë PD-në në pozitë akoma më mjerane se ajo e 23 qershorit.
Forca dhe vitaliteti i një partie serioze qëndron në aftësinë që ka për të analizuar veprimtarinë e vet, madje, edhe kur fiton. Le t’i referohemi mbledhjes së fundit të Asamblesë së PS: Ne kemi marrë vendimin që t’i lexojmë shifrat dhe rezultatet në mënyrë analitike dhe jemi të gjithë të angazhuar sot për të inkurajuar kryeministrin e ri për të realizuar atë program që u votua. Ndërsa atje ku ka të humbur ndodh e kundërta, bëjnë sikur nuk e kuptojnë që ka mbaruar fushata elektorale.
Si e parashikoni ju këtë opozitë të ardhshme të PD-së që ka nisur kështu?
Kjo është një parathënie e asaj që ne nuk do të kemi një opozitë reale, një opozitë të mençur, një opozitë të ristrukturuar dhe riformatuar, por do të kemi një Sali në prapaskenë dhe sigurisht që treguesit e PD-së edhe në të ardhmen do të jenë mjeranë. Është në të mirë të vendit që e djathta të gjejë forca të riorganizohet por sigurisht jo me këto dy figura të konsumuara, nga më të dobëtat, nga më irritueset që ka Partia Demokratike.
Nuk ndodh në asnjë vend kjo sjellje: që humbësi në vend të analizës, të sulmojë fituesin. Populli pret që të ketë reflektim nga ana e humbësve por për fat të keq këta vazhdojnë të kërcëllijnë dhëmbët duke menduar se mund të trajtojnë opinionin publik, mund të trajtojnë mediat, mund të trajtojnë fituesit sipas mënyrës që i kanë trajtuar këto 8 vitet e fundit. Kjo tregon arrogancë dhe një fluturim nga realiteti. Por sidoqoftë, ne kemi detyrën të bëjmë tashmë reforma të thella. Ato duhet të kryhen pa vonesa.
A duhet nisur me bërjen drejtësi?
Sigurisht që duhet nisur me reformën në drejtësi dhe me bërjen e drejtësisë.
Zonja Dade, a duhet të shkojë përpara drejtësisë Berisha? A duhet të shkojnë para drejtësisë edhe politikanët e lartë që kanë abuzuar me pushtetin? Apo kultura e mosndëshkueshmërisë për ta do të trashëgohet?
Siç thashë dhe më lart, vënia e drejtësisë sigurisht do të jetë për të gjithë ata që kanë abuzuar, por nuk do të kishte kuptim nëse nuk do të fillohej nga ish-kryeministrin e vendit Sali Berisha. Besoj që në parlament nuk kemi folur kot, kemi nxjerrë fakte dhe dokumente të shkeljeve flagrante të ligjit, të abuzivizmit me pushtetin, deri te vrasja për shkak të korrupsionit siç është rasti i Gërdecit, dhe vrasjet e 21 janarit. Sigurisht dikush për të gjitha këto duhet të përgjigjet, dhe i pari që duhet të përgjigjet është Sali Berisha.
A është kjo në fokus? Sepse pavarësisht krimeve, disa prej të cilave flagrante dhe trishtuese, gjithmonë gjendet mënyra për të folur për revanshe, hakmarrje, etj si këto…
Unë jam shpresëplotë se kryeministri i ri këtë e ka në fokus dhe s’kemi pse të kompleksohemi duke dëgjuar zëra që mund të interpretohet si revansh. Sepse po t’i referohemi shembujve që na ofrojnë vende që kanë ecur nëpër të njëjtin proces, siç është Kroacia, ku kemi rastin e arrestimit të kryeministrit të vendit nga vetë partia e tij, dhe ne nuk kemi asnjë arsye pse të mos e bëjmë këtë gjë. Kemi dhe raste të tjera, siç është raportuar edhe në media një nga ministrat e qeverisë rumune u vu para ligjit për korrupsion. Ne kemi ujkun përpara dhe s’kemi pse të kërkojmë gjurmët dhe sigurisht që duhet patjetër të veprojë drejtësia; drejtësi e mbështetur në prova, me akte dhe me dokumente.
Këto nuk mungojnë…
Disa ne i kemi paraqitur edhe në Parlament. Ne duhet të bëjmë realitet atë që u kemi premtuar njerëzve. Unë personalisht jam votuar edhe sepse kam folur përveç realizimit të programit edhe për një nga kapitujt më kryesorë që lidhet me drejtësinë dhe eliminimin e kulturës së pandëshkueshmërisë, e cila është një nga elementët kryesor që Shqipëria nuk ka marrë statusin e vendit kandidat nga ana e Komisionit Europian.
Jam angazhuar edhe gjatë fushatës si deputete, që gjëja e parë që duhet të bëj dhe më të cilën do të nis punën time në 2 shtator është kërkesa për hetim e të gjithë atyre që kanë shkelur ligjin gjatë fushatës por dhe më përpara. Vazhdojnë edhe sot. Unë kam prova për një kasaphanë natyrore, përshembull, siç është rasti i shkatërrimit dhe prerjeve të pyjeve dhe trafiku ilegal i lëndëve drusore. I kam të gjitha të dokumentuara këto krime dhe do të kërkoj një hetim tërësor për të nxjerrë përgjegjësit përpara ligjit.
Nëse duam të ecim përpara me axhendën evropiane, duhet ta nisim me çuarjen përpara përgjegjësisë ligjore të Sali Berishës si përgjegjësi kryesor i abuzimit me pushtetit, i gjithë krimeve jo vetëm ekonomike por dhe mjedisore, por edhe krimeve me humbje jetë njerëzish që kanë kryer ministrat e tij dhe ai vetë duke urdhëruar, duke rikujtuar në mënyrë të veçantë vrasjet e 21 janarit. Lidhur me kërcëllitjen e dhëmbëve nga ana e familjarëve të tij, është një gjë anormale dhe sigurisht nëse themi që do zbatohet ligji dhe pa dyshim dhe ata jo si fëmijë të kryeministrit, por si qytetarë që kanë abuzuar, duhet të shkojnë para ligjit. Ne kemi pretenduar edhe në Kuvend se kemi pasur dokumentet nëpër duar, dhe ata si çdo shtetas të tjerë që kanë detyrime ndaj shtetit duhet të venë përpara përgjegjësisë ligjore. Kjo është ajo që kërkojnë njerëzit, për këtë jemi votuar dhe na është dhënë një mandat kaq i fuqishëm.
Zonja Dade a e ndjejnë të zgjedhurit e rinj, mazhoranca e re, të njëjtin detyrim përballë shqiptarëve për të bërë drejtësi, për të vendosur shtetin ligjor edhe në Shqipëri?
Sic e thashë më lart, unë mendoj që qytetarët e bënë detyrën duke i dhënë fuqi kësaj mazhorance të re për të bërë reforma të thella. Na mbetet ne të bëjmë tani detyrën e caktuar dhe ta nisim nga vënia e shtetit ligjor, nga sundimi i ligjit, duke i dhënë fund praktikës së pandëshkueshmërisë. Duhet nisur me Sali Berishën, siç e theksova edhe më lart dhe jo vetëm me atë, por me këdo që ka abuzuar me pushtetit dhe ka shkelur ligjin në këto vite. Sigurisht që nuk është aq e lehtë të çosh përpara drejtësisë gjithë ato krime që kanë ndodhur. Krim në fakt nuk është vetëm kur vret, por edhe kur shkel ligjin edhe kur abuzon me pronën, edhe kur grabit pasuritë e popullit. I takon drejtësisë të bëjë drejtësi, por ne kemi detyrën të çojmë të gjithë provat në prokurori e cila duhet të veprojë. Duhet të marrë fund apatia e saj dhe e gjykatave që shumë çështje të tilla i kanë mbyllur për “arsye procedurale”.
Në element të fundit si deputete, nëse shoh se kjo gjë nuk bëhet dhe mungon vullneti politik, gjë të cilën unë nuk e besoj, kjo është një arsye shumë e fortë për të dorëzuar mandatin.
Mandatin?
Është normale që – pasi lufton për të bërë drejtësi dhe nuk arrihet ajo që t’i kërkon të bëhet dhe ajo që duhet bërë në funksionimin e shtetit ligjor – nuk ke pse të vazhdosh të mbash një mandat i cili të është dhënë edhe që ti të bësh drejtësi. Një deputet nëse dështon në mbajtjen e premtimeve që i ka dhënë elektoratit është më mirë ta dorëzojë mandatin. Thuhet se deputetët që duhet të bëhen ministra të dorëzojnë mandatin, ndërsa unë po shtoj që ia vlen të dorëzosh mandatin nëse shikon që nuk realizohen ato gjëra që ne kemi premtuar dhe për të cilat kemi marrë votën e popullit. Nëse më lejoni do të shtoja që unë besoj fuqishëm që kryeministri i ri, por dhe parlamenti, do ta nisin punën e tyre me vënien e drejtësisë në vend; me dhënien e mesazheve pozitive që Shqipëria bëhet, me dhënien e mesazheve që shteti ligjor duhet të funksionojë. Që të bëhet kjo, nuk janë të domosdoshme mjetet financiare, ato që kanë munguar në arkën e shtetit të degraduar nga makutëria e Berishës, por duhet vetëm vullnet politik.
Ky vullnet politik nuk mungon?
Unë mendoj se vullneti politik nuk na mungon, dhe si deputete do të bëj gjithçka që kam në fuqitë e mia që qeveria ta nisi punën me vendosjen e shtetit ligjor, dhe nuk mund të ketë shtet ligjor pa vënë para drejtësisë Sali Berishën dhe abuzuesit rreth tij.
Zonja Dade, meqë e përmendët edhe më lart, cili është mendimi juaj për ndarjen e mandatit të deputetit nga funksioni i ministrit?
Unë e kam mbështetur kryeministrin e ri në këtë vendim që ka marrë, dhe me sa duket do të kemi punë ne në parlament për të monitoruar qeverinë dhe për të kërkuar që të zbatohet programi që do të votohet në Kuvend.
Parlamenti realisht duhet vënë në eficencë të plotë që të bëj detyrën funksionale dhe kushtetuese që ka dhe s’mund të jetë një shtojcë e qeverisë, kushdoqoftë ajo. Më vjen mirë që kryeministri i ri e ka këtë vizion dhe na lind ne detyra për të pasur një vëmendje të veçantë për të monitoruar rreptësisht qeverinë dhe ministrat që do të nisin punën javën e parë të shtatorit.
/Intervistoi: Erion HABILAJ
* * *
KOMENT/ E kundërta do të na zhgënjente të gjithëve.
Në 1997, Berisha la pas ikjes rrënimin. Por i shpëtoi drejtësisë. Pas kësaj, ai bëri një opozitë me djegie komisariatesh, hedhje në erë shtyllash tensioni, grusht shteti në 14 shtator, etj, etj. Gjatë këtij 8 vjecari të dytë pushteti kanë ndodhur ngjarje të rënda si Gërdeci, 21 janari, prekja e integritetit territorial të vendit, skandale financiare të panumërta. A do bëhet drejtësi? Në vend të kësaj, shohim se si i sapodali në opozitë Berisha, ka rinisur revanshin, linjën e konfliktit, akuzat absurde për ata që ende nuk janë ulur në zyrat e pushtetit.
Tani që punët e pushtetit të ardhshëm janë të qarta, vazhdimisht pyetet se a do ta ketë kurajën e mjaftueshme qeveria e re për të vënë para drejtësisë Sali Berishën. Në fakt, kjo pyetje as nuk duhej shtruar në një shtet normal. Por ngaqë këtu në vendin tonë për njëzet e ca vjet u kultivua me ngulm dhe me qëllim kultura e mosndëshkueshmërisë, ndërsa krimet shtetërore trasheshin në përmasa të papara, shtrohet ende kjo pyetje.
A do ti jepet fund bindjes fatale se mund të bësh ç’të duash, të vrasësh njerëz e të vjedhësh, të tradhtosh e shesësh interesat kombëtare, të shpifësh e të shkelësh ligjin dhe të mos hyjë asnjë gjemb në këmbë?
Zotimi që bën Arta Dade kur thotë se është gati të dorëzojë mandatin e deputetes nëse Berisha dhe përgjegjësit e krimeve shtetërore nuk dalin para ligjit është mjaft i veçantë, i rrallë, i sinqertë. Nuk mund të flasë ndryshe një deputet i pas 23 qershorit. Në emër të dashurisë për këtë vend dhe të respektit ndaj qytetarit.
Ky zotim i një prej grave më fisnike të politikës shqiptare të këtyre viteve të mbush me optimizëm se do t’i jepet një herë e mirë fund kulturës së pandëshkueshmërisë. Që më në fund, të kemi shtet. Kjo është një shenjë e mirë. Dhe duhet mbështetur fort nga të gjithë deputetët e maxhorancës së re. Qurravitjet se po fillon revanshi i socialistëve, se do të kemi hakmarrje politike, se Berisha është i paprekshëm etj., janë ndjellakeqëse dhe të qëllimshme. Ato kërkojnë stepjen e qeverisë së re ende pa filluar nga puna. Edhe në ikje ata vazhdojnë të shantazhojnë me gjyqe, vazhdojnë të kërcënojnë dhe vazhdojnë të tromaksin popullin.
Këtu nuk kemi të bëjmë aspk me hakmarrje dhe me revansh. Kemi të bëjmë me vënien në vend të drejtësisë së mohuar. Nuk u qortuan, përkundrazi janë lëvduar kroatët kur i hodhën prangat ish-Kryeministrit Sanader. Pa përmendur këtu sa e sa raste të ngjashme në vendet e demokracisë perëndimore. Ne jemi kritikuar dhe ndëshkuar nga BE-ja pikërisht për kulturën e pandëshkueshmërisë së krimit e të korrupsionit në këtë vend. Zotimi i Arta Dades le të jetë kushtrim dhe kujtesë për ta për të mos rënë në batakun dhe kurthet që ngre për ditë Berisha. Kjo maxhorancë ka mbi një milionë qytetarë të rritur me vete. Sytë dhe shpresat e tyre janë drejtuar nga qeverisja e re. E kundërta do të na zhgënjente të gjithëve.
/Xhevdet Shehu