Nderi i Rivendosur

0
51

Nga: ALBA MALLTEZI

Në një nga gazetat më prestigjoze dhe me të mëdha të Italisë, nën firmën e dy emrave autoritarë Sergio Rizzo dhe Gian Antonio Stella në Corriere della Sera, rivendoset në vend nderi i nëpërkëmbur i shqiptarëve në Itali. Që nga kjo datë, 14 gusht 2010, kush nuk di, bën pjesë në armatën e gjerë të injorantëve që poshtë e lartë flasin e japim mendime kot mbi shqiptarët e Shqipërinë. Që nga kjo datë, kultura, dituria mbi popullin përballë brigjeve, iu afrohet në pjatë të artë edhe atyre që krijojnë përshtypje dhe japin verdikte mbi njerëzit vetëm nga copëza kronike të zezë.

Më të fundit herë që shkruajta për broçkullat që thuhen mbi kurrizin tonë nga shumë gazetarë apo shkrimtarë të vendit fqinj, ishte gjatë një konference organizuar në qershor nga një grup gazetarësh “lufte”, ku më shumë se për fjalët që thuheshin, më erdhi për të qarë për injorancën e thellë, mungesën e informacionit dhe arrogancën e përtacinë për të mësuar të vërtetën mbi shqiptarët e vjetër dhe të rinj. Shkrimi i Sergio Rizzo-s dhe Gian Antonio Stella-s, të cilin me kënaqësi publikojmë sot dhe në “Gazeta Shqiptare”, hedh dritë me fakte e të vërteta që nisin me skipëtarët arbëreshë e deri te emigrantët e viteve ’90, që kanë përveshur prej vitesh mëngët e shkëlqejnë në punët e tyre.

Artikulli rikujton qëndresën e Skëndërbeut ndaj turqve, kontributin në bashkimin e Italisë së komunitetit arbëresh, poetët Jeronim De Rada, Zef Serembe, politikanin aq të adhuruar arbëresh Antonio Gramshi, për të ardhur në pjesën më të dhimbshme e aq pak të lavdishme, atë të emigracionit masiv të 1991 e më pas atë klandestin. Por është pikërisht në këtë pjesë, në këtë përshkrim për të ardhur deri në ditët e sotme, që dy gazetarët-shkrimtarë thyejnë tabù duke u sjellë fakte të pakontestueshme lexuesve të gazetës së tyre dhe të vërteta mbi komunitetin e shqiptarëve në Itali. Një artikull-studim mbushur me shifra, fakte e personazhë, larg gazetarisë së kafeneve, hoteleve e paragjykimeve.

Citoj: “… Se mos ishte e lehtë, të ishe shqiptar. Mjafton të rilexosh kronikën e zezë të asaj kohe, e shenjuar nga ngjarje të rënda. Të rilexosh titujt e çështjes së Novi Ligure (vajza, Erika, vrau nënën dhe vëllain e vogel sh.r), ku në faqe të para, në bazë të dëshmisë së Erikës, dyshimet binin mbi “kafshët” e Tiranës dhe Durrësit. Të rilexosh disa sllogane legiste: “Një votë më shumë në Formentini, një shqiptar më pak në Milano”. Dhe nuk ishte vetëm e djathta që sulmonte: Ju kujtohet batuta e Daniele Luttazzi-t? “Mjegulla këto ditë në Milano është aq e dendur, sa shqiptarët nuk arrijnë as të çahen me thika”.

E megjithatë, 20 vite më vonë, integrimi i shqiptarëve ishte më i shpejtë dhe i heshtur se çdo parashikim. Sigurisht, nuk mungojnë ngjarje të papranueshme dhe tipa që do meritonin grusht të fortë. Sidomos në frontin e trafikimit të vajzave të reja në rrugë. Por, është e vështirë të mohosh se imazhi i shqiptareve ka ndryshuar thellësisht. Nëse arbëreshët janë sot pak më shumë se njëqindmijë,”shqiptarët e Shqipërisë” janë më shumë se gjysëm milioni.Për të qenë më të qartë: një në gjashtëshqiptarë jeton këtej. Akoma më mbresëlënës është numri i shqiptarëve që nuk u ndalën të bëjnë punë krahu apo pjatalarës, por sot janë sipërmarrës.

Me 30 qershor 2010, thotë Unicamere, ndërmarrjet individuale me sipërmarrës të lindur nga ana tjetër e Kanalit të Otrantos, janë 27.870. Pjesa më e madhe sipërmarrje ndërtimi (22.701), sektor në të cilin shqiptarët zënë një të tretën të gjithë ekstrakomunitarëve. Plus 1.248 tregëtarë e mekanikë, 1031 sipërmarrës artizanë, 582 pronarë baresh dhe restorantesh, deri 36 operatorë financiarë…”.

Këto ditë, përmes gazetës “Bota Shqiptare” në internet, zbulova historinë e Fundim Gjepalit, vetëm 28 vjeç, shef kuzhine në një restorant me emër në Romë “Arco Antico”. Po sa histori e shqiptarë të tjerë kam njohur më parë në Itali: Në Bari, në bulevardin kryesor, një nga restorantet më të njohura drejtohet nga një bashkëatdhetar, për të folur pastaj për mjekë që prej vitesh punojnë në klinikat më të mira. Orkestrat e shumë qyteteve italiane kanë qindra instrumentistë të shkëlqyer shqiptarë. Shkollat italiane po habiten sa medalje nderi e “110 e lode”, po marrin këta “albanesi di m…”.

Vëllai im, Moreli, që bën bukën më erëmirë e picat më të shijshme në San Benedetto. Këta janë shqiptarët në Itali, që punojnë e tregojnë se sa shumë na pëlqejnë rregullat. Ky shkrim në “Corriere della Sera” rikthen dinjitetin e tyre. Ata, të kronikës së zezë, bëjnë pjesë në nacionalitetin e madh të fatkeqëve, ku e keqja, nuk pyet për kombësi.

(Botuar ne Gazeta Shqiptare 15 gusht 2010/balkanWeb)