Rrugët(arët)

0
47

nga ELSA BALLAURI, 23 Gusht 2010

Sikur ne shqiptarëve të na kishte ndihur më shumë historia dhe kërkesat për cilësinë e jetës t’i kishim të përafërta ose të njëjta me fqinjët tanë europianë, të cilët me shumë entuziazëm i marrim si shembull, shumë gjëra do t’i gjykonim dhe bënim ndryshe. Vetvetiu do dinim gjithashtu t’i kërkonim llogari më mirë dhe më shumë qeveritarëve, këtyre njerëzve që janë betuar përpara nesh dhe Zotit se do të na shërbejnë sa më mirë…. Por për fat të keq, shqiptarët nuk e patën dot fatin e zhvillimit ekonomik dhe social sikurse fqinjë…

për shumë gjëra nuk e morën dot as bekimin e perëndisë dhe në këto kushte nuk e dimë kush e ka tamam fajin: ne, qeveria, apo Perëndia… Fjalën këtë radhë e kam per rrugët, infrastruktura jonë teknike dhe mendore, sepse në Shqipëri mendoj se rruga ka qenë ideologji dhe psikologji njëkohësisht.

Historitë e rrugëve janë të lidhura me historinë e vendit dhe shpesh me mentalitetet e banorëve të tij. Edhe me ne nuk ka ndodhur ndryshe. Kur hulumtuesi i nderuar i folklorit shqiptar, Stavro Th. Frashëri, pati trillin aventuresk dhe intelektual për të shoqëruar dy antropologë amerikanë në malet e Mirditës në vitin 1930, ai nuk mendoi për mosekzistencën e rrugëve të atyre trevave.

Pasioni i tij ishte të zbulonte dhe të studionte Shqipërinë. Ky pasion ishte shumë më i fuqishëm se sa pasiguaria që mund t’i krijonin fjalët e miqve të tij, se atje lart e larg “mund t’i hanin ujqërit dhe egërsirat”. Megjithëse udhëtimi ishte shumë i vështirë, pikërisht për këto shkaqe, ai arriti të na japë një pamje të rrallë të Mirditës së hershme në librin e tij “Përmes Mirditës në dimër”.
Gjithmonë jam përpjekur të përfytyroj se sa shumë informacion dhe respekt do të kishim për veten tonë në rastin e një infrastrukture të mirë dhe të lehtë të vendit.

Në Shqipëri, mungesa e rrugëve u kthye në ideologji pas Luftës së Dytë Botërore, kur partia e re komuniste filloi të krijonte fobinë e armikut, i cili mund të desantonte në çdo kohë mbi territorin e Shqipërisë. Jam e bindur që kjo përrallë, është qesharake dhe e pabesueshme për të rinjtë e sotëm, por ishte një dramë e rëndë për disa breza që jetuan vështirësinë e komunikimit. Mungesa e rrugëve shkëputi familjet, të afërmit me njëri-tjetrin, fëmijët nga prindërit.

Në vitin 1998 isha në Tropojë për të pritur fluksin e parë të refugjatëve kosovarë të dëbuar nga serbët. Ishim në mes të Bjeshkëve, në kufi dhe një djalë i ri vendas më tregoi se motra dhe kushërira e tij ishin martuar në ato fshatra. “Sa herë në vit vijnë në Bajram Curr”, – e pyeta duke menduar vështirësinë e madhe që pata për të arritur atje me një makinë të Nato-s. Më tha se një herë në dy ose tre vjet…. Pushtetit të dikurshëm komunist i interesonte kjo shkëputje njerëzore dhe nuk bëri asgjë për ta përmirësuar. Në atë kohë ishte e njohur thënia se “rrugët ishin të mjaftueshme për 10 makina që kishte Shqiperia, apo se Hoxha i mbante rrugët peng për veten e tij.”

Rrugët e Shqipërisë, ende janë ndër më të varfërat në Ballkan. Krijimi i vonuar dhe i sforcuar i shtetit shqiptar nuk i kushtoi rendësi rrugëve dhe shumë akse rrugore u mjaftuan me ndërtime emergjente të ushtrive të huaja, që kaluan në Shqipëri gjatë luftrave ballkanike apo dy Luftërave Botërore.

Këto ndërtime nga ushtri dhe shtete të huaja ishin të pamjaftueshme për krijimin e një infrastrukture normale, që do t´i bënte shqiptarët të njihnin njëri – tjetrin, të zhvillonin ekonominë, bizneset, kulturën dhe të kuptonin bukuritë e një vendi që i kishte të gjitha: pyjet, detet, liqenet, lumenjtë, fushat, bjeshkët. Për fat të keq ndodhi e kundërta: pas një shekulli, shqiptarët nuk e njohin vendin e tyre. Shumë prej tyre mund të mburren se njohin vende të huaja, por jo Shqipërinë dhe jo se nuk kanë dashur e s’duan ta njohin, por s’kanë mundur.

Sikurse thashë më lart, rruga është edhe psikologji. Psikologjia ka të bëjë me mungesën e hapësirës. Mungesa e hapësirës është karakteristike për ne si popull dhe gjeneron nga mungesa e hapësirës mendore drejt asaj konkretes, që ka të bëjë me dimensionet reale që na rrethojne: apartamente të vogla, dhoma të vogla, rrugë të ngushta, hapësira te vogla, mungesë parqesh, shtim i mureve…, madje edhe në sjellje dhe komunikim. Ashtu siç nuk i lemë njëri-tjetrit radhën dhe nuk jemi tolerante nëpër biseda, në diskutime, në gjykime, në pëlqime, në zgjedhje, në vendime, në shije, por përpiqemi të ndërhyjmë në çdo gjë të tjetrit (“ku po shkon”, “çfarë ke blerë”, “ç’ke në çantë, etj), ashtu edhe i ndërtojmë objektet tona të banimit dhe të komunikimit afër e afër, të vogla, ngushtojmë dimensionet mes njëri-tjetrit.

Akoma më shumë psikologjia e “të ngushtës”, e “kërmillit” shfaqet në mënyrën se si projektojmë hapësirën reale që na rrethon. Ndoshta na ka dëmtuar mungesa e fushave shumë të mëdha dhe relievi tepër i thyer e malor, na ka mbështjellë në guackën e vogël kërmillore e na ka bërë të trembur përpara dimensioneve të mëdha. Nuk është vetëm rastësi e pakujdesisë katandisja e shumë qyteteve pa logjikë rregulli, dimensionesh dhe hapësirash. Nuk është vetëm nevoja dhe ethja e protagonistëve të përfitimit për të përfituar. Nëse mendësia shqiptare do të funksiononte ndryshe ndaj dimensioneve dhe hapësirave, nuk do të kishim kryeqytet dhe qytete kaq problematike.

Por fjalën e kisha tek rrugët… Iniciativat e reja per rrugë të mëdha, autostrada që investojnë jo vetëm në zhvillimin ekonomik, por edhe në atë shpirtëror, bëjnë mirë të lëkundin filozofinë tonë të infrastukturës së ngushtë dhe sot për sot të rrugeve. Në këtë rast, më shumë se në vende të tjera që ndërtimin e rrugëve e kanë një element të zakonshëm dhe të parëndësishëm të zhvillimit të tyre, tek ne ndërtimi i këtyre akseve pasuron realisht të përditshmen e qytetarëve dhe fshatarëve, si dhe sfidon mentalitetin shekullor hapësirëngushtë. Mendoj se kjo është një gjë që të gjithë e ndiejmë dhe e përkrahim.

Por paradoksi është se ndërkohë që po ndërtojmë rrugë moderne të standarteve të mira, harrojmë se Shqipëria është kryesisht e mbushur me rrugët e stilit të vjetër, për të cilat askush s’e vret mendjen. Një nga më tipiket, më të vjetrat, më të rrezikshmet, me të bukurta njëkohësisht, është rruga e Krrabës. Do desha ta merrja këtë rrugë si shembull, sepse si ajo janë me dhjetëra rrugë të vjetra, që nuk e ndryshojnë prej dekadash fizionominë e tyre. Me mijëra makina që kalojnë, rrezikojnë për shumë kilometra të aksidentohen në këtë rrugë, e cila është ndërtuar në kohën e Luftës së Parë Botërore. Mungesa e bordurave dhe e sinjalistikës, sidomos vijat e bardha dhe fosforet, e bëjnë rrugën një makth të vertetë, ku çdo vit ka aksidente të rënda.

Shpesh përgjigja është e thjeshtë: “s’e njohin rrugën, s’ia njohin kthesat”, – duke i ndryshuar sensin përgjegjësisë në një mënyrë krejtësisht të papërgjegjshme dhe qesharake, që ne shqiptarët dimë ta bëjmë shumë mirë… Gjithashtu, ne jemi një popull që ka abuzuar shumë me marrjen e patentës së makinës, madje edhe pa hyrë fare në provim: kjo duhet t’i shqetësojë akoma më shumë drejtuesit e institucioneve të rrugëve.

Për çudi, emergjenca më efikase në Shqipëri ka mbetur ende ajo e karroatrecëve dhe asnjëherë ajo e mirëmbajtjes së sinjalistikës. Rrugë të tilla si ajo e Krrabës, Shqipëria ka shumë dhe për çudi të gjitha në gjendje të mjerueshme. Ajo që më cudit më shumë është mungesa e vazhdimësisë së një pune që kryhet; disa nga këto rrugë pasi ndërtohen të reja ose riparohen, janë të plotësuara me të gjitha kushtet, por pas disa javëve, muajve, apo një viti, sheh se u mungojnë vazhdimisht disa gjëra thelbësore dhe të thjeshta për t’u realizuar. Vijat e bardha, që janë një domosdoshëmri për të mos bërë aksidente, pothuajse nuk përfillen, a thua se Shqipëria është keq për një mini makinë dhe bojë të bardhë. Ajo që e bën rezultatin e punës të pamerituar, është neglizhenca e njerëzve, që kanë premtuar dhe janë betuar të mbajnë mbi supe këto përgjegjësi.

Sinjalistika duhet të jetë perfekte çdo ditë, çdo minutë. Edhe një moment i vetem i mungesës se saj mund të shkaktojë tragjedi njerëzore. Rrjedhimisht, besimi i qytetarëve, i rrugëtarëve ndaj drejtuesve të institucioneve që drejtojnë politikat e rrugëve, përmbyset, zbehet e më shumë se kaq, qytetari e rrugëtari bëhet skeptik për sigurinë e jetës së tij. Nëse vlerësimi për jetët e njerëzve është i sinqertë, është shumë, shumë e lehtë t’i mbrosh ato… mjafton të duash.