Andrea Stefani
Ishte krejtësisht naive përpjekja e Qeverisë për të mbledhur nga deklarata e Aleksandër Arvizut, ambasadorit të ardhshëm USA në Tiranë, thërrime sofizmash për një propagandë vulgare mbi “sukseset historike” të saj. Është e vërtetë se ambasadori Arvizu përmendi Shqipërinë si një rast suksesi në raport me 20 vjet tranzicion pra, aspak vetëm në raport me këtë Qeveri, por me të gjitha përpjekjet e shoqërisë shqiptare. Dhe përfshihen aty edhe përpjekja e opozitave, shoqërisë civile dhe mediave, “ndërkombëtarëve” për t’u bërë barrierë epsheve korruptive dhe autoritariste të qeverive të ndryshme.
Pa një rezistencë të tillë, Shqipëria nuk do të ishte as ai rast suksesi që përmendi edhe Arvizu para Senatit amerikan. Ndërkaq, duhet të themi se çdo deklaratë me ngarkesë diplomatike nuk mund t’i shpëtojë pasaktësive të një kortezie të pashmangshme. Sepse e parë në raport me të kaluarën, me 20 vjet më parë, me komunizmin, me diktaturën Shqipëria mund të cilësohet si një histori suksesi.
Por parë në raport me të sotmen, me Europën, me standardet e saj të lirisë, drejtësisë apo ekonomisë, Shqipëria mbetet shumë prapa për të qenë një sukses. Këtu mbaron emulacioni diplomatik dhe nis ballafaqimi me realitetin ballafaqim, të cilit, nuk i bishtnoi as edhe një diplomat si Arvizu. Në deklaratën e tij ka një frazë që përmbledh sintetikisht thelbin e krizës që ka bllokuar Shqipërinë: “Si një aleate e NATO-s, Shqipëria duhet t’u bashkëngjitet vendosmërisht parimeve më të larta të kësaj Aleance.
Ndërsa struktura demokratike janë shumë evidente respekti i plotë për sundimin e ligjit dhe institucionet e pavarura është realtivisht i dobët. Korrupsioni është qëndrueshmërisht i lartë”. Është një frazë apel që i drejtohet gjithë klasës politike, por veçanërisht, qeverisë së Sali Berishës që u rikthye në pushtet me premtimin solemn për të luftuar korrupsionin dhe respekt për pushtetet e tjera. Por fraza nuk denoncon vetëm dështimin e “antikorrupsionit” berishist. Ajo ngre alarmin se demokracia nga njëra anë dhe drejtësia në anën tjetër, nuk po ecin paralel në Shqipëri.
Është një zhbalancim alarmues që nëse nuk ndreqet, mund të çojë në rrënimin edhe të atyre pak arritjeve demokratike të arritura në këta 20 vjet. Sepse sikundër kanë treguar shumë studiues dhe gazetarë të njohur botërisht (Giovani Sartori, Fareed Zakaria) kur demokracia dhe liria nuk ecin paralel, kur demokracia, vota dhe zgjedhjet nuk bazohen te ligji dhe drejtësia, atëherë lindin forca, pushtete, parti dhe lidershipe që çojnë në shkatërrimin e demokracisë, në shndërrimin e saj në kaos e konflikt e më pas, rënien e pashmangshme nën sundime të çfarëdollojshme.
* * *
Është e vërtetë se Shqipëria ka zhvilluar një numër zgjedhjesh pluraliste në këta 20 vjet, por është po ashtu e vërtetë se shumica e tyre kanë qenë të kontestuara. Nga mjet për të zgjidhur paqësisht se kush do na qeverisë për 4 vjet, zgjedhjet janë bërë burim krizash politike. Përse? Gjithçka shpjegohet me atë gjymtim që pëson demokracia kur mungon drejtësia. Edhe në Shqipëri, nuk ka ende një drejtësi të pavarur me reputacion publik të tillë që t’i bëjë të heshtin politikanët dhe liderët kur ajo jep një vendim. Loja apo ndeshja politike zhvillohet pa praninë e një arbitri. Përsëri përse? Sepse politikanë të tipit Berisha, që nuk i kanë udhëhequr por humneruar shqiptarët në këta 20 vjet, nuk e kanë lejuar krijimin e një drejtësie të tillë. Ata kanë luftuar, luftojnë dhe do luftojnë vendosmërisht për kapjen e drejtësisë.
Sepse një drejtësi e lirë është fundi i tyre kurse një drejtësi e kapur është mburojë e korrupsionit të tyre financiar, ekonomik apo edhe elektoral. Kapja e drejtësisë nga politika dhe korrupsioni, korruptimi politiko-financiar i pushtetit të drejtësisë është arsyeja kryesore që edhe sot e kësaj dite në Shqipëri nuk ekziston respekti i plotë për drejtësinë dhe institucionet e pavarura, një plagë që me plot të drejtë e përmendi edhe ambasadori Arvizu. Ngulmimi për të kapur drejtësinë është edhe shkaku që qeveria iu ankua Departamentit të Shtetit për ambasadorin Withers lidhur me denoncimin që ai i ka bërë tendencave të qeverisë për kapjen e gjyqësorit.
Sepse edhe në këtë moment Berisha po lufton me thonj e me dhëmbë, që të ketë shumicat në Këshillin e Lartë të Drejtësisë (ose siç ka qejf ta quajë ai vetë, në qeverinë e gjyqësorit) në të gjitha nivelet e gjykatave, që të ketë shërbëtorët e vet në prokurori. Vetëm kështu ai do të mund të flejë i qetë me kokën në jastëkun e korrupsionit dhe të lajë duart e pista të korrupsionit qeveritar në “vaskat e florinjta” për të cilat akuzonte dikur pushtetarët socialistë. Pasurimi i sotëm i familjes Berisha dhe i pushtetarëve demokratë e jo demokratë që popullojnë oborrin e Kryeministrit, shfaqet edhe më galopant sesa ai i qeveritarëve të dikurshëm socialistë.
Një e vërtetë kriminale që nuk mund të fshihet dot me deklarata mashtruese pasurish. As me apologjira banale si ato të Dritan Priftit që fiton 1,5 milionë euro vetëm sepse i paska bërë një miku një plan të mrekullueshëm biznesi që mundësoi marrjen e një kredie. Të tilla truke dhe apologjira që po përdor klasa e sotme në pushtet për të maskuar pasurimin sa të shpejtë aq edhe të dyshimtë, do të shkaktonin ilaritet e zemërim në çdo opinion të formuar publik, si dhe reagim të shpejtë të organeve të zbatimit të pavarur të ligjit. Por mesa duket ato mungojnë të dyja në Shqipëri.
* * *
Veç një gjendje e tillë është e papranueshme për interesat e publikut shqiptar dhe po ashtu, edhe me standardet e NATO-s ku Shqipëria aderon. Prandaj edhe ambasadori Withers reagoi kur shumica Berishiste në Parlament përdori “demokracinë” për të hedhur poshtë disa kandidatura për Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë. Sepse demokracia dhe shumicat nuk duhen përdorur kundër pavarësisë së drejtësisë dhe së fundi edhe lirisë në përgjithësi. Shumicat janë të lira të qeverisin, por jo që të përdoren për të kapur institucionet e pavarura që mbrojnë liritë dhe të drejtat e qytetarëve edhe kundër kapriçiove të çdo qeverie dhe pushteti.
Mos duan të na mbushin mendjen se meqë është votuar nga qytetarët një qeveri mbetet e pozicionuar vendosmërisht në mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të tyre? Të pranosh një gjë të tillë do të thotë të mos kesh mësuar asgjë nga rasti i hitlerëve apo musolinëve. Të gjithë kanë ardhur në pushtet me votë. Demokracia është premisë e lirisë, por jo garanci e saj. Prandaj nuk duhet ekzagjeruar shumë me të drejtat që burojnë nga vota e shumicës. Prandaj edhe përgjigjja që i erdhi qeverisë nga Departamenti i Shtetit për ankesat e saj ndaj Withers vinin theksin pikërisht te nevoja e konsolidimit të një pushteti të pavarur drejtësie në Shqipëri.
Një standard që Berisha nuk e do, por që për fatin e tij të keq, e kërkon anëtarësimi në NATO i Shqipërisë dhe demokracia e liria e saj. Sepse standardet e NATO-s nuk janë thjesht ushtarake, por thelbësisht demokratiko-liberale. NATO është aleanca e shteteve demokratike ku ekziston respekti i plotë për ligjin dhe institucionet e pavarura. Në Shqipëri ato nuk ekzistojnë. Në vendet anëtare të NATO-s të drejtat e njeriut janë të mbrojtura me ligj e drejtësi. Është e mbrojtur e drejta e punës kurse në Shqipëri njerëzit vazhdojnë të flaken në masë nga punërat publike për shkaqe politike. Në Shqipëri administrata publike spastrohet nga partia që vjen në pushtet dhe mbushet me militantë me një vullnet të hekurt fashist.
Është një vullnet që ka dalë deri më sot më i fortë se ligji dhe drejtësia që e ndalojnë një gjë të tillë. Por ligji dhe drejtësia nuk kanë mundur ta mbrojnë njeriun, qytetarin nga egërsia apo lakmia e pushteteve. Në shtetet e NATO-s prona private është e shenjtë. Në Shqipëri, prona e qytetarit vazhdon të përdhoset e dhunohet në të gjitha format nga banditë lokalë të politikës, nga “të fortë” që sundojnë mbi bashkitë. Për të mos folur sorollatjen neo-komuniste 20-vjeçare që u është bërë pronarëve të shpronësuar nga komunizmi. Dhe si për ta bërë më të plotë vendosmërinë për të mos zbatuar drejtësi lidhur me pronat, kjo qeveria sapo i ka dërguar një shkresë Gjykatës së Strasburgut, duke i kërkuar të mos japë drejtësi për pronarët që kanë kërkuar kompensim për pronat. Pse?
Sepse qeveria nuk ka as para dhe as toka për kompensim? Që s’ka para tashmë dihet se pse po pyetja shtrohet se ku shkuan tokat e pronarëve? Ato i kanë marrë miqtë e shokët e qeverisë me privatizime korruptive. Dhe këtë dhunë korruptive duhet ta vuajnë përsëri pronarët e dhunuar nga komunizmi dhe të përdhunuar nga “demokracia”. Të gjitha këto dhe shumë të tjera (standardi ekonomik, infrastruktura e qyteteve, ajo rrugore, e fshatrave, mjedisi) nuk janë aspak sipas standardeve të NATO-s ku Shqipëria aderon. Berisha dhe K° janë përpjekur gjithë këto kohë që ta përdorin anëtarësimin në NATO për të maskuar mungesën e sundimit të ligjit dhe të lirisë në Shqipëri.
Ndryshe nga ç’shpresohej, aderimi në NATO nuk u shndërrua në nxitës për arritjen e standardeve të ligjit dhe lirisë, por për të maskuar mungesën e tyre. Por duket se po vjen momenti që një hipokrizi e tillë nuk mund të zgjasë më. Duket se SHBA dhe partnerët ndërkombëtarë janë përditë e më të vendosur të kërkojnë zbatimin pa ekuivok të standardeve perëndimore në Shqipëri. Një predispozitë që pritet të përforcohet me mbërritjen e Arvizut në Tiranë. Ndaj dhe krijimi e forcimi i një pushteti drejtësie të pavarur, si arma kryesore për luftën kundër korrupsionit galopant që po rrënon fatin e Shqipërisë, pritet të jetë kryeçështja në ditët e sezonit të ardhshëm politik.